|
Zgjedhjet pa 'probleme teknike' | |||||||||||||||||||||||
Kur kanë mbetur më pak se tre javë deri në ditën e zgjedhjeve qëndrore dhe atyre lokale në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thotë se votuesit nuk do të ballafaqohen me probleme teknike, me gjithë mënyrën e ndërlikuar të votimit. Zëdhënësi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Arianit Osmani, në një intervistë për BBC-në, tha se lista e votuesve është kompletuar tashmë dhe gjatë javës pritet të dihet saktë numri i qytetarëve që do të kenë të drejtë për të votuar. Sipas tij ky numër është rreth 1,5 milionë votues, prej të cilëve rreth 160,000 do të votojnë për herë të parë. Votuesit në zgjedhjet e 17 nëntorit do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës, kuvendet komunale si dhe kryetarët e komunave. Për herë të parë do të votohet me lista të hapura. Për shkak të mënyrës së ndërlikuar të votimit numri i qendrave të votimit dhe vendvotimeve është rritur në krahasim me zgjedhjet e fundit në vitin 2004. Në këto zgjedhje do të ketë 621 qendra të votimit me mbi 3250 vendvotime. Në garë për të marrë pushtetin qendror dhe lokal hyjnë 97 subjekte të të gjitha komuniteteve. Korrespondentja e BBC-së në Prishtinë, Violeta Hyseni, bisedoi se zëdhënësin e Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve, Arianit Osmani. BBC: Zoti Osmani, si e shikon KQZ-ja fillimin e fushatës zgjedhore, e cila hyn të hënën në ditën e katërt të saj? Arianit Osmani: KQZ-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet që të kemi një fushatë të rregullt zgjedhore, duke përpiluar disa rregulla zgjedhore që kanë të bëjnë drejpërdrejt me fushatën. Këtu sidomos kam parasysh rregullën për fushatën zgjedhore, e cila parashikon periudhën kur do të zhvillohet fushata zgjedhore dhe cakton disa rregulla që subjektet politike duhet t'i përmbahen. Sigurisht KQZ-ja e monitoron në aspektin pasiv këtë fushatë dhe ne presim që subjektet politike ta përfillin këtë rregull, t'i përfillin edhe rregullat tjera. Është fjala për rregullën për kufizimin e shpenzimeve për marketing politik gjatë fushatës dhe për rregullën për mediat gjatë fushatës zgjedhore. Do të thotë ne presim që të gjitha palët në proces të sillen komfort këtyre rregullave dhe eventualisht nëse do të ketë ndonjë shkelje, kompetent për t'i shqyrtuar këto ankesa që mund të vijnë nga palët është Komisioni i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa. BBC: Zoti Osmani tani kur kanë mbetur më pak se tri javë deri në ditën e zgjedhjeve, në aspektin teknik sa është e përgatitur KQZ-ja për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, a jeni në kohë? Arianit Osmani: Përgatitjet janë në një fazë të avancuar. KQZ është çdo ditë e angazhuar për të përfunduar të gjitha aspektet teknike që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve. Të premtën në mbledhjen e fundit që kishte KQZ-ja është miratuar edhe rregulla zgjedhore për qendrën e numërimit të votave dhe rezultateve. Me këtë rregull kompletohet i gjithë legjislacioni zgjedhor që mundëson organizimin e zgjedhjeve. Tani kanë mbetur vetëm aspekte teknike. Në mbledhjen e fundit është miratuar vendimi për emërimin e këshillave të vendvotimeve, që është po ashtu një element i rëndësishëm në këtë proces. Domethënë KQZ-ja punon vazhdimisht në mënyrë që më 17 nëntor gjithçka të jetë në vendin e vet dhe që votuesi të dalë të votojë pa ndonjë problem teknik. BBC: Zoti Osmani, a është gati lista e votuesve dhe sa kosovarë do të kenë të drejtën e votës? Arianit Osmani: Procesi i konfirmimit dhe sfidimit të listës së votuesve ka përfunduar të shtunën, kështu që lista duhet të jenë finale por për shkak të vikendit. Ne ende nuk e kemi listën e saktë, por supozohet se kemi të bëjmë me një shifër prej më shumë se 1.5 milionë votues, prej të cilëve mbi 160 mijë janë votues të rinj dhe sigurisht shifrat e sakta do të dihen gjatë javës. BBC: Duke pasur parasysh se do të votohet për deputetët e Kuvendit të Kosovës, për këshilltarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët e komunave, sa është paraparë të jetë numri i qendrave të votimit dhe vendvotimeve? Arianit Osmani: Qendra të votimit do të ketë sivjet me shumë se sa në zgjedhjet e kaluara, rreth 11 përqind më shumë, numri total është 621 qendra të votimit në raport me 570 sa kanë qenë në zgjedhjet e vitit 2004. Njëkohësisht janë rritur edhe vendvotimit për 35 përqind, do të ketë mbi 2.300 vendvotime në gjithë Kosovën, duke zbritur numrin e votuesve në një vendvotim nga 1.000 sa ka qenë në zgjedhjet 2004 në 750. Sigurisht këto do të kontribuojnë që më pak votues të ketë në rradhë, më pak votues në një vendvotim do të thotë që ata do të procesohen më shpejt dhe duke pasur parasysh që do të jenë tri palë zgjedhje, mendoj se kjo do të jetë një ndihmesë për votuesit që të mos presin në radhë. KQZ-ja shpreson që votuesi që do të dalë në zgjedhje do të mund të informohet lidhur me procedurat e votimit dhe kjo do të bëhet ndërkohë. Është një fushatë për informimin publik në realizim e sipër, e cila gjatë javëve në vijim do të fokusohet në këto elemente, që votuesi ta kuptojë mirë procedurën e votimit, që në ditën e zgjedhjeve atij kjo punë të mos i marrë shumë kohë. BBC: Ka pasur vërejtje nga personat e verbër se nuk janë plotësuar kushtet e duhura që ata të dalin në zgjedhje. Si do të votojë kjo kategori e qytetarëve dhe personat me aftësi të kufizuara? Arianit Osmani: Edhe në këto zgjedhje do të votohet siç është votuar në zgjedhjet e kaluara, do të ketë votim me asistencë. Për personat e verbër dhe për personat që kanë probleme me të pamur, është paraparë që ata të zgjedhin një person të cilit ata i besojnë, në mënyrë që ai t'u ndihmojë në plotësimin e fletëvotimit. Sigurisht që më mirë do të ishte që votuesit e verbët dhe ata me pamje të dobësuar të kishin mundësi të votonin përmes alfabetit të Braille-it (Brejllit), por për shkak të kohës së shkurtër, listave të hapura si dhe për shkakun që do të jenë tri palë zgjedhje, do të thotë një vëllim i madh i letrave dhe punëve, ka pamundësuar këtë. BBC: Z.Osmani, disa subjekte politike kanë reaguar për mënyrën e votimit përmes postës për qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës. A mbetet në fuqi kjo mënyrë e të votuarit për ata që jetojnë në diasporë dhe për serbët që jetojnë në Serbi e Mal të Zi? Arianit Osmani: Votimi përmes postës është një rregull që e ka miratuar Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve, kjo rregull është ende në fuqi. I gjithë informimi publik dhe të gjitha procedurat administrative lidhur me këtë mënyrë të votimit kanë përfunduar tashmë dhe unë nuk mendoj që kjo mund të ndryshojë, por sigurisht ka struktura tjera që mund të vendosin këtë apo atë formë. Për momentin kjo mënyrë e votimit është ende në fuqi dhe votuesit do të kenë mundësi të votojnë me postë. | LOKALE Kosovë - zgjedhjet 200723 tetor 2007 | Analiza Fillon fushata zgjedhore në Kosovë25 tetor 2007 | Rajoni Bisedimet e Vjenës përfundojnë me dallime23 tetor 2007 | Rajoni Thirrje për serbët të votojnë në Kosovë18 tetor 2007 | Rajoni Dita e fundit për dorëzimin e listave12 shtator 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||