|
Për serbët paketa Ahtisaari e dështuar | |||||||||||||||||||||||
Goran Bogdanoviq, anëtar i delegacionit serb në bisedimet për statusin e Kosovës, i ka thënë BBC-së se pakoja e Ahtisaarit tashmë është e dështuar dhe se bisedimet e ardhshme ndërmjet palëve nuk do të mbështeten mbi këtë dokument. Ai tha se serbët e Kosovës nuk do të jenë pjesë e delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Beogradin, derisa pala shqiptare të vazhdojë të angazhohet për pavarësinë e Kosovës. Fadil Bytyçi i BBC-së bisedoi me zotin Bogdanoviq dhe fillimisht e pyeti se çfarë presin serbët e Kosovës nga këto bisedime. Goran Bogdanoviq: Shpresoj se bisedimet do te jenë para së gjithash serioze dhe përmbajtësore dhe se nuk do të paragjykohet statusi i Kosovës dhe Metohisë para se të fillojnë këto bisedime sepse nëse dihet më parë rezultati i tyre atëhere nuk ka arsye për këto bisedime. Unë pres nga SHBA, Bashkimi Evropian dhe Rusia, të cilët do të jenë ndërmjetësues të këtyre bisedimëve, që t'i qasen me seriozitet këtij problemi, që të arrihet një kompromis mes Prishtinës dhe Beogradit. Vetem përmes kompromisit mund të arrihet jo vetem stabiliteti i Serbisë dhe Kosovës por i tërë rajonit. Në këtë mënyrë do të arrihet pajtimi historik mes popullit serb dhe atij shqiptar. BBC: Zoti Bogdanoviq, Prishtina zyrtare thotë se me Beogradin do të bisedojmë vetem mbi bazën që ofron paketa e presidentit Ahtisaari. Pala serbe ku e mbështet platformën e vet të bisedimeve që pritet të fillojnë? Goran Bogdanoviq: Mendoj se nuk është mirë që pala shqiptare shkon me qëndrime të tilla. Të gjithë ne e dimë se plani i Ahtisaarit është i dështuar prandaj është iluzore të mendohet se bisedimet e ardhshme do të zhvillohen mbi bazen e këtij plani. Do të zhvillohen bisedime, sigurisht, për statusin e ardhshëm të Kosovës ndërsa, përsa i përket palës serbe, ne do të angazhohemi seriozisht se si t'u ofrojmë shqiptarëve një autonomi thelbësore në kuadër të shtetit të Serbisë. Kjo do të jetë edhe platforma e jonë dhe ne mendojmë se me këtë do të fitojnë të gjithë, edhe shqiptaret e Kosovës, edhe Serbia edhe Bashkimi Europian, madje edhe Shqipëria e cila për herë të parë do të ketë mundësi që në mënyrë legjitime të bashkëpunojë me shqiptaret e Kosovës. Mendoj se të bisedohet më mbi bazen e planit të Ahtisarit është vetem humbje kohe sepse jam i sigurt se mbi bazen e tij nuk do të zhvillohen bisedimet e ardhshme. BBC: Është e qartë se pozicionet mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë të mbesin diametralisht të kundërta, sa besoni se këto pozicione mund të përafrohen në këto bisedime? Goran Bogdanoviq: Natyrisht se pozicionet mes Prishtinës dhe Beogradit janë të ndryshme, por bisedimet do të zhvillohen për t'i përafruar këto pozicione. Ndryshe, nëse njëra palë fiton të gjitha e tjetra humb gjithçka, jam i sigurt se kjo nuk do të jetë gjë e mirë për asnjë, as në Kosovë as në Serbi, po as në tërë Ballkanin Përendimor. Prandaj duhet që përmes këtyre bisedimeve të bëhët gjithçka që është e mundur për përafrimin e pozicioneve mes palëve në atë mënyrë që mos të ketë palë humbëse apo palë fituese. BBC: Z.Bogdanoviq, në këto bisedime përfaqësuesit e serbëve të Kosovës a do të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës apo do t'i bashkangjiteni delagacionit të Serbisë si më parë? Goran Bogdanoviq: T'ju them sinqerisht, ne edhe në bisedimet e para nuk kemi marrë pjesë në delegacionin e Kosovës vetem për faktin se pala kosovare është angazhuar për pavarësinë e Kosovës që për ne, serbet e Kosovës, kjo është e papranueshme. Deri sa pala kosovare angazhohet për pavarësi të Kosovës është e sigurt se ne nuk do të jemi pjesë e delegacionit të Kosovës, por qendrimet tona do t'i prezantojmë përmes delegacionit të Serbisë në këto bisedime dhe në këtë mënyrë se bashku me Beogradin, do të mbrojmë interesat tona. | LOKALE Prishtina kundërshton çdo ndarje të Kosovës31 korrik 2007 | Rajoni BE emëron emisarin për Kosovën29 korrik 2007 | Faqja Kryesore Pak gjasa për sukses në fazën e re 25 korrik 2007 | Faqja Kryesore Përfundon takimi i parë i GK për Kosovën25 korrik 2007 | Faqja Kryesore Surroi flet për BBC pas takimit me Rice24 korrik 2007 | Faqja Kryesore TË JASHTME BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të
jashtme të internetit | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||