BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 24 korrik 2007 - 09:51 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Surroi flet për BBC pas takimit me Rice
Veton Surroi
Z. Surroi ishte pjesë e ekipit kosovar që u takua me znj. Rice
Njëri nga anëtarët e Ekipit Negociues të Kosovës, Veton Surroi, ka deklaruar se SHBA-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës duhet të çojë në pavarësimin e saj.

Zoti Surroi që, së bashku me Ekipin e Negociuesve, u takua në Washington me sekretaren amerikane të shtetit, Condoleezza Rice, ka pohuar se pavarësia e Kosovës duhet të jetë pavarësi për tërësinë tokësore të Kosovës, për tërë Kosovën dhe jo vetëm për një pjesë të saj.

Në një intervistë me BBC-në kreu i Partisë Reformiste ORA, ka thënë se fundi i këtij viti duhet të jetë afati i zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Zoti Surroi ka deklaruar se Rusia, me përsëritjen e kërcënimeve në KS, po i zbeh rëndësinë vetë Këshillit.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë telefonike me zotin Surroi dhe fillimisht e pyeti se cilat ishin përshtypjet e para pas takimeve në Uashington.

Surroi: Përshtypja me të cilën ne largohemi nga Uashingtoni, gjegjësisht nga këto takime, është një përkushtim i SHBA-së që këtë proces ta çojnë deri në fund dhe natyrisht, me qëndrimin e njohur të SHBA-së e ky fund duhet të jetë pavarësia e Kosovës.

BBC: Zoti Surroi më konkretisht Çfarë ju është thënë në Washington?

Surroi: Nuk mund të hyj në hollësi, por unë po ju them përshtypjet të cilat i bart me vete. Përshtypja themeltare është kjo se procesi i statusit duhet të mbërrijë fundin e vet. Këtë natyrisht duhet ta udhëheqin SHBA-ja me BE-në. Ne nga ana jonë qartazi jemi përcaktuar për një partneritet me perëndimin dhe e shohim rrugëtimin tonë në këta hapat e fundit bashkarisht.

BBC: Por çfarë më konkretisht ju thatë ju zyrtarëve amerikanë?

Surroi: Qëndrimi ynë, i cili në masë të madhe ishte i përbashkët, ishte se ne nuk mund të hyjmë në një proces negociator për paketën e zotit Ahtisaari, kur do të aplikojmë në axhendën tonë legjislative.

Ne natyrisht presin që ky proces të përfundojë sa më shpejt dhe me pavarësinë e Kosovës. Dhe tërhoqëm vërejtjen se pavarësia e Kosovës, duhet të jetë pavarësi për tërësinë tokësore të Kosovës, për tërë Kosovën dhe jo vetëm për një pjesë të saj.

BBC: Por ju me siguri se ju keni thënë zyrtarëve amerikanë se ky proces duhet të kryhet sa më shpejt apo se ai duhet të afatizohet?

Surroi: Po mendoj se Kosova duhet të operojë me afatet e veta dhe unë besoj se një afat normal për Kosovën, do të duhej të ishte fundi i këtij viti, gjegjësisht që brenda këtij viti të përmblidhen të gjitha këto çështje.

BBC: Dhe keni marrë ndonjë premtim nga zyrtarët amerikanë se ky proces vërtetë do të përfundojë deri në fund të këtij viti?

Surroi: Unë nuk mund të jem zëdhënës i asaj se çfarë është qëndrimi i SHBA-së. Po tregoj se në këtë proces ne duhet të përcaktojmë edhe një rrjedhë normale të dinamikës nga ana jonë.

BBC: Zoti Surroi, po nëse KS i OKB-së nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje për statusin e Kosovës e besoni se tani Grupi i Kontaktit do të mund ta bënte këtë?

Surroi: Ne nuk mund të paragjykojmë. E vetmja gjë që mund të themi është se ne do të marrim pjesë bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare në gjetjen ose hulumtimin e mundësive të reja.

Për ne nuk është çështje e diskutueshme statusi por është vendosja, zbatimi i këtij i këtij statusi me një kontekst të ri marrëdhëniesh brenda rajonit tonë.

BBC: Dhe nëse fillojnë bisedimet e reja mes Prishtinës e Beogradit, e ju keni thënë se nuk jeni të gatshëm që të hyni sërish në këtë proces negociator për statusin e Kosovës, e besoni se mund të gjendet një zgjidhje, ta quaj, tjetër për Kosovën ?

Surroi : Zgjidhja për Kosovën dihet e ajo është pavarësia.

Çështja e cila besoj se do të duhej të gjendet, ndonëse nuk jam shumë entuziast i madh i këtyre negociatave, por nëse do shpenzuar kohë në negociata, atëherë duhet shpenzuar koha thjesht për të gjetur kontekstin më të mirë rajonal, pra po them kontekstin dhe disponimin politik më të mirë rajonal për këtë pavarësi.

BBC: Por Beogradi zyrtar ka sjellë sërish një Rezolutë për Kosovën. Beogradi dhe Moska zyrtare kanë bllokuar deri tash zgjidhjen në KS, megjithëse Rusia ka deklaruar se problemi duhet të kthehet sërish në KS të OKB-së. Atëherë KS nuk ka vepruar, tani është futur në veprim Grupi i Kontaktit mendoni se sërish problemi duhet të kthehet në KS të OKB-së ?

Surroi: Kjo është sikur puna e përallës me ujkun. Kur bërtitet shumë ujku, ujku i humbet shumë besueshmëria e bariut. Në këtë rast Rusia me përsëritjen e kërcënimeve në KS po ia humbet rëndësinë Këshillit.

BBC: Dhe më lejoni zoti Surroi ta ndërlidh një çështje tjetër me statusin. Janë paralajmëruar zgjedhjet e reja të përgjithshme dhe ato lokale. E besoni ju se këto zgjedhje duhet të vijnë pikërisht në kohën kur po zgjidhet statusi ?

Surroi: Ato është dashur të vijnë vjet. Unë kam qenë idhtar i zgjedhjeve vitin e kaluar. Në këtë moment unë mendoj se zgjedhjet mund të mbahen dhe zotimi ynë që të ruajmë unitetin besoj se është i besueshëm sa për të mbajtur zgjedhjet dhe për të pasur negociatat ose angazhim për statusin në të njëjtën kohë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>