|
Petersen për bisedimet për Kosovën | |||||||||||||||||||||||
Ish kreu i misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, ka deklaruar se në rast të mos miratimit të një Rezolute të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shumë shtete në botë pajtohen se duhet të gjendet një tjetër rrugë për të ecur përpara, qoftë mbi bazën e Rezolutës 12 44 ose në një mënyrë tjetër. Në një intervistë dhënë BBC-së zoti Petersen thotë se BE-ja e ka kuptuar se problemi i Kosovës është problem evropian dhe se nuk mund të lejojë bllokimin e zgjidhjes nga vendet jashtë saj. Zoti Jessen-Petersen ka thënë se më 10 Dhjetor do të kuptohet se bisedimet ndërmjet palëve të konfrontuara nuk çojnë askund. Sipas tij, çdo propozim që do të shtynte zgjidhjen ose që do të zgjaste bisedimet edhe më shumë nuk e ndihmon qëndrueshmërinë në Kosovë dhe në rajon. Me ish kreun e UNMIK-ut bisedoi Arbër Vllahiu. BBC: Zoti Petersen ku e shikoni daljen nga kjo situatë e komplikuar e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Jessen-Petersen: Mendoj se gjithmonë është mirë që palët në konflikt të bisedojnë. Por gjithashtu mendoj se këto bisedime nuk po çojnë askund. Mendoj se zoti Ahtisaari ka hartuar një nga raportet më të mira, ka hartuar një nga kompromiset më të mira për të cilat po flasin që të gjithë. Ai ka sugjeruar një lloj pavarësie të mbikëqyrur dhe unë e shoh këtë si një rezultat të vetmin të mundshëm. Pra zgjidhja është pavarësia dhe sërish po them sa më shpejt aq më mirë. BBC: Ju thoni pavarësia, por plani i Ahtisaarit nuk është në tavolinë. Po diskutohen çështje që ndërlidhen me statusin, dhe ende nuk ka pavarësi në tavolinë? Jessen-Petersen: Mendoj se ka shumë deklarata të ndryshme dhe ato që vijnë si të them, gjithandej, janë konfuze. Ashtu si e kuptoj unë, plani i zotit Ahtisaari është ende aty dhe gjithashtu besoj fuqishëm se më 10 Dhjetor të gjithë do ta kuptojnë se këto bisedime nuk do të na çojnë përpara. Ata mund të vazhdojnë të bisedojnë për vite me radhë dhe nuk do të ketë ndryshime. Serbia asnjëherë nuk do të pajtohet që Kosova të shkojë kurse Kosova kurrë s'do të pajtohet që të mbetet pjesë e Serbisë. Prandaj plani Ahtisaari është aty dhe është rruga më e mirë përpara dhe unë besoj se bashkësia ndërkombëtare do ta gjejë mënyrën për të ecur tutje shumë shpejt pas 10 Dhjetorit. BBC: Ju thoni shumë shpejt pas 10 Dhjetorit por bazuar në deklaratat e zyrtarëve rusë dhe atyre serbë nuk duhet të ketë kufizime në bisedime? Jessen-Petersen: Me gjithë respektin për Rusinë dhe Serbinë, ato nuk janë të vetmet të përfshira në këtë process. Ka patur një deklarim të qartë të SHBA-së dhe nga një numër i vendeve evropiane, sikundër që kemi dëgjuar edhe disa deklarata të tjera, se BE-ja e kupton se kjo është një përgjegjësi evropiane. BE-ja e kupton se duhet të jetë e gatshme që të marrë një lloj përgjegjësie për ato që ka sugjeruar zoti Ahtisaari. Unë gjithashtu besoj se po bëhen përpjekje për të gjetur mënyrën se si të ecet përpara nëse nuk mund të arrihet ajo që të gjithë duam të shohim, një Rezolutë e KS-së. Nëse nuk mund ta bëjmë këtë atëherë na duhet të gjejmë një mënyrë tjetër për të ecur përpara. Sërish unë besoj se po bëhen përpjekje për të parë se si të ecet përpara, sepse përvec Rusisë dhe Serbisë, shumica e vendeve pajtohen se duhet të ecim përpara pas 10 Dhejtorit. BBC: Pra kjo nënkupton se nëse Rusia nuk pajtohet me zgjidhjen që do të ofrohet, atëherë kjo nënkupton se BE-ja dhe SHBA-ja do të njohin pavarësinë e Kosovës? Jessen-Petersen: Unë nuk e di se çdo të bëhet. Por ne nuk mund të lejojmë faktin se nuk ka Rezolutë të re dhe nuk mund të lejojmë që të bllokohet rruga përpara. Të gjithë pajtohen se kjo nuk është në interes të qëndrueshmërisë in Kosovë dhe gjithashtu do të thosha se nuk ështe në interes të qëndrueshmërisë në rajon. Të gjitha vendet në rajon, përvec Serbisë, besoj unë, duan që të shohin një zgjidhje. Kjo për faktin se të gjitha janë mbajtur peng të mungesës së vendimit. Ka mënyra për të ecur përpara dhe ne kemi ende Rezolutën 1244 dhe në një mënyrë ka bazë sepse kjo Rezolutë flet për ndihmën e procesit që çon drejt zgjidhjes së statusit. Ky proces ka ndodhur, Ahtisaari ka hartuar raportin dhe ndoshta rruga mund të gjendet rreth kësaj Rezolute. BBC: A mund të jeni pak më të qartë? Ju mendoni se çështja e Kosovës duhet të kthehet edhe njëherë në KS-it të OKB-së për të marrë votat? Jessen-Petersen: Jo jo unë s'po e them ashtu. E para, ne të gjithë do të preferonim që të ketë një Rezolutë që do të jetë bazë për pavarësinë e Kosovës. Por, e dyta, nëse nuk do të mund të kemi një Rezolutë të tillë atëherë shumë shtete pajtohen se duhet të gjejmë një tjetër rrugë për të ecur përpara, qoftë mbi bazën e Rezolutës ekzistuese 1244 ose në një mënyrë tjetër. Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, e ka bërë të qartë qëndrimin e tij sërish para një jave se status quo-ja është e paqëndrueshme. Gjithashtu e kam parë se çfarë ka thënë zoti Solana se BE-ja duhet të bëhet gati. BBC: Dhe ju mendoni se BE-ja është e bashkuar rreth çështjes së Kosovës? Jessen-Petersen: Mendoj se BE-ja është e bashkuar në idenë se kjo është një çështje evropiane. Mendoj se ata janë të bashkuar dhe pajtohen se kjo nuk është një cështje që mund të bllokohet nga vendet jashtë BE-së. Mendoj se nëse BE-ja nuk është sot e bashkuar rreth rezultatit përfundimtar që është pavarësia, ata do të jenë të bashkuar në kuptim se duhet të ecin të vetme. BBC: Më lejoni t'ju pyes. Është thënë nga njëri nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë se mund të ndodh të organizohet një Dayton i dytë. Mendoni se është koha për konferenca të tilla? Jessen-Petersen: Unë nuk do të komentoja se cfarë kanë thënë negociuesit ose përfaqëusesit e Treshes. Por ajo që do të thosha në mënyrë kategorike është se nuk mund të vazhdojmë të flasim dhe të flasim. Ka patur një pajtueshmëri për 120 ditë shtesë të bisedimeve, dhe se delegacioni kosovar ka marrë pjesë në mënyrë konstruktive në këto biseda shtesë. Nga pikëpamja e shumicës, ky shënon fundin e bisedimeve. Cdo propozim që do të shtynte këtë më tutje, që do të zgjaste bisedimet edhe më shumë, nuk është propozim që shkon në interes të qëndrueshmërisë në Kosovë dhe në rajon. | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza Ekipi i Unitetit pesimist për takimin e Brukselit12 tetor 2007 | Rajoni Franca dhe Rusia për statusin e Kosovës11 tetor 2007 | Rajoni Sejdiu optimist për pavarësinë10 tetor 2007 | Rajoni Ekipi i Unitetit nis takimet në Londër09 tetor 2007 | Rajoni Garanci për statusin dhe porosi nga Britania 09 tetor 2007 | Rajoni Ekipi Negociator i Kosovës në Londër08 tetor 2007 | Rajoni Probleme të sigurisë në Kosovë05 tetor 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||