 | |  | | | | Botuar: E mërkurë, 18 shkurt 2004 - 17:49 CET | | | | Gjendja aktuale me HIV/AIDS në Kosovë |  Sipas statistikave, në Kosovë janë më shumë se dyzet të infektuar me HIV/AIDS | | Rusia dhe vendet e tjera ish-komuniste të Evropës Lindore janë paralajmëruar se janë në prag të një krize serioze të HIV/AIDS-it, nëse nuk marrin masa të menjëhershme për ta vënë nën kontroll përhapjen e virusit HIV.
Një raport i fundit i OKB-së thotë se Evropa Lindore ka ritmet më të shpejta të infektimit me HIV/AIDS në botë, dhe në shumë vende programet zyrtare të parandalimit janë të pamjaftueshme.
Në Kosovë ndërkaq numri i personave që dihet se janë të infektuar me virusin HIV/AIDS mendohet se është i vogël.
Statistikat flasin për gjithsejt 47 të infektuar që nga paraqitja e sëmundjes për herë të parë në vitet "80.
Violeta Hyseni bisedoi me drejtorin e Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Arben Cami dhe fillimisht e pyeti si paraqitet gjendja me virusin HIV-AIDS në Kosovë.
Cami: Për fat të mirë numri me të cilin ne disponojmë dhe të dhënat me të cilat ne disponojmë tani për tani në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk tregojnë një nevojë për një alarmim të posaçëm lidhur me këtë problem, për shkak se numri i personave të infektuar me HIV është shumë i vogël krahasur me të gjitha vendet në rajonin tonë, ndërsa në krahasim me vendet e Evropës Lindore dhe viset e tjera ku ky virus ka marrë përmasa të mëdha është shumë, shumë më i vogël.
BBC: Cilat sipas jush janë arsyet që Kosova është më pak e prekur nga ky virus?
Cami: Sa i përket pse kemi një gjendje të këtillë, ka një mori arsyesh, ndoshta është në pyetje një numër i madh i faktorëve përfshirë këtu kulturën, edukimin familjar dhe shumë çështje tjera socio-kulturore të cilat lidhen dhe kanë të bëjnë më këtë problematikë, mirëpo të flasësh për rrezikun Kosovës, sidomos pas luftës është pothuajse i njejtë sikurse në të gjitha vendet tjera në të cilat ky virus dhe kjo sëmundje tanimë po merr mjaft viktima.
BBC: Cili është burimi i infeksionit të këtij virusi në Kosovë?
Cami: Rastet e para janë paraqitur në Kosovë herët në vitet "80 dhe kanë qenë punëtorë tanë që kanë punuar në botën e jashtme, mirëpo në kohën e fundit është një numër në rritje i personave të afektuar nga virusi i HIV/AIDS-it, të cilët janë poashtu përdorues të drogave dhe kombinimi i këtyre dyjave paraqet një problem të madh për shëndetësinë në Kosovë.
BBC: A kanë qenë edhe ndërkombëtarët këtu burim i infeksionit duke qene se numri i të infektuarve pas luftës është më i madh?
Cami: Ne nuk posedojmë të dhëna që ndërkombëtarët kanë qenë shkaktarë të këtyre rritjeve, mirëpo gjithsesi se lëvizja e lirë e popullatës, numri i shtuar i vizitorëve, qoftë i punëtorëve tanë të cilët për vite të tëra nuk kanë qenë këtu, por qoftë edhe i ndërkombëtarëve, mund të paraqesin një burim infeksioni nga ky virus.
BBC: Çfarë janë politikat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë për virusin HIV/AIDS?
Cami: Një numër i institucioneve shëndetësore janë pajisur me pajisje të nevojshme për të detektuar këtë virus, janë hapur tre qendra për testim dhe konsultim vullnetar, në Prishtinë dhe Ferizaj. |  |
|  | |