|
Kryetari i PDK-së shpall fitore në zgjedhje | |||||||||||||||||||||||
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur fitore në zgjedhjet e 17 nëntorit, megjithëse rezultatet përfundimtare ende nuk janë konfirmuar. Zoti Thaçi tha se kjo ishte 'një ditë historike për Kosovën'. Ai ka premtuar se do të shpallë pavarësinë. Me herët ,vëzhguesit e pavarur thanë se Partia Demokratike e zotit Thaçi ishte më përpara ndërsa vazhdonin të numëroheshin votat. Zhvillimi i zgjedhjeve Pjesëmarrja në votime ka qenë më e ulët krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Analistët thonë se vëzhguesit do të jenë të kënaqur nëse shifra arrin në 40%. Megjithëse, votimi përfundoi në orën 19.00, disa qendra votimi ndenjën hapur edhe më vonë për ata që ishin në radhë. Shqiptarët shkuan në qendra votimi megjithë të ftohtin dhe borën. Por kjo gjë nuk mund të thuhet për serbët. Minoriteti serb i aftë për votim pothuajse i gjithi i bojkotoi zgjedhjet megjithë apelin ndërkombëtar për të marrë pjesë në zgjedhje. Duket se ata i kanë kushtuar vëmendje fjalëve të Beogradit për të bojkotuar votimet. Numërimi i votave pritet të zgjasë dy-tre ditë, pastaj do të formohet një qeveri që pritet të drejtojë Kosovën në atë që çdo kush pret të jetë periudhë e vështirë përpara. Ecuria gjatë ditës Deri në orët e para të pasdites së të shtunës përqindja ishte e ulët deri 24 përqind e qytetarëve të Kosovës. Problemet më të mëdha ndërkaq u shfaqën në vendbanimet me shumicë serbe, ku një pjesë e vendvotimeve nuk janë hapur fare. Numri më i vogël i pjesëmarrjes në zgjedhje u shënua në veri të Kosovës, ku nuk është lejuar hapja e vendvotimeve në objektet shkollore. Ekipet e KQZ hapën qendra votimi mobile në këtë pjesë të Kosovës. Ndërkohë, kryeshefi i komisionit të zgjedhjeve Mazllum Baraliu ka thënë se numri më i madh i votuesve është shënuar në një nga qendrat votuese në Gllogoc të Drenicës, ndërkaq numri më i vogël në Mitrovicë. Shefi i misionit të OSBE-së, Tim Guldiman, ka deklaruar se është pjesë e demokracisë pjesëmarrja ose jo në zgjedhje, por ka shtuar se është i kënaqur se në këto zgjedhje nuk ka pasur asnjë incident i cili mund të pengonte procesin. "Qendrat serbe të votimit janë hapur edhe me ndihmën e vetë komunitetit serb. Ne vazhdojmë të përsërisim idenë e pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje, ndonëse nuk është e lehtë, tani pas deklarimeve të Beogradit zyrtar, për bojkotim", ka thënë Guldimann. Ai ka shtuar se edhe pse shihet një pjesëmarrje e ulët e votuesve, nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve. Në të gjithë Kosovën, numërohen rreth 557 qendra të votimit nga të cilat 54 janë hapur për komunitetin Serb. Vlerësimet e vëzhguesve ndërkombëtarë Vëzhguesit ndërkombëtarë ndërkaq kanë thënë se procesi i zgjedhjeve në orët e para të ditës ishte i rregullt dhe u zhvillua normalisht. Fransua Charlier, zëdhënës i Këshillit të Evropës, që po vëzhgon zgjedhjet ka deklaruar se misioni vëzhgues do të bëjë publik raportet e para që ditën e diel… "Po presim 75 ekipet tona që janë shpërndarë në gjithë Kosovën që të dërgojnë raportet e tyre. Ata do të raportojnë pasi t'i kenë vizituar vendvotimet. Ekipi në të cilin kam qenë unë ka vizituar vendbanimet e përziera siç është Graçanica ku kemi parë se vendvotimi është hapur dhe ku popullata lokale po merrte pjesë në votime. Gjithashtu kemi parë të njëjtën gjë edhe në Obiliq, ku jeton komuniteti rom dhe ku po zhvillohej votimi. Edhe atje kemi parë votues të kenë marrë pjesë në votime", ka thënë Charlier. Pjesëmarrja në Mitrovicë Ashtu siç pritej, serbët në veri të Kosovës kanë bojkotuar zgjedhjet parlamentare dhe ato komunale, thotë korrespondentja e BBC në Mitrovicë, Violeta Hyseni. Deri në orën 15.00, asnjë serb nuk kishte votuar në veri të Mitrovicës, duke iu bindur kështu thirrjeve të Beogradit për bojkotim të zgjedhjeve në Kosovë. Një vendvotim u hap për serbët e veriut të Mitrovicës në Lagjen e Boshnjakëve të banuar me popullatë të përzier, ndërsa nuk është lejuar hapja e më shumë qendrave të votimit në objektet shkollore në këtë pjesë të qytetit. "Nuk duam të votojmë, do të bëjmë ashtu si na thotë Serbia", tha Igor Milosavleviq. "Nuk duhet të votojmë, ashtu na kanë thënë udhëheqësit tanë", tha një tjetër qytetar serb. Zgjedhjet e Kosovës janë bojkotuar edhe në tri komunat serbe në veri të Kosovës, ku OSBE-ja kishte hapur vendvotime lëvizëse të vendosura në kamionë. Në Leposaviq deri në orën 15.00 kishte votuar vetëm një qytetar serb, ndërsa në Zveçan dhe në Zubin Potok kutitë e votimit kanë mbetur bosh. Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook ka vizituar vendvotimet në veri të Kosovës dhe është shprehur i zhgënjyer me mospjesëmarrjen e serbëve të kësaj ane në zgjedhje. "Jam shumë i zhgënjyer, unë jam njeri optimist dhe kam shpresuar që përkundër retorikës dhe presioneve, ndoshta do të kemi pjesëmarrje të serbëve. Mendoj se është shumë pikëlluese që serbët nuk po votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në këtë fazë kritike për Kosovën", tha z.Schook. Veriun e Mitrovicës e ka vizituar në mëngjes edhe shefi i Misionit të OSBE-së, Tim Guldiman. "Jam shumë i lumtur që patëm mundësinë të hapim vendvotimet në veri të Kosovës, tani do të shohim sa njerëz do të paraqiten për të votuar", deklaroi z.Guldiman Ndërkohë në pjesën jugore të Mitrovicës deri në orën 18.00, në zgjedhje kishin dalë rreth 33 përqind e votuesve. Paraqitja në Gjilan Në rajonin e Gjilanit, njofton korrespondenti i BBC, Fatmir Matoshi është votuar edhe përkundër motit të ftohtë e me shi. Serbët e këtij rajoni i kanë bojkotuar zgjedhjet sipas porosisë së Beogradit zyrtar. Ekipet lëvizëse të OSBE-së ishin të pranishme nëpër lokalitetet serbe për t'i ofruar mundësinë këtij komuniteti për të votuar. Shefi i Komisionit Komunal të zgjedhjeve në Gjilan, Ferid Shabani i tha BBC se deri në ora 12 në zgjedhje kishin marrë pjesë vetëm 18 % e votuesve gjilanas. Në Dardanë kanë njoftuar se deri në ora 14 votuan rreth 30 % të votuesve. Ndërkohë që disa ankesa kanë arritur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve rreth sjelljeve jo të mira të disa aktivistëve të PDK-së në fshatin Koretin. Edhe në Dardanë, serbët i kanë bojkotuar këto zgjedhje dhe deri në ora 14.00 në vendvotimin e serbëve në qytet kishin votuar vetëm dy serbë. Nga Komisioni Komunal i zgjedhjeve në komunën e Novo Bërdës e banuar me shumicë serbe është njoftuar se deri në ora 13 kanë votuar 495 votues nga 2914 sa ka gjithsej kjo komunë , edhe në Novo Bërdë të gjithë votuesit janë shqiptarë , ndërsa serbët po i bojkotojnë zgjedhjet. Pjesëmarrja në Prizren Deri në orën 16 në rajonin e pesë komunave të rajonit të Prizrenit, thotë korrespondenti ynë në Prizren, kishin dalë rreth 40 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhje. Nysret Bytyqi, kryetar i komisionit komunal zgjedhor në komunën e Prizrenit ka thënë se procesi i votimit po kalon pa asnjë problem, ndërkohë që në zonat e banuara me serb sipas tij nuk ka pasur votues. Në komunat e Suharekës, Rahovecit, Dragashit dhe Malishevës procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht, ndonëse zyrtarët komunalë të zgjedhjeve kanë theksuar se fluksi i votuesve nuk është shumë i madh. Qytetarët që kanë votuar janë shprehur se pas këtyre zgjedhjeve presin që të vijnë njerëz të cilët do të punojnë me shumë për përmirësimin e jetës së tyre. Ata thonë se këto zgjedhje janë të rëndësishme edhe për faktin se procesi i zgjidhjes se statusit të Kosovës është në pjesen finale të tij dhe se këto zgjdhje duhet të sjellin njerëz të cilët do punojnë për një qeverisje demokratike. | LOKALE Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet 17 nëntor 2007 | Rajoni Serbia hedh poshtë propozimin e Ishingerit17 nëntor 2007 | Faqja Kryesore Zgjedhjet në Kosovë në fokus në Shqipëri17 nëntor 2007 | Faqja Kryesore Interes në Maqedoni për zgjedhjet17 nëntor 2007 | Rajoni Ruecker vlerëson fushatën parazgjedhore 16 nëntor 2007 | Faqja Kryesore Kosova voton të shtunën14 nëntor 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||