 | |  | | | | Botuar: E enjte, 20 nëntor 2003 - 16:20 CET | | | | Dallime rreth raportit bërthamor për Iranin | | | Shefi i agjencisë bërthamore të Kombeve të Bashkuara, Muhamed El Baradei, ka thënë se Irani kishte shkelur detyrimet e tij nga marrëveshja globale e armëve bërthamore, por se OKB tani po bënte inspektime të rrepta në Iran. SHBA thotë se Teherani përpiqet të zhvillojë armë bërthamore |
Zoti El Baradei deklaroi këtë para një takimi të rëndësishëm të bordit të drejtuesve të agjencisë në Vjenë i cili do të shqyrtojë reagimin ndaj një raporti mbi programin bërthamor te Iranit.
Raporti thotë se Irani tani po bashkëpunon pas disa vitesh kur nuk e kishte informuar agjencinë për aktivitetet e tij bërthamore.
Shtetet anëtare të kësaj agjencie kanë qëndrime të ndryshme rreth asaj se deri ku mund të shkojnë në kritikat e tyre ndaj Iranit.
Shtetet e Bashkuara, që thonë se Teherani po bën përpjekje të zhvillojë armë bërthamore, dëshirojnë që Irani t'i referohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili mund të vendosë sanksione.
Por shtetet evropiane, përfshirë edhe Britaninë, duan të mos e dënojnë atë aq ashpër.
Takimi tani është shtyrë dhe pritet të rifillojë ditën e premte. |  |
|  | |