 | |  | | | | Botuar: E premte, 12 mars 2004 - 10:20 CET | | | | Hidhet granatë në shtëpinë e Rugovës | | | Një granatë dorë është hedhur në rezidencën e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, të premten, duke shkaktuar dëme, por jo viktima apo të plagosur. Njoftimet vijnë nga policia e UNMIK-ut.
 Një granatë dore është hedhur në oborrin e shtëpisë së tij |
Një zëdhënës i policisë tha se granata ishte hedhur herët në mëngjes.
"Pjesa e përparme e shtëpisë së zotit Rugova u dëmtua. Nuk ka të plagosur," tha zëdhënësi i policisë duke mos ofruar detaje të tjera.
Ka qenë ora 5 e 20 minuta e mëngjesit, kur në oborrin e Presidencës së Kosovës është hedhur një bombë, nga një makinë në lëvizje përgjatë rrugës përballë Rezidencës së Presidencës.
Bomba ka plasur dhe ka shkaktuar dëmë materiale në shtëpinë e Presidentit, mirëpo nuk ka pasur pasoja në njerëz.
Policia thotë se fjala është për një granatë dore dhe se dëmet e shkaktuara, janë të vogla dhe nga shpërthimi granatës janë dëmtuar dritaret dhe muret e shtëpisë së presidentit.
Shërbimi Policor i Kosovës ka shprehur shqetësimin e tij për shpërthimet e fundit.
Zëdhënësi i SHPK-së, Refki Morina, tha se ata kanë "shtuar masat e sigurisë në sektorë të ndryshëm të patrullimit dhe në sektorë të tjerë që veprojnë në terren".
Shqetësim
Zëdhënësi i Presdientit, Muhamet Hamiti, thotë se ky është një sulm kriminal ndaj institucioneve të Kosovës.
"Është sulmuar autoriteti më i lartë politik i Kosovës, i zgjedhur me votën e popullit," tha zoti Hamiti.
"Nuk e di se kush mund të jetë i interesuar të sulmojë institucionin e Presidentit," tha ai.
Grupit për të drejtat e njeriut, KMLDNJ, ka shprehur shqetësimin e tij për sulmin dhe për disa shpërthime të tjera të ndodhura gjatë 4-5 ditëve të fundit.
Për më tepër ky këshill parasheh përshkallëzim të situatës, kjo si pasojë e situatës politike dhe ekonomike.
Udhëheqës i KMLDNJ-së, Behxhet Shala, thotë se incidentet nuk janë të shkëputura.
"Prapa këtyre shpërthime qëndron dikush i cili i ka paramenduar mirë," tha ai. |  |
|  | |