BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 14 nëntor 2007 - 10:06 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kosova voton të shtunën

Koti votimi, Kosovë
Në regjistrat e votimit ka rreth një million e gjysmë votues.
Kosova voton të shtunën për deputetët e parlamentit, asambletë komunale dhe kryetarët e kumunave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se janë akredituar disa mijëra vëzhgues duke përfshirë këtu edhe 150 vëzhgues të Këshillit të Evropës.

Drejtues të ekipit vëzhgues të Këshillit të Evropës i kanë këshilluar vëzhguesit e tyre, që të mos përzihen në asnjë situatë parregullsie në procesin e votimit, madje as më këshillat e tyre.

Vëzhguesit e Këshillit të Evropës janë në Kosovë vetëm për të vëzhguar dhe asgjë më shumë, janë shprehur drejtues të misionit vëzhgues të zgjedhjeve.

Janë rreth 1 milion e 500 mijë votues, prej të cilëve 160 mijë votues të rinj të cilët do të zgjedhin parlamentin, kryetarët e komunave dhe asambletë komunale.

Fillon heshtja zgjedhore

Fushata e shkurtër elektorale prej gjithësej tri javësh ka bërë që strukturat dhe kandidatët të zbrazin edhe plumbat e fundit, para heshtjes zgjedhore që fillon të enjten në mesnatë.

Zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se procedurat e votimit mbeten të komplikuara dhe se koha mesatare për votim të një personi është rreth 9 minuta.

Për këtë qëllim do të ketë rreth 620 qendra me mbi 3200 vendvotime.

Kutitë e votimit do të jenë të hapura gjatë gjithë ditës dhe sigurinë gjatë procesit të votimit do ta mbajnë policia dhe trupat paqëruajtëse të NATO-s.

Komandanti i KFOR-it ka deklaruar se KFOR-i, polica e UNMIK-ut dhe SHPK-ja do të jenë përgjegjës për sigurinë në ditën e votimit.

Fushata ka kaluar kryesisht e qetë, megjithëse ka pasur shenja nervoze tek udhëheqësit e disa partive.

Në zgjedhjet e së shtunës, pothuajse është e sigurt se nuk do të marrin pjesë pjesa dërmuese e elektoratit serb.

Kjo pas udhëzimeve të qarta të qeverisë së Beogradit, për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve.

Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare të Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit e para kishte dalë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila e ka udhëhequr vendin për më shumë se tre vjet, së bashku me partnerin e koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

LOKALE
Zgjedhjet pa 'probleme teknike'
29 tetor 2007 | Rajoni
TË JASHTME
BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të jashtme të internetit
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>