|
Thaçi për vizitën në Londër | |||||||||||||||||||||||
Anëtari i Grupit të Unitetit, Hashim Thaçi, para takimit me sekretarin e Jashtëm Britanik, David Milliband, tha se për palën Kosova pavarësia mbetet e vetmja zgjidhje. Ekipi Negociator i Kosovës takohet të martën në Londër me sekretarin e Jashtëm britanik, David Milliband. Hashim Thaçi, anëtar i delegacionit, tha në programin e mëngjesit të BBC-së, Sot se nga ky takim pret t'i jepet një shtytje e re procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, në kuptimin e arritjes së qëndrimit unik evropian për të. Me zotin Thaçi bisedoi Seladin Xhezairi. BBC: Çfarë prisni nga takimi me shefin e diplomacisë britanike? Zoti Thaçi: Britania e madhe gjithmonë ka qenë një mbështetëse e fuqishme, edhe në luftën për çlirim, edhe tash në periudhën e tranzicionit demokratik, si dhe pikërisht në momentin e marrjes së vendimit për shtetin e Kosovës. Edhe në takimin me ministrin e Jashtëm britanik do të kërkojmë mbështetje më të fuqishme, rol më aktiv në kuptimin unifikues evropian nga Mbretëria e Bashkuar. Ne besojmë fuqimisht se kjo vizitë do të jetë një vizitë e thellimit të bashkëpunimit në mes Prishtinës dhe Londrës, si dhe për hapjen e perspektivës për vendim-marrjen ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, por edhe për procesin integrues të vendit tonë në strukturat euro-atlantike. Roli i Britanisë së Madhe ka qenë krucial vazhdimisht, edhe në kohën e ish-kryeministrit Toni Blair, edhe tash në mandatin e kryeministrit Gordon Brown. Ka qenë një politikë aktive, shumë e vendosur, shumë e drejtë në respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për liri të plotë. BBC: Zoti Thaçi, si Grup i Unitetit, si e keni pritur paralajmërimin e ndërmjetësit evropian për statusin, diplomatit gjerman Wolfgang Ischinger, se në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit mund të mbahet një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, e ngjashme me atë të Dejtonit për Bosnjën? Zoti Thaçi: Unë nuk jam ithtar i proklamimit apo propagandimit të deklarimeve të të tjerëve. Prishtina do të marrë vendimin me përgjegjësi të lartë kombëtare politike dhe të kultivimit të partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare. Është një deklaratë mediale. Ne si Prishtinë nuk kemi ndonjë qëndrim zyrtar ndërkombëtar apo një kërkesë të tillë ndërkombëtare. Prandaj dua të jem i rezervuar sa i përket deklarimit për diçka të tillë, por krahasimet e Dejtonit me raportet e ralitetit aktual në Kosovë janë plotësisht të paqëndrueshme. Por, sidoqoftë, ne si Grup i Unitetit për çdo rrethanë do të marrim qëndrim unik dhe jemi të përgatitur t'i përgjigjemi çdo agjende ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës. BBC: Tanimë të dyja palët, si ajo shqiptare, ashtu dhe serbe, por edhe treshja negociatore ndërkombëtare pranojnë se në bisedimet për statusin e Kosovës vështirë se do të arrihet kompromisi. Po ju pyes - cili ka për të qenë rezultati i këtyre bisedimeve deri më dhjetë dhjetor? Zoti Thaçi: Në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të arrihet kompromis për statusin. Kosova do të jetë e pavarur. Pretendimi serb është pretendim hegjemonist për autonomi substanciale apo të zgjeruar, siç ka pretenduar edhe politika serbe në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Prandaj ne do të ecim përpara me qëndrimin tonë të qartë, shumë të vendosur, që buron nga vullneti i gjithë qytetarëve të Kosovës, nga e drejta jonë dhe përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe vendeve përreth Kosovës, për Kosovën e pavarur dhe sovrane me mbikqyrje të lehtë civile ndërkombëtare dhe me prezencë të NATO-s. Pavarësia është e vetmja zgjidhje për ne në Kosovë. Është zgjidhja më e mirë edhe për investimin e demokracive perendimore, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Tek e fundit, Kosova së shpejti si shtet do të jetë edhe pjesë e familjes evropiane. Pavarësia nënkupton paqe, stabilitet, në rajon. Nënkupton fqinjësi të mirë. Partneritet në të ardhmen edhe me Serbinë, si dy shtete të veçanta, por asesi nën një çati të përbashkët në kuptimin e relacioneve Serbi-Kosovë, por nën çatinë e demokracive perendimore, të Brukselit dhe strukturave euro-atlantike. BBC: Ta shikojmë këtë partneritet për të cilin flisni nga një kënd krejtësisht tjetër. Së pari në Serbi u shfaq publikisht e ashtuquajtura Gardë e Car Lazarit, ndërsa ditë më parë në territorin e Kosovës patëm paraqitjen publike të organizmit që veten e quan Armata Kombëtare Shqiptare. Druani se mund të kemi një përkeqësim të situatës? Zoti Thaçi: Kosova e ka fituar luftën në raport me Serbinë. E ka larguar çdo ushtar, polic dhe administrator të Serbisë. Kosova është e lirë dhe po ndërton demokracinë. Është në prag të vendim-marrjes dhe zyrtarizmit të pavarësisë. Për Kosovën, por dhe për rajonin do të ketë vetëm paqe. Çdo element radikal apo pretendues i luftërave të reja është i gjykuar për dështim. Kudo që të paraqitet, qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi, qoftë në rajon. Kosova dhe rajoni do të jenë pjesë e sigurisë globale. BBC: Zoti Thaçi, të ndërrojmë temë - të kalojmë tek zhvillimet politike në Maqedoni. Si njohës i mirë i rrethanave atje, si e shikoni incidentin e para do ditëve në parlamentin maqedonas ku pati rrahje midis deputetëve shqiptarë? Zoti Thaçi: Janë paraqitje zhgënjyese, janë paraqitje dëshpëruese për popullin e Kosovës në prag të zyrtarizmit të pavarësisë. Është obligim dhe përgjegjësi kombëtare e secilit, kudo që jeton në trojet shqiptare, që tash të sillet në mënyrë të përgjegjëshme, në përputhshmëri me interesat madhore kombëtare. Të ngritet mbi interesat e ngushta, qoftë grupore apo partiake. Tani më shihet se largimi i liderit të shqiptarëve në Maqedoni nga politika, zotit Arbën Xhaferi, ka qenë një largim i cili po reflekton me pasoja në politikën aktuale, pa lidership të shqiptarëve në Maqedoni, por ne duam të besojmë si Kosovë se do të ketë reflektim në kuptimin e uljes së gjakrave ndërpartiake dhe kultivimin e politikës me orientim të qartë të avancimit të të drejtave kombëtare edhe të shqiptarëve në Maqedoni. | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza Ekipi Negociator i Kosovës në Londër08 tetor 2007 | Rajoni Kuvendi shqyrton "Ahtisaarin"03 tetor 2007 | Rajoni Çështja e statusit mund të zgjidhet më shpejt01 tetor 2007 | Rajoni Grupi i Kontaktit takohet në OKB28 shtator 2007 | Rajoni Takimi i radhës në Tetor28 shtator 2007 | Faqja Kryesore Takim i Grupit të Kontaktit në Nju Jork27 shtator 2007 | Rajoni Palët gati për takimin25 shtator 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||