|
Përfundon takimi i parë i GK për Kosovën | |||||||||||||||||||||||
Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit u mblodhën të mërkurën në Vjenë për të diskutuar të ardhmen e procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës. Përfaqësuesit e pesë vendeve anëtare të grupit të Kontaktit dhe ai i Rusisë, ranë dakord që bisedimet shtesë mes Prishtinës dhe Beogradit të zhvillohen me ndërmjetësimin e treshes: BE, SHBA dhe Rusi. Ndërmjetësimi të treshes ishte hedhur si ide nga ministri i Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier në një takim me ministrat e jashtëm të BE-së. Megjithatë, në takimin e parë në Vjenë të zhvilluar në nivel të drejtorëve politikë për Ballkanin, nuk u arrit marrëveshja për kohëzgjatjen e bisedimeve. Takimi i vjenës u mbajt pas pezullimit të çështjes së statusit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kundërshtimi Rusisë ndaj planit të ndërmjetësuesit të OKB-së në negociatat e para të pasukseshme mes palëve, Martti Ahtisari, që propozoi pavarësi të mbikqyrur për suksesin, bëri që çështja e Kosovës t'i kalohet Grupit të Kontaktit. Mospajtim Burime diplomatike në BE i thanë BBC-së pas takimit të parë të Grupit se dallimet mes pesëshes perëndimore dhe Rusisë rreth kohëzgjatjes së bisedimeve nuk u tejkaluan dot, meqë përfaqësuesi rus ka këmbëngulur që të mos vihej afat për to. Deri tani, diplomatët perëndimore kanë folur për raund të ri dhe final të bisedimeve që do të zgjaste 120 ditë. Mësohet se në takimin e Vjenës janë shkëmbyer ide për formatin e bisedimeve shtesë dhe pritet që një vendim më i qartë të dalë në takimet e ardhshme. Burimet diplomatike i thanë BBC-së se bisedimet shtesë mes Prishtinës dhe Beogradit pritet të fillojnë, sipas të gjitha gjasave, nga java e parë e muajit gusht, por kjo cështje do të përcaktohet pas konsultave të kryeqendrave vendimmarrëse. Negociatorët Mësohet ndërkaq se pjesë e diskutimeve në takimin e Grupit të Kontaktit ka qenë edhe plani i Martti Ahtisaarit dhe përcaktimi i emrave që do të përfaqësojnë treshen në ndërmjetësimin e bisedimeve shtesë. Burimet diplomatike thanë se as zoti Ahtisaari nuk është përjashtuar nga lista e emrave të atyre që mund të udhëheqin me bisedimet. Por vetë zoti Ahtisaari ka deklaruar se e ka kryer punën e tij dhe se askush nuk i ka kërkuar ende që të vazhdojë punën e ndërmjetësit për statusin e Kosovës. Një zëdhënës i zotit Ahtisaari, Remi Dourlot i ka thënë BBC-së se zyra e UNOSEK-ut megjithatë është e gatshme që të ofrojë ndihmë. "Mendoj se ideja që e kemi kuptuar nga Grupi I Kontaktit, pas asaj cfarë ka ndodhur në Këshillin e Sigurimit, është se Grupi I Kontaktit do të provojë të fillojë jo domosdoshmërisht mbi baza të reja, por do të provojë të gjejë zgjidhje të tjera," tha ai. "ajo për të cilën ne jemi të gatshëm është një lloj ndihme...pas përvojës prej 15 ose 16 muajsh të bisedimeve që kishim më parë. Por na duhet të shohim nëse na kërkohet të ofrojmë shërbime të tilla". | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||