|
Thirrje për serbët të votojnë në Kosovë | |||||||||||||||||||||||
OSBE-ja dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve kanë apeluar për pjesëmarrje masive të qytetarëve në zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë. Rreth një milion e gjysmë qytetarë të Kosovës do të kenë të drejtë të votojnë më 17 nëntor për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionet qëndrore, në asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Tim Guldimann ka thënë se këto zgjedhje, të cilat mbahen paralelisht me procesin e zgjidhjes së statusit, janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. "Këto zgjedhje u ofrojnë mundësinë qytetarëve të të gjitha komuniteteve të marrin pjesë në procesin politik, prandaj unë u apeloj të gjithë qytetarëve dhe të gjitha organizatave të bëjnë krejt çka është e mundur për të siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe në këto zgjedhje, sepse kjo është mënyra e vetme që ata të jenë aty ku do të vendoset për fatin e tyre," tha zoti Guldimann. Thirrja e autoriteteve në Kosovë drejtuar qytetarëve të të gjitha komuniteteve për të marrë pjesë në zgjedhje bëhet pak ditë pasi qeveria e Serbisë deklaroi se nuk ka kushte për pjesëmarrje të serbëve në zgjedhjet e Kosovës. Dy nga subjektet më të mëdha të serbëve në Kosovë, Lista Serbe për Kosovë e Metohi dhe Këshilli Nacional Serb kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë zgjedhjet e 17 nëntorit, ndërsa disa subjekte më të vogla serbe kanë thënë se do të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Serbët kundër Njëri nga drejtuesit e Këshillit Nacional Serb për Kosovën, Dragan Veliq, shprehet kundër pjesëmarrjes së komunitetit serb në zgjedhje. "Për ne do të ishte e dëshirueshme që përfaqësuesit e serbëve të zgjidhen në mënyrë të ligjshme dhe të jenë legjitim në mbrojtjen e interesave të serbëve duke zbatuar politikën shtetërore serbe," tha zoti Veliq. "Pasi kjo nuk ka ndodhur, ne jemi për atë që të mos dilet në zgjedhje," thotë zoti Veliq. Sipas tij serbët në Kosovë janë të përçarë dhe si të tillë nuk mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë. "E dimë që serbët janë një pakicë mjaft e madhe në numër, kurse në një proces të tillë ne sigurisht që nuk do të mund t'i zgjedhim përfaqësuesit tanë relevantë dhe as që do të mundemi që në këtë formë t'i mbrojmë të drejtat dhe interesat tona," thotë zoti Veliq, i bindur se nuk duhet marrë pjesë në zgjedhje. Kreu i OSBE-së në Prishtinë Guldiman ka deklaruar se çështja e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e 17 nëntorit është politizuar. Ai tha se Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së ka vizituar pak ditë më parë Beogradin, në përpjekje që të sigurojë mbështetjen e autoriteteve serbe për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje. "Është problem politik dhe ne po bëjmë krejt çka është e mundur që sa më shumë serbë të marrin pjesë në këto zgjedhje, sepse ne jemi të bindur se vetëm me pjesëmarrje, komuniteti serb do të jetë aty ku në të ardhmen do të vendoset për fatin e tij," tha ambasadori Guldimman. Kryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka thënë se do të hapen vendvotime në të gjitha vendbanimet serbe në Kosovë, ndërsa serbët që jetojnë në Serbi apo Mal të Zi, mund të votojnë përmes postës. "Ne jemi shumë të interesuar që edhe komuniteti serb të marrë pjesë aktive në zgjedhje dhe ne edhe brenda Kosovës do t'i bëjmë të gjitha dhe do t'i realizojmë të gjitha detyrat tona që t'iu mundësojmë qytetarëve pa dallim në të gjitha viset e Kosovës që të dalin në zgjedhje në ditën e votimit," tha zoti Baraliu. Në ditën e zgjedhjeve në Kosovë do të jenë të hapura mbi 2,200 vendvotime, apo rreth 35 përqind më shumë se sa kishte në zgjedhjet e fundit. Numri i vendvotimeve është rritur për shkak të procedurave të komplikuara të votimit. Për herë të parë do të aplikohet sistemi me lista të hapura dhe qytetarët do të votojnë për të zgjedhur deputetët e Kuvendit, këshilltarët komunalë dhe kryetarët e komunave. OSBE-ja dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve kanë përjashtuar mundësinë që votimet të zgjasin dy ditë. Në zgjedhjet e 17 nëntorit do të marrin pjesë 97 subjekte politike të të gjitha komuniteteve. Zgjedhjet do të mbahen paralelisht me procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Udhëheqësit kosovarë dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë lënë të hapur mundësinë që ato të shtyhen nëse e pengojnë procesin e statusit. Steven Schook, zëvendësshef i UNMIK-ut, thotë se nuk do të lejohet që zgjedhjet të ndërhyjnë në mënyrë negative në procesin e statusit. "Por unë jam i shqetësuar që të gjitha punët duhet të kryhen para 10 dhjetorit, duhet të formohet qeveria dhe duhet të konstituohet Parlamenti," tha zoti Schook. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka thënë se nuk do të lejohet që për shkak të zgjedhjeve të ketë shtyrje të statusit. "Kosovarët janë të gatshëm të ecin në të dy proceset paralelisht," thotë zoti Sejdiu. "Nëse do të ndodhë që mund të vlerësohet që ky proces të zhagitet për shkak të procesit të zgjedhjeve ne e kemi formulën, statusit i subordinohen të gjitha proceset," tha presidenti Sejdiu. | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza Veton Surroi për takimin e Brukselit15 tetor 2007 | Rajoni Trojka diskuton për Kosovën14 tetor 2007 | Faqja Kryesore Ekipi i Unitetit pesimist për takimin e Brukselit12 tetor 2007 | Rajoni Petersen për bisedimet për Kosovën12 tetor 2007 | Rajoni Franca dhe Rusia për statusin e Kosovës11 tetor 2007 | Rajoni Sejdiu optimist për pavarësinë10 tetor 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||