 | |  | | | | Botuar: E shtunë, 13 mars 2004 - 17:26 CET | | | | Gueheno viziton Mitrovicën | 
Z. Gueheno tha se situata në qytet është përmirësuar | | Nënsekretari i OKB-së për operacione paqëruajtëse, Zhan Mari Geuheno në ditën e katër të vizitës së tij në Kosovë, ka vizituar të shtunën qytetin e ndarë të Mitrovicës.
Ai ka konfirmuar përkushtimin e Kombeve të Bashkuara për zbatimin e Rezolutës 1244 të OKB-së e cila Kosovën e sheh si një e të pandarë.
Z.Gueheno tha se aktivitetet ekonomike dhe respekti i ndërsjellë mes qytetarëve të të gjitha bashkësive etnike janë thelbësore për paqen në këtë qytet.
Përmirësim
Z. Gueheno tha se situata në qytetin e ndarë të Mitrovicës është përmirësuar dhe këtë e dëshmon prezenca më e vogël ushtarake në qytet.
Ai tha se çelësi i bashkimit të qytetit është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i mirëbesimit ndërmjet bashkësive etnike.
"Mendoj se të gjithë e kuptojnë se Mitrovica që të jetë një vend më paqësor duhet të ketë aktivitet të shtuar ekonomik. Unë isha këtu në 2000 dhe e shoh se pas katër vjetësh ka transformime, në kuptimin e prezencës ushtarake.
Siguria është mjaft e rëndësishme, ka përparime të mëdha në atë drejtim", tha z.Gueheno.
Ai ka tërhequr vërejtjen se bashkimi i qytetit të Mitrovicës nuk varet vetëm nga bashkësia ndërkombëtare, por sipas tij, më shumë varet nga vetë qytetarët.
"Unë dëshiroj që tani paqja të jetë në zemrat dhe mendjen e njerëzve, kjo nuk është arritur ende.
Duhet që çdo komunitet të ketë respekt të plotë për tjetrin dhe më pas kemi nevojë për më shumë aktivitete ekonomike, e për këto duhet të ketë më shumë mirëbesim.
Nëse ndodh kjo, unë mendoj se Mitrovica do të ketë një të ardhme të mire", tha z.Gueheno.
Përkushtim
Gjatë vizitës në Mitrovicë, zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara takoi stafin e UNMIK-ut dhe atë komunal dhe bëri një shëtitje të vogël këmbë nga pjesa veriore në atë jugore të qytetit.
Z.Gueheno gjatë këtyre takimeve ka konfirmuar përkushtimin e OKB-së për zbatimin e rezolutës 1244, e cila Kosovën e sheh si një tërësi.
Normalizimi i situates në qytetin e ndarë, procesi i kthimit të të zhvendosurve, lëvizja e lirë dhe mundësia e zhvillimit ekonomik kanë qenë tema kryesore të takimit.
Vizita e tij në Mitrovicë shihet si e rëndësishme për lëvizjen e status-quo-së në qytetin e ndarë.
Inisiativë
Pikërisht për të ndryshuar gjendjen aktuale, një organizatë joqeveritare Iniciativa Evropiane për Stabilitet kohë më parë doli me propozimin që pjesa veriore e Mitrovicës të bashkohej me komunën e Zveçanit që do të administrohej nga serbët që përbëjnë shumicën, ndërsa shqiptarët e zhvendosur do të ktheheshin në pronat e tyre në veri.
Sipas këtij propozimi, do të stimolohej edhe zhvillimi ekonomik i Mitrovicës, qytetit që thuhej se po vdes, ndërsa Beogradi do të shnëdrrohej në donator të ligjshëm.
Kryeministri Bajram Rexhepi mori pjesë dy herë në konferencën e ESI-t për Mitrovicën dhe me tu kthyer nga Brukseli ku u prezentua pjesa e dytë e projektit, dha këtë vlerësim:
"Është një iniciativë e cila nëse ka përkrahje edhe të ndërkombëtarëve, mund të jetë edhe pozitive, duhet të shyrtohet seriozisht, aty ka shumë gjëra positive që janë hapur, por ka edhe diçka që s'na pëlqen, mirëpo si pako mendoj se është pozitive dhe duhet shqyrtuar seriozisht".
Mitrovica edhe gati pas pesë vjet të administrimit ndërkombëtar në Kosovë vazhdon të mbetet e ndarë etnikisht.
Shumë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë premtuan bashkimin e qytetit, por këto mbeten vetëm fjalë.
Mitrovica shihet edhe si sfidë për përmbushjen e standardeve para definimit të statusit të Kosovës. |  |
|  | |