BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 16 nëntor 2007 - 06:40 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Ruecker vlerëson fushatën parazgjedhore
Joachim Ruecker
Ruecker hedh poshtë thirrjen e serbëve për bojkotim
Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Joachim Ruecker, i ka deklaruar BBC-së se procesi parazgjedhor ka treguar pjekurinë e demokracisë në Kosovë.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 Nëntorit, për të legjitimuar, siç ka thënë, udhëheqjen e re të institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

Zoti Ruecker e ka cilësuar si të papranueshme thirrjen e disa udhëheqësve serbë të Kosovës dhe të zyrtarëve të Beogradit për bojkotim të zgjedhjeve në Kosovë dhe ka shfaqur besimin e tij se komuniteti serb do ta shfrytëzojë mundësinë që të vendosë për të ardhmen e tij.

 Deri tani kemi parë një fushatë të pjekur dhe një proces shumë të pjekur. Pres një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve ditën e shtunë...
Joachim Ruecker

Joachim Ruecker ka thënë se zgjatjet e procesit të statusit ose shtyrjet e mëtejme, mund të luajnë në letrat e ekstremistëve të të dyja palëve.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Ruecker dhe i kërkoi në fillim të jepte një vlerësim të gjendjes së përgjithshme në Kosovë.

Ruecker: Deri tani kemi parë një fushatë të pjekur dhe një proces shumë të pjekur. Pres një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve ditën e shtunë, për të legjitimuar udhëheqjen e Kosovës në institucionet legjitime si dhe të rilegjitimojnë Kuvendin e ri të Kosovës. Gjithashtu pres rilegjitimimin e udhëheqjes lokale në komuna dhe të Kuvendeve komunale.

BBC: Pra, ju e vlerësoni se ky është një test demokratik për Kosovën dhe për kosovarët?

Ruecker: Po por ajo që kemi parë deri tash mendoj se çdo gjë po shkon mirë dhe po tregon se kjo demokraci është pjekur.

BBC: Kur ju pyeta për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë e bëra për shkak të zërave që po vijnë nga grupe të ndryshme, të ashtuquajtura paramilitare. Mendoni se këto forca mund të kenë ndikim mbi zgjedhjet dhe pas tyre?

Ruecker: Për një kohë të gjatë kam thënë se zgjatjet në procesin e statusit, si psh shtyrjet e mëtejme, mund të luajnë në letrat e ekstremistëve të të dyja palëve. Ka natyrisht ekstremistë nga të dyja palët që do të donin të shfrytëzonin situatën për të shtyrë qëllimet e tyre. Mendoj se ne të gjithë jemi vigjilentë, përfshirë policinë, KFOR-in dhe besoj se ekstremistët nuk do të kenë sukses.

BBC: Pra, ju jeni shumë optimistë se këto zgjedhje do të jenë të qeta dhe se do të përmbushin standardet ndërkombëtare?

Ruecker: Po, ne kemi mijëra vëzhgues këtu dhe ky është një proces transparent dhe demokratik. T'ua lëmë gjykimin vëzhguesve, por jam i bindur se do të kemi zgjedhje të lira dhe të drejta në Kosovë ashtu siç i kemi patur edhe në të kaluarën.

BBC: Zoti Ruecker ju tani po përballeni me mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje, që duket se do t'i binden këshillave të Beogradit për t'i bojkotuar ato. Pra, ku janë tani serbët e Kosovës?

 Para së gjithash është një lajm i mirë se tani kemi një numër më të madh të subjekteve dhe të partive politike serbe që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje.
Joachim Ruecker

Ruecker: Para së gjithash është një lajm i mirë se tani kemi një numër më të madh të subjekteve dhe të partive politike serbe që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje. Dhe ky numër është më i madh se kurdoherë më parë. Është një interesim i komunitetit serb që të marrë të ardhmen e tij në duart e tyre dhe, për sa mund të thuhet, që ta emancipojnë vetveten nga ndikimi i Beogradit. Mendoj se ky është një lajm i mirë për këto zgjedhje.

Por është e vërtetë se kemi dëgjuar për thirrjet për bojkotim që vijnë njëkohësisht nga disa udhëheqës të serbëve të Kosovës dhe nga zyrtarët e Beogradit. Është e papranueshme që të ketë thirrje për bojkot për institucione legjitime sipas Rezolutës 1244. Unë shpresoj se komuniteti serb do ta shfrytëzojë këtë mundësi që të vendos për të ardhmen e tij, sepse kjo ka të bëjë me ta. Nëse ata i bojkotojnë zgjedhjet nuk do të lëndojnë shumicën shqiptare dhe as bashkësinë ndërkombëtare, por para së gjithash do ta lëndojnë veten dhe shumica e kanë kuptuar këtë.

BBC: A do ta shfrytëzoni të drejtën tuaj si Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm, që në rast të bojkotimit të zgjedhjeve, të emëroni vetë njerëz nga komuniteti serb në komunat ku ata përbëjnë shumicën?

Ruecker: Mendoj se pyetja nuk i përshtatet të tashmes. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të marrin pjesë në zgjedhje dhe kjo pyetje nuk i përshtatet shumë ditës kur po flasim.

BBC: Ju e keni thënë edhe më parë se dy proceset ai i zgjedhjeve dhe i statusit nuk po pengojnë njëra-tjetrën. Ndani të njëjtin mendim edhe sot?

Ruecker: Po. Në konsultimet tona me vendimmarrësit, dhe në vendimin tonë për mbajtjen e zgjedhjeve, që është bërë sipas ligjit, ne gjithnjë kemi qenë të qartë se duam dy procese paralele, atë të statusit dhe që procesi i zgjedhjeve të jetë krejtësisht tjetër. Zgjedhjet nuk mund te jenë pretekst për shtyrje të reja të statusit dhe kjo nuk ka ndodhur. Unë jam i kënaqur që ne kemi arritur të mbajmë këto procese të ndara nga njëri tjetri.

BBC: Dhe ju po e prisni 10 Dhjetorin natyrisht?

Ruecker: Natyrisht se 10 Dhjetori do të jetë një ditë shumë e rëndësishme sepse shënon fundin e periudhës aktuale të angazhimit.

BBC: Por çka nëse Kuvendi i Kosovës, natyrisht i riu, do të vendosë që ta shpallë pavarësinë e Kosovës?

Ruecker: Me vjen keq por ashtu si prisni ju unë nuk do të spekulloj se çfarë do të ndodhë pas 10 Dhjetorit. Mendoj se do të duhej t'i japim hapësirën e nevojshme periudhës së angazhimit që e ka filluar Treshja dhe do të duhej të shpresojmë se do të ketë një zgjidhje. Nëse jo do ta kalojmë urën atëherë kur t'i afrohemi asaj.

BBC: Pra rezultati mund të jetë i ditur, ashtu si keni deklaruar disa herë pas ofrimit të raportit të presidentit Ahtisaari?

Ruecker: Në pranverë kemi patur propozimin e Ahtisaarit që është miratuar nga sekretari i përgjithshëm dhe ne të gjithë kemi menduar se kjo është një rrugë e mirë përpara. Unë ende vazhdoj të besoj kështu. Tani ne duhet t'i japim shans procesit të Treshes deri në fund.

TË JASHTME
BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të jashtme të internetit
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>