 | |  | | | | Botuar: E premte, 12 mars 2004 - 10:14 CET | | | | ETA apo al-Kaida | |  |  | | |  | Barnaby Mason Korrespondent diplomatik i BBC-së |  |  |
| Autoritetet spanjolle po hetojnë nëse sulmet me bomba të së enjtes në Madrid u kryen nga separatistë baskë apo nga militantë islamikë me lidhje me al-Kaidan.
Albana Kasapi foli me korrespondentin diplomatik të BBC-së, Barnaby Mason dhe fillimisht e pyeti atë se në ç'fazë ndodhet lufta globale kundër terrorizmit pas sulmeve të Madridit?
Mason: Lufta globale kundër terrorizmit është një frazë pak a shumë e paqartë dhe në vende të ndryshme, motivet për terroristët janë të ndryshme. Por është e qartë se mesa duket këto lloj sulmesh po përhapen më shumë. Se çfarë do të thonë këto sulme për luftën ndaj terrorizmit do të varet shumë nga ata që i kanë kryer ato. Nëse autor është grupi separatist bask, Eta, do të ishte një ndryshim në shkallë dramatike për grupin, por pasojat pak a shumë do të ishin kryesisht për Spanjën dhe në shkallë më të vogël për Francën. Jo domosdoshmërisht do të kishte pasoja globale apo për gjithë Evropën. Nëse nga ana tjetër, autorë do të ishin militantë islamikë, sulmet do të tregonin se ata kanë zgjeruar fushatën e tyre për të goditur një vend tjetër që shihet si mbështetës i Amerikës, si për sulmet e 11 shtatorit, ashtu dhe për pushtimin e Irakut.
BBC: Ka udhëheqës që janë të interesuar ta përshkruajnë terrorizmin si ndërkombëtar, duke i shmangur rrënjët lokalë që mund të ketë ai. Cilat janë arsyet për këtë?
Mason: Që nga sulmet e 11 shtatorit, është bërë e dukshme që shumë politikanë kanë adoptuar sloganin e luftës globale kundër terrorizmit dhe se terrorizmi është fenomen global, si një lloj justifikimi për veprimet e tyre ndaj problemeve në vend dhe militantëve. Presidenti i Rusisë, Putin, pothuajse gjithmonë i përshkruan militantët në Çeçeni si pjesë e një ideje të paqartë të terrorizmit glabal. Avantazhi i kësaj është se shmang vështirësinë e përballjes me ankesat e çeçenëve ndaj pushtimit rus të Çeçenisë, apo ndaj taktikave ruse në Çeçeni. E njëjta mund të thuhet për qeverinë izraelite, që tenton t'i shohë taktikat e përdorura nga sulmuesit vetëvrasës palestinezë, si një shembull më shumë i luftës botërore ndaj terrorizmit dhe jo si diçka për të cilën ata, pjesërisht, mund të jenë përgjegjës për shkak të politikave që ndjekin.
BBC: Po për Spanjën dhe ETA-n, ç'mund të thuhet?
Mason: Deri tani nuk ka patur ndonjë shenjë të qeverisë spanjolle që përpiqet ta përshkruajë ETA-n si pjesë e një lëvizje globale terroristësh. Ajo gjithmonë ka thënë se ETA është një organizatë terroriste me një qëllim specifik, që të kenë një atdhe bask të pavarur dhe ata nuk janë përpjekur ta lidhin ETA-n me ata që adoptojnë të njëjtat taktika gjetkë. Por, pyetja shtrohet nëse vetë ETA mund të ketë apo jo lidhje me këta lloj njerëzish.
BBC: Nëse ky sulm i fundit në Madrid është kryer nga ETA, duket se ka kopjuar teknika nga Al-Kaida. Çfarë mësimesh mund të nxirren nga kjo?
Mason: Këto janë të gjitha spekulime. Ende nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Njëra mundësi është që ETA ka imituar shkallën e bashkëpunimit dhe planifikimit të sulmeve simultane. Besohet se kanë shpërthyer në të njëjtën kohë dhjetë bomba, apo më shumë. Kjo është diçka që ETA nuk e ka bërë më parë. Dhe, është e mundur që ata e kanë kopjuar këtë nga al-Kaida. Kjo është teknikë e al-Kaidës. Po ashtu është sugjeruar se është e mundur që mund të ketë elementë të al-Kaidës që punon me ETA-n. |  |
|  | |