|
Veton Surroi për takimin e Brukselit | |||||||||||||||||||||||
Në një deklaratë të lëshuar pas takimit në Bruksel nga ndërmjetësit ndërkombëtarë thuhet se Beogradi ka sqaruar më tej propozimet e tij për autonominë e Kosovës brenda Serbisë, ndërsa Prishtina e ka elaboruar propozimin e saj për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet dy shteteve të pavarura, si dhe zbatimin e plotë të të drejtave të pakicave. Anëtari i Ekipit Negociator të Kosovës, Veton Surroi në një intervistë për BBC-në, ka përjashtuar mundësinë që Treshja të bëjë ndonjë propozim për statusin e Kosovës. Korrespondentja e BBC-së në Prishtinë, Violeta Hyseni, bisedoi me zotin Surroi. BBC: Zoti Surroi, çfarë doli nga takimi i Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit? Veton Surroi: Ajo që ishte evidente ishte se projekti ynë ishte projekt, i cili shikon në ardhmërinë, ndërsa projekti i Beogradit ishte projekt parastatusor, ishte projekt i viteve të kaluara. U përpoqëm megjithatë që të ndërtojmë disa pika mbi ardhmërinë e Kosovës, të cilat do të mund të identifikoheshin si pika bashkëpunimi. Në fund të krejt kësaj doli një seri rekomandimesh, jo rekomandimesh por vlerësimesh të Treshes, të cilat do t'i shqyrtojmë në Vjenë javën e ardhshme. BBC: Për çfarë rekomandimesh bëhet fjalë zoti Surroi? Veton Surroi: Nuk janë rekomandime, janë vlerësime të asaj se çka kanë kuptuar ndërmjetësit nga takimet tona të deritanishme. BBC: Dhe a ka diçka të përbashkët nga qëndrimi i palës kosovare dhe asaj serbe në negociatat e deritanishme? Veton Surroi: Po, për shembull ndonëse jemi nga këndvështrime të ndryshme, e përbashkët është se Beogradi nuk mund të sundojë në Kosovë dhe kjo çështje duhet të shtjellohet më tutje, e përbashkët është se Beogradi nuk mund të kthejë çfarëdo forme të administratës së vet, pranisë së vet fizike në Kosovë. E përbashkët është se synojmë një perspektivë evropiane natyrisht, ne si shtet i pavarur, ata (serbët) në një model tjetër, por këto janë çështje që do shqyrtuar. Është shumë e qartë se dallimet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe për sa na përket neve, natyrisht i mbetet Beogradit të shikojë, të rivlerësojë se a don të bashkangjitet në një projekt të ardhmërisë, apo dëshiron të mbetet në pikat e së kaluarës. BBC: Zoti Surroi një takim i radhës ndërmjet palëve do të mbahet javën e ardhshme në Vjenë. A pritet që në këtë takim Treshja ndërmjetësuese të dalë me ndonjë propozim konkret për të dyja palët? Veton Surroi: Mandati i Treshes nuk është për të dhënë propozime, mandati i Treshes është për të vlerësuar, për të sajuar mundësinë e afrimit dhe këto janë përafërsisht ato që i ka mandat treshja. BBC: A është përmendur në takimin e Brukselit mundësia e mbajtjes së një konference të ngjashme për Kosovën me atë të Dejtonit për Bosnjën, siç është spekuluar kohëve të fundit në media? Veton Surroi: Jo, dhe siç e dimë nuk kemi të bëjmë me konferencë, as me gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në çfarëdo konference, e cila do të kishte si mandat të vetin përcaktimin e statusit nëpërmjet diktatit. Kjo është absolutisht e papranueshme. BBC: Zoti Surroi pas dy raunde të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të mbajtura me ndërmjetësimin e treshes ndërkombëtare, sipas jush a ka shenja se palët mund të arrijnë ndonjë marrëveshje? Veton Surroi: Detyra jonë nuk është që të paragjykojmë a do të ketë apo jo. Qëndrimi ynë është që ne të marrim pjesë në mënyrë aktive në këtë proces, t'i japim rekomandimet tona dhe natyrisht të mbërrijmë në një situatë ku kjo Treshe të vlerësojë se çka do të jetë raporti i saj final për Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza Takimi i Brukselit pa rezultat15 tetor 2007 | Rajoni Trojka diskuton për Kosovën14 tetor 2007 | Faqja Kryesore Ekipi i Unitetit pesimist për takimin e Brukselit12 tetor 2007 | Rajoni Petersen për bisedimet për Kosovën12 tetor 2007 | Rajoni Franca dhe Rusia për statusin e Kosovës11 tetor 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||