 | |  | | | | Botuar: E mërkurë, 26 nëntor 2003 - 13:34 CET | | | | UNAIDS-i paralajmëron vendet e Evropës juglindore | | | Në bazë të shifrave zyrtare në Shqiperi ka 113 persona të infektuar me virusin HIV.
 Rrezik për AIDS-in në Evropën lindore | Megjithatë, ekspertët paralajmërojë se ky numër mund të jetë më i lartë për shkak se shumë pak vetë kanë shkuar për të bërë testet për HIV, si dhe rritjes së numrit të faktorëve të rrezikshmërisë së përhapjes së virusit, si lëvizja e popullsisë, përdorimi i drogave, ndryshimi i sjelljeve seksuale dhe prostitucioni.
Kjo situatë në Shqipëri është e ngjashme me shumë vende të tjera të Evropës juglindore.
Diana Kola bisedoi me shefin e Evropës në programin e OKB-së për luften kundër HIV/AIDS, UNAIDS, Henning Mikkelsen.
 |  |  |  |  | | |
Në Shqipëri është një moment i mirë për të filluar trajtimin e pak njerëzve që janë aty. | |  |  | Henning Mikkelsen, UNAIDS për Evropën |  | BBC: Si është situata e HIV/AIDS-it në Shqipëri? Zoti Mikkelsen: Problemi i HIV/AIDS-it nuk është shumë i madh në Shqipëri, por unë do të bëja thirrje për kujdes në këtë çështje. Siç e dini, në vendet e Evropës lindore dhe Azinë qendrore, gjatë dekadës së fundit kemi parë epideminë me rritjen më të madhe në historinë e epidemisë globale të AIDS-it, veçanërisht në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Dhe tani e dimë se kjo do të jetë një epidemi afatgjatë dhe me pasoja shkatërrimtare në rajon, me efekte të mëdha në ekonomi, dhe rritjen e popullsisë.
Siç e shikoni nga të dhënat në Shqipëri, kjo nuk po ndodh në Shqipëri, dhe në përgjithësi në Evropën juglindore kemi një prevalencë relativisht të ulët me përjashtim të Rumanisë ku patëm një epidemi mes fëmijëve të institucionalizuar në fillim të viteve 1990. Por duke parë raportet zyrtare situata është e qetë. Megjithatë, duhet të them se kur shfaqen përcaktuesit socialë, faktorët e rrezikut që lidhen me HIV/AIDS-in dhe sjelljet e rrezikshme -- atëherë fillon të shqetësohesh. Situata që është tani në Evropën juglindore, duke përfshirë Shqipërinë, i përngjan situatës në ish-Bashkimin Sovjetik para rritjes së epidemisë atje. Dhe mund të shkojë shumë shpejt në atë pikë. Kemi parë shumë shembuj të vendeve në rajon që nuk mendonin se kishin probleme dhe menjëherë numri u rrit. Si p.sh. Estonia -- brenda një muaji më shumë se një në një mijë persona nga popullata e Estonisë ishin të infektuar me HIV. Kjo potencialisht mund të ndodhë në Shqipëri dhe vendet e tjera të Evropës juglindore.
BBC: Pse mund të ndodhë kjo? Zoti Mikkelsen: Sepse, siç e dini, Shqipëria dhe vendet e tjera në rajon po jetojnë me pasojat e konflikteve atje. Në përgjithësi ka vështirësi ekonomike dhe vendet po kalojnë një periudhë tranzicioni ekonomik dhe kjo ka krijuar një numër vështirësish për popullatën në përgjithësi, dhe në veçanti për të rinjtë.
BBC: Çfarë mund të bëjnë këto vende, përfshirë edhe Shqipëria, që të mos shkojnë në rrugën e Estonisë, që përmendët ju? Zoti Mikkelsen: Në përgjithësi duhet përmirësuar gjendja e të rinjve që ata të ndihen të sigurt në jetën e tyre. Në një nivel me konkret ata duhet të shohin te mënyrat e uljes së sjelljeve të rrezikshme nga të rinjtë për sa i përket, sensibilizimit për HIV/AIDS-in, për sa i përket qasjes ndaj shërbimeve. Vëmendje i duhet kushtuar të rinjve që janë më ekspozuar ndaj rrezikut, që janë marrës droge apo janë drejt asaj rruge. Ky është një problem i madh në rajonin tonë. Këtë e kemi parë në Bashkimin Sovjetik. Ky është nxitësi i epidemisë në rajonin tonë. Të rinjtë që përdorin drogë, dhe në të njëjtën kohë kanë sjellje të rrezikshme seksuale, kjo krijon një dinamikë që është e veçantë në rajonin tonë. Ne e dimë se në Evropën juglindore, duke përfshirë Shqipërinë, bëhet trafikim droge dhe kemi të dhëna se është rritur numri i përdoruesve të drogës. Kemi të dhëna se personat kanë partnerë të ndryshëm seksualë dhe përdorin rrallë kondomët. Pra, përveç sensibilizimit dhe qasjes ndaj shërbimit, ajo që duhet bërë është që ata të kenë shiringa të pastra. Të rinjtë që kryejnë marrëdhënie seksuale të pasigurta, duhet të kenë qasje tek kondomet dhe të mësojnë për atë që e quajmë abc - abstinencë, besnikëri, kondom
BBC: Në Shqipëri mungojnë medikamentet anti-retrovirale. Si mund të zgjidhet ky problem? Zoti Mikkelsen: Është një problem shumë i madh për gjithë botën, dhe për vendet e Evropës lindore dhe Azisë qendrore, në këtë rajon vetëm disa vende kanë mundësi për kujdes dhe trajtim. Në Evropën juglindore, vetëm një vend ofron qasje në kujdes dhe trajtim -- dhe kjo është Rumania dhe kohët e fundit kanë arritur të kenë anti-retroviralë. Nevoja për t'i dhënë përparësi trajtimit dhe kujdesit, i është kujtuar qeverive vetëm kohët e fundit - dhe kjo çështje e rëndësishme. Është shumë e rëndësishme të krijohet qasje më e mirë për trajtim dhe kujdes sidomos për ata pak vetë që kanë AIDS-in, për t'i ndihmuar të mbijetojnë dhe të kenë një jetë të mirë, por edhe sepse nëse nuk i japim kujdes, AIDS-i do të bëhet një problem i fshehtë dhe ata që janë të sëmurë do të vdesin në shtëpi apo në izolim dhe shoqëria nuk do të mund të fillojë ta trajtojë këtë çështje. Qasja ndaj medikamenteve më të lira për vendet e varfra. Rruga përpara për Evropën juglindore është negociatat në kuadër rajonal me kompanitë sepse nëse në vend ka pak vetë që janë të infektuar nuk je në pozitë të mirë për të negociuar me kompanitë farmaceutike. Ndoshta rruga përpara është që këto vende duhet të bashkohen për të bërë negociata. Ka edhe inciativa të tjera që mund të ndihmojnë - OBSH mund të ndihmojë vende si Shqipëria. Në Shqipëri është një moment i mirë për të filluar trajtimin e pak njerëzve që janë aty, dhe nëse situata keqësohet atëherë ajo do të jetë në pozitë të mirë për të filluar trajtimin.
BBC: Pra, është çështje fondesh? Zoti Mikkelsen: Është çështje fondesh, por Shqipëria duhet të ketë qasje te medikamentet e lira sepse është vend i varfër. Por problem është se sa të interesuar janë politikanët, për t'a trajtuar këtë problem.
BBC: Nga përvoja juaj, sa të interesaur jnaë këto vende? Zoti Mikkelsen: Varet, ka dallime nga vendi në vend. Zakonisht, fatkeqësisht, pritet të vdesin shumë vetë para se politikanët fillojnë t'a marrin këtë seriozisht. Ata duhet të mësojnë nga përvoja e vendeve të tjera. Nëse e trajtojnë këtë problem kur numri është i vogël atëherë është më lehtë. Fatkeqësisht shumë pak vende kanë mbajtur këtë qëndrim. |  |
|  | |