 | |  | | | | Botuar: E hënë , 10 nëntor 2003 - 15:07 CET | | | | Klintoni kërkon veprim të Kinës kundër SIDA-s | | | Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, i ka bërë thirrje qeverisë kineze të bëjë më shumë dhe sa më shpejt për trajtimin e çështjes së SIDA-s. Disa rajone të Kinës janë të infektuara rëndë me HIV |
Megjithëse përqindja e të sëmurëve në Kinë është ende e ulët tani, disa rajone të vendit janë të infektuara rëndë.
Një anketë e gjerë e porositur nga BBC-ja, e cila do të botohet e plotë në fundjavë, tregon se njerëzit në Kinë janë midis atyre që kanë njohuritë më të pakta për SIDA-n dhe virusin që e shkakton atë, HIV.
Siç njofton Elizabeth Blunt e BBC-së, mbase rezultati më tronditës i anketës ishte se 14 përqind e të anketuarve në Kinë as nuk kishin dijeni se çfarë ishte SIDA, që përbën rezultatin më të keq në ndonjë prej vendeve të përfshira.
Ata nuk mund ta identifikonin atë si sëmundje, apo virus, apo si diçka nga e cila mund të gjeje vdekjen.
Dhe këta pesona nuk ishin fshatarë të varfër të shkëputur nga bota. Ata jetonin në pesë qytetet më të mëdha të Kinës dhe mund të kontaktoheshin për intervistë me telefon.
Atyre që kishin disa njohuri për SIDA-n, iu bënë pyetje më shumë.
A ishte SIDA një prej shqetësimeve të tyre kryesore, u pyetën ata.
Në përgjithësi nuk ishte dhe shumica e njerëzve ishin më të shqetësuar për probleme të tjera shëndetësore.
Dhe a e dinin ata se si mund ta merrnin virusin, ishte një pyetje tjetër.
Në këtë pikë të anketuarit kinezë ishin të mirëinformuar - gati 90 përqind identifikuan saktësisht tri rrugët kryesore të infektimit - marrëdhëniet seksuale pa përdorur prezervativ, gjilpëra të papastra, dhe kalimi nga nëna tek fëmija.
Por një e treta mendonte gabimisht se mund ta marrësh virusin duke përdorur një WC që është përdorur nga një i infektuar, dhe gati i njëjti numër mendonte se përdorimi i përbashkët i disa gjërave pesonale, si gotat apo peshqirët, mund të ndihmojë në përhapjen e virusit.
Në Kinë, tokja publike e duarve të Bill Klintonit me një person të infektuar ishte një mesazh i fuqishëm lidhur me mënyrën e përhapjes së virusit.
Rezultatet e plota të anketimit - që u bë në 15 vende - do të botohen të dielën e ardhshme si pjesë e programeve speciale të BBC-së lidhur me epideminë e SIDA-s dhe virusin HIV. |  |
|  | |