BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E shtunë, 17 nëntor 2007 - 11:21 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Votuesit drejt qendrave të votimit
Ura e lumit Ibër, Mitrovicë (arkiv)
Në tri komunat serbe në veri janë hapur vendvotime lëvizëse.
Në Kosovë, vetëm gjatë orëve të paraditës kanë votuar 10 përqind e qytetarëve me të drejtë vote për zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme.

Tridhjetë e shtatë vendvotime të komunitetit serb janë hapur në të gjithë territorin.

Prishtina
Silvana Bardhi

Në Prishtinë, janë hapur 49 qëndra të votimit, për 160 mijë votues.

Shumica prej tyre nuk janë hapur me kohë pasi kutitë e votimit ende nuk ishin dërguar në vendvotime.

Me dhjetra qytetarë, në një nga qëndrat më të mëdha të votimit të kryeqytet, kanë pritur për të votuar.

Në Prishtinë, 21 subjekte politike garojnë për postin e Kryetarit të kryeqytetit dhe asamblenë komunale.

Rreth 3 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtare do të monitorojnë zgjedhjet.

Kutitë e votimit të cilat duhet t'u dërgoheshin rajoneve serbe janë lënë nën mbikqyrjen e Sh.P.K-së, pasi kanë deklaruar bojkot të zgjedhjeve.

Mbi 1 mijë forca policore të Sh.P.K-së, KFOR-it dhe policisë së UNMIK-ut do të jenë të angazhuar për sigurinë në vend.

Mitrovica
Violeta Hyseni

Nën presionin e Beogradit dhe udhëheqësve lokalë, serbët e Mitrovicës nuk kanë lejuar hapjen e qendrave të votimit në shkollat serbe në veri të qytetit.

OSBE-ja dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve kanë hapur një vendvotim në ndërtesën e komuniteteve në Lagjen e Boshnjakëve të banuar me popullatë të përzier.

Edhe në tri komunat serbe në veri të Kosovës, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq është pamundësuar shfrytëzimi i ndërtesave publike si qendra të votimit.

Atje janë hapur vendvotime lëvizëse.

Kutitë e votimit dhe materiali përcjellës janë vendosur në kamionë të OSBE-së.

Pritet që dalja në zgjedhje e serbëve në veri të Kosovës të jetë më e vogël në krahasim me pjesët tjera në vendit.

Incident në Zveçan

Një koktej molotovi u hodh të premten në mbrëmje në oborrin e një shtëpie serbe në Zveçan, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Sipas policisë mjeti shpërthyes u hodh në oborrin e shtëpisë së deputetes së Kuvendit të Serbisë, nga radhët e grupit parlamentar G17 plus, Stojanka Petkoviç.

Zonja Petkoviç ka qenë një nga zërat që kanë bërë thirrje për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës.

Prizren
Fadil Bytyci

Në qytetin e dytë për nga madhësia në kosovë, në Prizren, vendvotimet ishin hapur që nga ora 7.

Komisionet lokale zgjedhore dhe vëzhguesit janë parë në vendvotime që pa u hapur ato.

Nuk ka pasur njoftime për telashe apo incidente.

Në Prizren me rrethinë votojnë edhe pjesëtarët e minoritetit turk dhe boshnjak.

Gjilan
Fatmir Matoshi

Në Gjilan në orën shtatë janë hapur 62 vendvotime nga të cilat 17 janë lokalitete të banuara nga serbë.

Në rajonin e Gjilanit numërohen rreth 200 mijë votues të cilët do të votojnë për 11 subjekte politike, nga të cilat katër janë të komunitetit serb.

Zyrtarë të OSBE-së me ekipe lëvizëse nuk janë lejuar që të hapin shkollat në lokalitetet serbe.

Me gjithë apelet e faktorit ndërkombëtar në qytet por edhe të institucioneve të Kosovës drejtuar pakicës serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, serbët lokalë duke iu përgjigjur porosisë së Beogradit zyrtar kanë vendosur t'i bojkotojnë zgjedhjet.

Sipas Agim Kastratit, kryesues i komisionit Komunal Zgjedhor të Kamenicës, nga 17 vendvotimet në lokalitet serbe asnjëri nuk është hapur në ora shtatë të mëngjesit.

Në një nga vendvotimet në rajonin e Gjilanit, numër 1001/D deri në ora tetë të mëngjesit kanë votuar rreth 300 votues.

LOKALE
Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet
17 nëntor 2007 | Rajoni
Reagime në Shqipëri për zgjedhjet
17 nëntor 2007 | Rajoni
Interes në Maqedoni për zgjedhjet
17 nëntor 2007 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>