 | |  | | | | Botuar: E enjte, 16 tetor 2003 - 17:41 CET | | | | OSBE për strukturat paralele në Kosovë |  OSBE dëshiron që strukturat paralele në Kosovë të shuhen në mënyrë graduale | | Misioni i OSBE-së në Kosovë, në raportin më të fundit të publikuar mbi të drejtat e njeriut vlerëson se strukturat paralele e dëmtojnë sundimin e ligjit në Kosovë, por prania e tyre duhet të tolerohet në periudhë afatshkurtër.
Raporti i OSBE-së tregon se strukturat paralele vazhdojnë të ekzistojnë në disa fusha, si në atë të sigurisë, në sistemin e drejtësisë, shëndetësisë, arsimit dhe të drejtës mbi pronën, ndërsa janë të pranishme në rajonin e Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe.
Drejtori i Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Sundim të Ligjit në misionin e OSBE-së, Carsten Weber tha se strukturat paralele pjesërisht plotësojnë fushat ku UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës nuk mund të ofrojnë shërbime të mjaftueshme, prandaj ekzistimi i strukturave paralele duhet të tolerohet edhe për një kohë.
"Ne nuk jemi tolerant ndaj pranisë afatgjatë të strukturave paralele, por duhet të pranoj se shuarja e thjeshtë e këtyre strukturave jo vetëm që mund të jetë politikisht e kontestueshme - por nuk do të njohë faktin që njerëzit që janë të prekur kanë të drejtë sipas ligjeve ndërkombëtare t’i gëzojnë shërbimet themelore," tha z. Weber.
Raporti i OSBE-së shikon drejt përparimit që ka bërë administrata e UNMIK-ut për të tejkaluar disa vështirësi, përfshirë këtu edhe zhvillimin e Shërbimit Policor të Kosovës dhe hapjen e gjyqeve në komunat veriore të Kosovës.
Raporti tregon se kundër strukturave paralele nuk mund të luftohet në të njejtën mënyrë, ndërsa rekomandon shuarjen e tyre përmes tri mundësive: përmirësimin e shërbimeve nga ana e UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, zvogëlimin e pajisjeve për shërbimet paralele përmes negociatave dhe vendosjen e politikave të detyrueshme për mbështetjen e institucioneve të Kosovës.
"Ne përfundimisht dëshirojmë që këto struktura paralele të shuhen në mënyrë graduale dhe një mundësi është integrimi i tyre nën ombrellën e UNMIK-ut dhe institucioneve të përkohshme vetqeverisëse të Kosovës," tha Carsten Weber.
Strukturat paralele serbe ekzistojnë në Kosovë që nga përfundimi i konfliktit të armatosur, kur serbët të cilët mbetën në Kosovë, nuk e pranuan administratën e Kombeve të Bashkuara dhe krijuan institucionet e tyre të mbështetura në të gjitha format nga Serbia.
Administrata e UNMIK-ut, në nëntor të vitit të kaluar, ka shtrirë pushtetin e saj pas më se tri vitesh në pjesën veriore të Mitrovicës, me një marrëveshje paraprake me Beogradin, për shuarjen e strukturave paralele.
Megjithatë strukurat paralele vazhdojnë të ekzistojnë, ndërsa OSBE rekomandon tolerancë afatshkurtër ndaj tyre, sic thuhet derisa UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës të zvogëlojnë dhe eventualisht të eliminojnë varësinë e minoritetit serbe nga këto strukura.
|  |
|  | |