Jonathan Marcus Analist i BBC-së për çështje të mbrojtjes
Qeveria spanjolle u tregua e shpejtë për t'i vënë gishtin ETA-s, organizatës separatiste baske si fajtore për sulmet e sotme. ETA- që kërkon një atdhe të pavarur bask në Spanjën veriore, është duke zhvilluar luftën e saj që nga fillimi i viteve -60.
Sulmi ishte shokues
Që nga ajo kohë 800 vetë kanë vdekur në një seri bombash dhe vrasjesh. Por ETA në përgjithësi kryen vepra të një shkalle më të vogël.
Numri më i madh i vdekjeve erdhi në një incident të vetëm në 1987 kur 21 persona u vranë në një shpërthim në një supermarket në Barcelona.
Autoritetet spanjolle kanë arritur sukses kohët e fundit në arrestimin e disa prej udhëheqësve dhe kanë kapur edhe materiale shpërthyese.
Në mungesë të pretendimeve për përgjegjësi nga ETA, do të vazhdojë të ketë spekullime për aktorët e mundëshëm të sulmit.
Përkrahja e fortë që Spanja i dha Britanisë dhe SHBA-së para luftës në Irak mund të bëjë Spanjën objekt sulmi në sytë e disa grupeve islamike.
Policia spanjolle ka zbuluar organizata me lidhje me Al-Kaidan. Por ekziston gjithmonë mundësia e organizatave të reja me qëllime të pasigurta dhe të paqarta.
Edhe sistemi hekurudhor francez kohët e fundit ka marrë kërcënime për sulme të inkurajuara nga motive kriminale dhe jo politike. Të gjitha këto tregojnë sesa kompleks është fenomeni i terrrorizmit.
"Lufta kundër terrorizmit" e presidentit Bush herë-herë thjeshtëzohet prej tij në një dimension të vetëm, në një fushatë të vetme kur ajo është një betejë më e përhapur, me një armik po aq vdekjeprurës.