BBC Albanian
BBCi Home PageBBC World NewsBBC SportBBC World ServiceBBC WeatherBBC A-Z
Faqja kryesore
Rajoni
Shtypi evropian
Analiza
Forum
AUDIO
Frekuencat
Programi i rradhës
SHËRBIMET
Për ne
Na kontaktoni
Ndihmë
GJUHËT
BBC Serbian
BBC Croatian
BBC Macedonian
BBC Greek
BBC Bulgarian
 
Botuar: E hënë , 01 dhjetor 2003 - 15:19 CET
 
HIV/AIDS në Shqipëri
 
Në kuadër të sezonit të HIV/AIDS-it, BBC në shqip intervistoi edhe ministrin e shëndetësisë të Shqipërisë, zotin Mustafa Xhani dhe fillimisht e pyeti se çfarë po bën Ministria e Shëndetësisë në kuadrin e luftës kundër HIV/AIDS-it në Shqipëri?
Virusi HIV
Edhe Shqipëria po përballet me rritje të infektuarve me HIV


Ministri: Sigurisht që Ministria e Shëndetësisë e ka një nga prioritetet e saj, sepse në programin e qeverisë dhe në programin e mijëvjeçarit është edhe lufta kundër HIV/AIDS-it. Unë mund t'ju them se deri më sot në Shqipëri, janë 113 raste të diagnostikuara. Pra siç shihet, duke e krahasuar dhe me vendet e tjera në rajon, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të HIV/AIDS-it. Megjithatë duke parë vitet e fundit, mund të them se gjatë vitit 2000 kemi patur dhjetë raste të reja, në vitin 2001 njëzetë e gjashtë dhe në vitin 2002 ka një numër më të madh rastesh krahasuar me shtatë vitet e mëparshme.
  Si specifike për Shqipërinë, rruga kryesore e infektimit mbetet ajo seksuale 
Mustafa Xhani

Si specifike mund të themi për Shqipërinë për rrugët e transmetimit, kryesore mbetet ajo seksuale, në 90% të personave të prekur. Ka një tendencë në rritje vitet e fundit, vihet re edhe një tendencë rreth barazimit të rasteve të diagnostikuara midis meshkujve dhe femrave.

Në Shqipëri vlerësohen se nga 400 deri në 700 persona mund të jenë aktualisht të infektuar nga virusi i HIV/ AIDS-it. Në mungesë të masave të marra personat e infektuar nga HIV/AIDS-i mund të arrijnë në katër mijë persona në vitin 2010 dhe në shtatëmijë persona në vitin 2015.
Shtresat dhe grupet e popullatës më të prekshme nga HIV/AIDS-i janë të rinjtë, gratë, veçanërisht gratë e emigrantëve dhe vajzat e tyre që jetojnë në periferi të qyteteve të mëdha.

Emigrantët ku mbi 70% e personave të diagnostikuar dhe deportuar deri tani janë infektuar gjatë kohës që kanë qëndruar në emigracion. Nga analiza e situatës e bërë nga grupet e punës, ne mund të veçojmë edhe këto grupe vulnerabile, përdoruesit e drogave, meshkujt që kryejnë seks me meshkujt, punonjëset komerciale të seksit, ose e thënë më shqip prostitutat, personat e prekur nga infeksione të transmetuara me
rrugë seksuale dhe viktimat e trafikut.

Çfarë masash janë marrë në Shqipëri dhe çfarë politikash kombëtare dhe kuadri ligjor kemi? Në gusht të vitit 1987 në mbështetje teknike dhe financiare të OBSH-së u hartua programi i parë njëvjeçar për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it në Shqipëri. Programi kombëtar i HIV/AIDS-it vazhdon veprimtarinë e tij bazuar në dy objektiva madhore, së pari parandalimi i HIV/AIDS-it në popullatën e gjerë dhe shtresat vulnerabël të saj dhe së dyti sigurimi i kujdesit dhe mbështetjes për personat e prekur nga HIV/AIDS-i. Tjetër aktivitet që mund të përmendet. Në shtator të 1992-it dhe korrik të 93-it janë konferencat e organizuara për këtë qëllim. Gjithashtu brenda këtij viti është menduar që të organizohet një konferencë tjetër e cila do të miratojë draft strategjinë për luftën kundër HIV/AIDS-it në vendin tonë.

Po kështu në vitin 1991 u krijua zyra ekzekutive e programit kombëtar, sot programi kombëtar i HIV/AIDS-it, pranë institutit të shëndetit publik. Gjithashtu në nëntor të vitit 2000 u miratua ligji për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it në Republikën e Shqipërisë.

BBC: Në Shqipëri siç e thatë ju zoti ministër, ka pak më shumë se njëqind vetë të infektuar me HIV/AIDS-in, por për këta nuk ekzistojnë medikamentet anti-retrovirale. Çfarë po bëhet në këtë drejtim për të siguruar këto medikamente që është provuar se jo vetëm zgjasin, por përmirësojnë cilësinë e jetës së pacientëve me HIV.

Ministri: Në fakt të sëmurët tanë nuk mjekohen me medikamente retrovirale, thjesht për mungesë fondesh, ose për mungesa burokratike të dështimit të tenderave. Ministria e shëndetësisë e ka parë me seriozitet këtë problem dhe këtë vit ne kemi vendosur në fondet që i kemi dhënë QSUT-së, pasi ky mjekim do të bëhet pranë shërbimit infektiv në QSUT, rreth 150 mijë dollarë dhe po përgatiten proçedurat, mendoj që vitin tjetër këto të sëmurë të jenë të mbuluar nga këto medikamente.

BBC: UNAIDS-i p.sh ka sugjeruar që vende të vogla si Shqipëria do të mund të përfitonin nga fondet e fondit global për luftën kundër HIV/AIDS-it. Mund të bashkohen së bashku p.sh Shqipëria, Maqedonia, Bosnja në mënyrë që kërkesa e tyre të dëgjohej më shumë. Pasi siç dihet, është e pranueshme se kompanitë farmaceutike ndoshta nuk janë aq të interesuara për vende të vogla me raste të pakta.

Ministri: Sugjerimi juaj është shumë i drejtë. Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithmonë rekomandon bashkëpunime të tilla dhe ka një vëmendje të veçantë sidomos për vendet e Ballkanit Juglindor ku hyn dhe Shqipëria.

BBC: Ju dukeni se jeni mjaft i qartë për riskun që ekziston dhe rrezikshmërinë e përhapjes së HIV/AIDS-it në Shqipëri. Çfarë mund të bëhet, jo vetëm nga ministria e Shëndetësisë, por në përgjithësi në kuadrin e politikës shtetërore, por edhe në kuadrin shoqëror për të hequr këtë stigmatizim dhe për t'a bërë HIV/AIDS-in një prioritet ndoshta të shoqërinë shqiptare. Duket se shqiptarët ende, si në shumë vende të tjera mendojnë se HIV/AIDS-i nuk është sëmundje për ta, dikush tjetër infektohet me HIV/AIDS.
  HIV/AIDS-i nuk është si sëmundje tumorale 
Mustafa Xhani


Ministri: Unë do të thoja që duhet bërë një punë e madhe propagandistike për të njohur gjithë popullatën se çfarë është HIV/AIDS-i. HIV/ AIDS-i nuk është si sëmundje tumorale. HIV/AIDS-i nëqoftëse do të merren masat përkatëse parandaluese, nëqoftëse do të respektohen të gjitha ato rregulla, pra kryerja e marrëdhënieve seksuale të kontrolluara, kryerja e proçedurave kirurgjikale të kontrolluara në kushtet e aseptikës, sigurisht që ky do të minimizohet.

Unë mendoj që në planin intelektual ne e kemi softin e duhur për të kontrolluar epideminë e HIV/AIDs-it, por sigurisht shqiptarëve nuk i mungon softi, por i mungon përgjegjshmëria dhe praktika e implementimit të këtyre projekteve. Dhe unë mendoj që komiteti një, Ministria e Shëndetësisë, duhet të fokusohen në plane konkrete të punës, në ngritjen e strukturave konkrete. Pra ne duhet ta njohim HIV/AIDS-in si rrezik real, si një rrezik potencial, që ne nesër mund të gjendemi përpara këtyre situatave. Këtu nuk është vetëm problemi i Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha problemet ku ndërthuret shëndetësia me problemet sociale, janë multi sektorale, pra është një përgjegjësi e qeverisë, prandaj.

Ngritja e qendrave antitrafik nga ministria, qeveria shqiptare dhe ministria e çështjeve sociale, është një arritje e madhe. Pra këto viktimat e trafikut të cilat do të riedukohen në këto qendra, do të kihen në vëmendje edhe përsa i përket HIV/AIDS-it. Po kështu edhe lufta kundër prostitucionit. Po kështu edhe futja e programit të HIV/AIDS-it në kurikulumet e shkollës.

BBC: Ka mbi dhjetë vjet që është shfaqur rasti i parë me HIV/AIDS, me HIV në Shqipëri, pse pikërisht tani po vihet theksi mbi luftën kundër përhapjes së HIV/AIDS-it.

Ministri: Ka një numër në rritje të rasteve. Pikërisht për të mos u ndodhur para situatave jo të këndshme, ose të them situatave të vështira, në të cilat rezultatet dhe mundi dhe kostoja ekonomike është shumë e madhe, ne po përgatisim këtë strategji dhe të jemi të përgatitur për çdo hap ndaj shpërthimeve ose ndaj ecurisë jo të kënaqshme në vendin tonë të infeksionit të HIV/AIDS-it.

BBC: Dhe së fundi zoti ministër, strategjia që ju paraqitët dhe ajo që unë kam kuptuar nga bisedat me ekspertë të tjerë, duket mjaft ambicioze për një vend si Shqipëria, mjaft e mirë, por mjaft ambicioze. A mendoni se do të keni mbështetjen financiare për ta vënë në zbatim këtë strategji, sepse në fund të fundit zbatimi i saj do të jetë kyçi?

Ministri: Unë mendoj që sensibiliteti i qeverisë shqiptare dhe angazhimet e qeverisë shqiptare, qoftë në objektivat e mijëvjeçarit që përmenda pak më lart, qoftë edhe përgjegjësia që ka karshi popullit për të prevenuar ose për të vënë në kontroll këtë epidemi, do të ketë mirëkuptimin e gjithanshëm për të vënë në dispozicion të kësaj strategjie edhe fondet e nevojshme.


Lajme të tjera:
News imageSocialistët fitojnë në zgjedhjet spanjolle
News imagePutin konfirmon fitoren në zgjedhje
News imagePlanet i ri në sistemin tonë diellor
News imageZgjedhjet e përgjithshme në Kosovë më 23 tetor
News imageKina njeh të drejtën e pronës private
News imageSituatë e tensionuar në Gjeorgji
News imagePas sukses operacioni kundër Karaxhiçit
News imageGjenerali Myers vlerëson situatën në Haiti
News imageKurdët protestojnë për viktimat në Siri
News imageKreu i Komitetit Olimpik në Athinë

BBC Albanian
 
albanian@bbc.co.uk
 
 
 
BBC Copyright ^^ Kthehu në kryeLajme në 43 gjuhë >
 
Faqja kryesore | Rajoni | Shtypi evropian
Analiza | Diskutim | Frekuencat
 
Për ne | Na kontaktoni | Ndihmë | Deklarata mbi të dhënat private
 
 
© BBC Albanian, Bush House, Strand, London WC2B 4PH, UK