BBCAlbanian.comNews image
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Pas zgjedhjeve, vëmendja tek sfidat

Udhëheqësi i PDK-së Hashim Thaçi
Thaçi shpall fitoren në zgjedhje
Ndërsa nuk kanë dalë ende rezultatet zyrtare pas zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të ditës së shtunë në Kosovë udhëheqësit kosovarë hedhin sytë më tej tek sfidat që presin popullin e Kosovës.

Shumica e partive po përdorin të dhënat e anketës pas votimit të bërë nga aleanca e 11 organizatave joqeveritare "Demokracia në veprim", e cila ka publikuar rezultate të pjesshme të votimit.

Sipas anketës të bërë nga 2300 vëzhgues të saj në 1500 qendra votimi, në bazë të 90 për qind të të dhënave të përpunuara, në krye deri tani është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 34 përqind të votave.

Vëzhguesit lokalë thanë se në vend të dytë radhitet Lidhja Demokratike me 22 përqind, e ndjekur nga Aleanca Kosova e Re me 11.8 përqind, Lidhja Demokratike e Dardanisë 10.1 përqind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 9.6 përqind dhe ORA me 3.7 përqind.

Udhëheqësi i PDK-së Hashim Thaçi tha menjëherë pas zgjedhjeve se partia e tij kishte fituar shumicën në nivelin qendror dhe komunal.

Por Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se rezultatat e saj paraprake nuk përputheshin me ato të OJQ-ve.

Zëdhënësi Vehbi Miftari tha se partia e tij nuk dëshironte të nxitohej me dhënien e rezultateve.

 Do t'i bëhet një dëm shumë i madh procesit të pavarësimit të Kosovës, nëse Kosova më 10 dhjetor nuk i ka institucionet e veta, nuk e ka zërin vendimmarrës.
Agim Çeku, kryeministër i Kosovës

Thaçi shpall fitore

Rezultatet paraprake zyrtare të zgjedhjeve priten të jepen të hënën në mbrëmje nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Por udhëheqësi i PDK-së nuk ka pritur rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe as disponimin e partive të tjera për koalicion, por ka shpallur krijimin e qeverisë prej tij.

"Ky ishte vullneti i popullit të Kosovës," tha zoti Thaçi në një fjalim para mbështetësve të tij pas mbylljes së votimit.

"Uroj dhe përgëzoj qytetarët e Kosovës për fitoren e madhe që do të arrihet sot për demokracinë, për të ardhmen tonë të sigurt, për të ardhmen tonë në familjen evropiane të integruar në strukturat euro-atlantike, të ruajtjes dhe kultivimit të fqinjësisë së raporteve të shkëlqyeshme me SHBA-në," tha zoti Thaçi.

Të nxitohet me institucionet

Një ditë pas zgjedhjeve shefi i BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana, ka vlerësuar faktin që zgjedhjet në Kosovë përmbushën standartet ndrëkombëtare.

Por z. Solana ka shprehur shqetësim për pjesëmarrjen e ulët në votim, që sipas tij, 'reflekton në shkallë të gjerë paqënaqësi me elitën politike" dhe keqardhje për mospjesëmarrjen e serbëve në votim.

"Tani unë u bëj thirrje partive dhe udhëheqësve politikë që të lëvizin me shpejtësi drejt formimit të qeverisë," thuhet në deklaratën për shtyp të z. Solana.

"I bëj thirrje dhe Ekipit të Unitetit që të përfshihet në mënyrë konstruktive në fazën përfundimtare vendimtare të negociatave të Trojkës për Statusin e Kosovës dhe të mbështesë iniciativat e Trojkës".

Thirrje të ngjashme janë bërë dhe nga zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn bëri thirrje për "formim të shpejtë" të qeverisë së re.

Ai po ashtu u kërkoi udhëheqësve të rinj kosovarë që të "punojnë në mënyrë konstruktive" për arritjen e një zgjidhje të qendrueshme për statusin e Kosovës.

Edhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker i ka porositur udhëheqësit kosovarë që të ndërtojnë sa më shpejt institucionet e reja.

Këto institucione, tha ai, "i presin vendime të rëndësishme në javën dhe muajt e ardhshëm" kur pritet të përfundojë procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës.

'Të mos humbasim kohë'

Figurat kryesore politike të Kosovës, po ashtu kanë kërkuar që të mos humbet kohë në krijimin e institucioneve të reja.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se zgjedhjet në Kosovë janë një hap përpara drejt një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës.

"Kosova pikërisht në këtë periudhë hap një kaptinë të veçantë, atë që ka të bëjë me statusin politik të saj, që është objektivi ynë themelor, për të krijuar një jetë më të mirë të qytetarëve, për të krijuar një rehati të përgjithshme dhe prespektivën e të gjithëve në Kosovën e pavarur dhe sovrane," tha zoti Sejdiu.

Kryeministri Agim Çeku, i cili nuk ka marrë pjesë në garën për zgjedhje, ka bërë thirrje për krijimin e institucioneve që dalin nga këto zgjedhje.

"Më e rëndësishmja është që të përmbyllet sa më shpejt ky kapitull i zgjedhjeve dhe mos të humbin kohë për krijimin e institucioneve vendimarrëse në Kosovë, sepse na presin vendime të mëdha," tha zoti Çeku.

"Do t'i bëhet një dëm shumë i madh procesit të pavarësimit të Kosovës, nëse Kosova më 10 dhjetor nuk i ka institucionet e veta, nuk e ka zërin vendimmarrës," tha ai.

"Do të jetë e pajustifikueshme që në emër të një procesi demokratik të dëmtohet një process historik, pavarësimi i Kosovës," tha zoti Çeku duke u bërë thirrje partive politike të gjejnë sa më shpejt formulat e përshtatshme dhe të krijojnë institucionet.

Vazhdon numërimi

Numërohen votat për zgjedhjet në Kosovë
Partitë japin rezultate të ndryshme

Sipas të dhënave, në zgjedhjet e parlamentare dhe lokale në Kosovë kanë votuar pak më shumë se 40 për qind e votuesve.

Ndërsa udhëheqësi i PDK-së Thaçi deklaroi menjëherë fitoren e partisë së tij, partitë e tjera janë më të kujdesshme në dhënien e rezultateve.

LDK-ja ka deklaruar të dhëna të tjera për rezultatin e zgjedhjeve në nivel komunal dhe qendror.

Kreu i fushatës së zgjedhjeve të LDK-së, Fadil Ferati, thotë se rrjedha e zgjedhjeve ka qenë normale me pak incidente që nuk kanë prishur imazhin.

Ai thotë se numërimi i votave po ecën ngadalë dhe nuk kanë ende rezultate përfundimtare.

"Asnjë komunë nuk i ka numëruar të gjitha, kështu që nuk kemi rezultate përfundimtare," tha zoti Ferati.

AAK-ja thotë se ka pasur ngritje jo vetëm në nivelin komunal, por edhe në atë qëndror.

Zëdhënësi i AAK-së, Besnik Tahiri, tha duke komentuar rezultatet e organizatave joqeveritare "Demokracia në veprim" se ata duhet të jenë të kujdesshëm dhe këshilloi pritjen e rezultateve përfundimtare.

"Me Ramushin, në fillim të dhjetorit ne do të jemi edhe në qeverisje dhe do të kemi ngritje në të ardhmen e afërme," tha zoti Tahiri duke përmenduar udhëheqësin e AAK-së Ramush Haradinaj, i cili po gjykohet për krime lufte në Hagë.

"Ne jemi të kënaqur me procesin, Kosova e ka kaluar këtë test," tha ai.

Duket se partia më e re e biznesmenit Bexhet Pacolli, AKR, do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve, jo vetëm për shkak të fushatës dhe kundërthënieve që pati shkaktuar ajo, por edhe për rezultatin.

Sipas zëdhënësit të kësaj partie, Arber Geci: "Ne vazhdojmë të jemi mes partive kryesore në Kosovë dhe ky është një rast për të festuar AKR-në."

LOKALE
Kryetari i PDK-së shpall fitore në zgjedhje
17 nëntor 2007 | Faqja Kryesore
Zgjedhjet në Kosovë - Hap drejt Pavarësisë
18 nëntor 2007 | Faqja Kryesore
Serbia hedh poshtë propozimin e Ishingerit
17 nëntor 2007 | Faqja Kryesore
Zgjedhjet në Kosovë në fokus në Shqipëri
17 nëntor 2007 | Faqja Kryesore
Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet
17 nëntor 2007 | Rajoni
Votuesit drejt qendrave të votimit
17 nëntor 2007 | Rajoni
TË JASHTME
BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të jashtme të internetit
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>