|
Analisti Wayne Thompson për vizitën e Trojkës | |||||||||||||||||||||||
Bisedimet shqiptaro-serbe për statusin e Kosovës pritet të fillojnë në fund të kësaj jave me një vizitë të përfaqësuesve të Trojkës së Grupit të Kontaktit në Prishtinë dhe në Beograd. Në një intervistë dhënë BBC-së analisti amerikan, Wayne Thompson, parashikon se bisedimet në Grupin e Kontaktit për statusin e Kosovës nuk do të sjellin kurrfarë rezultati. Profesori i shkencave politike në Universitetin Washington and Lee në Virgjinia thotë se Rusia vështirë se mund ta ndryshojë qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës. Zoti Thompson mendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian do ta njohin pavarësinë e Kosovës edhe pa bekimin e Rusisë. Duke komentuar nxjerrjen e procesit të statusit jashtë Këshillit të Sigurimit, analisti amerikan vlerëson se ky ishte një veprim i mençur i Perëndimit. Violeta Hyseni bisedoi me zotin Thompson. "Mendoj se ishte një lëvizje e mençur për ta nxjerrë çështjen jashtë Këshillit të Sigurimit, sepse rusët kanë kërcënuar disa herë me përdorim të vetos. Mendoj se formimi i Trojkës në kuadër të Grupit të Kontaktit është mënyrë e mirë për të parë cilat janë në të vërtetë qëllimet e Rusisë." thotë Thompson Qëndrimi rus "Sipas mendimit tim shqetësimet ruse nuk kanë të bëjnë asgjë me situatën në Kosovë, por Rusia ka qëllime tjera në Evropë, lidhur me vendosjen e sistemit antiraketor të SHBA-së në Republikën Çeke ose në Poloni apo çështje që kanë të bëjnë me bisedimet e dështuara për Forcat Konvencionale në Evropë. Mendoj se është rast i mirë që diplomatët amerikanë dhe gjermanë me përvojë të mirënjohur në Ballkan të përpiqen të bisedojnë me rusët dhe të kuptojnë çfarë në të vërtetë dëshirojnë ata". Analisti amerikan, Wayne Thompson, thotë se Rusia do të pajtohej me pavarësinë e Kosovës vetëm nëse do t'i ofrohej një çmim i mirë nga amerikanët dhe evropianët, siç është marrëveshja për sistemin amerikan antiraketor. Qëndrimi amerikan Por ai nuk pret që SHBA-të të tregohen zemërgjera ndaj kërkesave ruse. Profesori i shkencave politike në Universitetin Washington and Lee në Virgjinia është skeptik për rezultatin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që do të ndërmjetësohen nga treshja SHBA, BE, Rusi. "Personalisht nuk pres asgjë nga këto bisedime. Qëndrimet e palëve janë krejtësisht të ndryshme dhe nuk mund të paramendoj arritjen e kompromisit. Plani i Ahtisaarit ishte shumë i detajuar dhe ka shkuar mjaft larg me mbrojtjen e interesave të serbëve në Kosovë, si për shembull votimi i dyfishtë në Kuvend, masat për mbrojtjen e serbëve si dhe kishave e manastrireve të tyre. Nuk mund ta paramendoj se serbët nuk pajtohen me atë që ofron plani i Ahtisaarit. Nuk besoj se këto bisedime do të rezultojnë me marrëveshje, por në diplomaci gjithmonë mund të fitosh kohë dhe shpresoj që këto katër muaj bisedime do t'i japin mundësi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Rusisë për të parë nëse mund të arrihet diçka". Roli i BE-së Sipas analistit amerikan, Wayne Thompson, gjatë muajve të ardhshëm pritet që Bashkimi Evropian të luajë një rol më të madh në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ai thotë se BE-ja do të përpiqet ta bindë Serbinë që të heqë dorë nga Kosova, duke ofruar lehtësira për anëtarësimin e saj në familjen evropiane. "Ndoshta kur Sllovenia të marrë kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian në fillim të vitit të ardhshëm, do të punojë me Serbinë në atë mënyrë që do të mund ta bënte vetëm një ish-republikë jugosllave, në përpjekje për të bindur serbët se është një e ardhme më e mirë për Serbinë në Bashkimin Evropian. Ndoshta në këtë mënyrë do të punohet në arritjen e kompromisit që Serbia të braktisë Kosovën dhe në vend të kësaj të ketë një qasje më të butë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Unë personalisht mendoj se demokratët në Serbi do të preferonin BE-në. Natyrisht çdo serb do t'i dëshironte të dyja, ruajtjen e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kjo teorikisht është një mundësi nëse bisedimet në Grupin e Kontaktit dështojnë gjatë katër muajve të ardhshëm". Ndërkohë ende mbetet e paqartë si do të vazhdojë procesi pas përfundimit të bisedimeve 120 ditëshe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Tash për tash dihet që treshja SHBA, BE, Rusi do t'i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mon më 10 dhjetor mbi rezultatin e këtyre bisedimeve. Nuk përjashtohet mundësia që Sekretari i Përgjithshëm të rikthejë procesin në Këshillin e Sigurimit. Analisti amerikan,Wayne Thompson nuk beson që Këshilli i Sigurimit do të mund të miratojë rezolutën për pavarësinë e Kosovës për shkak të qëndrimit të Rusisë. I pyetur çfarë veprimesh duhet të ndërmarrë Perëndimi nëse Rusia vazhdon të bllokojë gjetjen e zgjidhjes në Këshillin e Sigurimit edhe pas 4 muaj negociatash, ai u përgjigj: "Mendoj se në këtë rast duhet të ndodhë ajo për të cilën kam dëgjuar gjatë pranverës në Kosovë. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të shkojnë përpara me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo është zgjidhja që e preferoj unë. Nëse nuk mund ta bëjmë këtë me bekimin e Rusisë dhe Serbisë, atëherë duhet ta bëjmë pa to. Mendoj se nëse miratohet plani i Ahtisaarit, serbët e Kosovës do të jenë mjaft të mbrojtur dhe kjo zgjidhje nuk do t'i kërcënojë ata në asnjë mënyrë". | LOKALE Pritet rifillimi i bisedimeve për Kosovën06 gusht 2007 | Rajoni Veton Surroi flet për BBC-në03 gusht 2007 | Rajoni Haziri: pavarësia - kompromis i vetëm03 gusht 2007 | Faqja Kryesore Serbia thotë se ofron kompromis për Kosovën02 gusht 2007 | Faqja Kryesore Ban thotë se nuk ka status quo për Kosovën02 gusht 2007 | Faqja Kryesore Për serbët paketa Ahtisaari e dështuar31 korrik 2007 | Rajoni Prishtina kundërshton çdo ndarje të Kosovës31 korrik 2007 | Rajoni BE emëron emisarin për Kosovën29 korrik 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||