BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E shtunë, 17 nëntor 2007 - 12:17 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Partitë serbe kundër zgjedhjeve në Kosovë

Pamje nga Beogradi
Qëndrimet më të hershme të Beogradit zyrtar që serbët e Kosovës t'i bojkotojnë zgjedhjet parlamentare e lokale në Kosovë i kanë përsëritur edhe disa parti dhe zyrtarë tjerë serbë.

Nga ana e tij, Këshilli i Kuvendit të Serbisë për Kosovën u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos dalin në zgjedhjet parlamentare e lokale të 17 nëntorit të cilat, sikurse është theksuar, po i organizon qeveria e Kosovës.

Marko Jakshiq, anëtar i këtij Këshilli nga Partia Demokratike e Serbisë e drejtuar nga Vojisllav Koshtunica, ka thënë se serbët nuk kanë arsye të dalin në "zgjedhjet shqiptare" duke marrë parasysh paralajmërimin se Kuvendi i Kosovës pas 10 dhjetorit do ta shpallë pavarësinë.

 ...pjesëmarrja do tu jepte legjitimitet të ashtuquajturave institucione të cilat do ta shfrytëzonin këtë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Partia Socialiste e Serbisë

Ai ka nënvizuar se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të cilat do t'i organizojë Serbia.

Partia Socialiste e Serbisë u rekomandoi të premten serbëve të Kosovës që të mos dalin në zgjedhjet, siç thuhet, për institucionet e përkohshme të Kosovës sepse pjesëmarrja do t'u jepte legjitimitet të ashtuquajturave institucione të cilat do ta shfrytëzonin këtë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Kjo parti konsideron se serbët nuk guxojnë të dalin në zgjedhje edhe për faktin që nuk ka kushte elementare dhe të sigurisë për pjesëmarrjen e tyre në to kurse bashkësia ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë për respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit me të cilën do të sigurohej kthimi dhe jeta normale e disa qindra-mijëra serbëve dhe jo shqiptarëve të dëbuar nga Kosova.

Anëtari i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën dhe kryetar i Partisë Demokristiane të Serbisë, Vlladan Batiq, ka thënë se para se të diskutohet rreth pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e Kosovës, duhet të debatohet mbi kriminalitetin dhe korrupsionin e institucioneve lokale të Serbisë në Kosovë, për mjetet e mëdha që po shpenzohen nga buxheti i Serbisë, për kontrabandën e alkoolit dhe duhanit në Kosovë nga përfaqësuesit serbë.

Kurse funksionari i Partisë Radikale ultranacionaliste serbe, Ognjen Mihajloviq, ka theksuar se nuk do t'u bejë thirrje serbëve të dalin në "zgjedhjet vetëvrasësese sepse kjo do të ishte njohje e shtetit terrorist".

Qëndrimi i qeverisë serbe

Nënkryeministri i Serbisë, Bozhidar Gjeliq, e ka përsëritur qëndrimin e qeverisë se tani nuk është çasti optimal për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare e lokale në Kosovës.

 ...pa marrëveshje nuk ka zgjidhje të ardhshme të statusit dhe stabilitet në Ballkan
Dushan Prorokoviq

Kurse ministri i Tregëtisë, Perdrag Buballo, ka pyetur si mund të votojnë serbët kur duhet të kenë përcjellje ushtarake dhe nuk kanë kurrfarë sigurie e cila as pas shtatë vjet nuk iu është mundësuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Dushan Prorokoviq i Ministrisë serbe për Kosovën, ka thënë se zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovës do t'a shtyjnë procesin negociator sepse nuk mund të pritet që politikanët shqiptarë në të njejtën kohë të marrin sinqerisht pjesë edhe në negociata edhe në fushatën elektorale.

Zoti Prorokoviq ka vënë në dukje se negociatat mbi statusin duhen vazhduar edhe pas zgjedhjeve në Kosovë, sepse "pa marrëveshje nuk ka zgjidhje të ardhshme të statusit dhe stabilitet në Ballkan".

LOKALE
Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet
17 nëntor 2007 | Rajoni
Votuesit drejt qendrave të votimit
17 nëntor 2007 | Rajoni
Fillon votimi në zgjedhjet e Kosovës
17 nëntor 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>