BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 25 korrik 2007 - 21:12 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Pak gjasa për sukses në fazën e re
Gjatë një proteste në Prishtinë
Partos: 'Mundësitë e komunitetit ndërkombëtar po shterojnë"
Takimi i Grupit të Kontaktit në Vjenë përfaqëson një fazë të re në përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të rënë dakord për një zgjidhje për të ardhmen e Kosovës, e cila ndodhet nën administrimin ndërkombëtar që nga viti 1999.

Faza e parë, pas 13 muajve negociata mes dy palëve, përfundoi pa sukses këtë muaj në Këshillin e Sigurimit, për shkak të kundërshtimit që Rusia i bëri projektit të ndërmjetësit të OKB-së në bisedimet ems shqiptarëve dhe serbëve, Marti Ahtisari, për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën.

A ka gjasa dhe nëse po, sa janë ato që kjo fazë e re të jetë e suksesshme dhe çfarë duhet pritur gjatë saj.

Për këtë, Albana Kasapi bisedoi me analistin e BBC-së Gabriel Partosh.

BBC: Gabriel Partos, si duhet ta kuptojmë procesin që nisi me takimin e së mërkurës së Grupit të Kontaktit në Vjenë?

Partos: Ajo që shohim tani, me dështimin për ta kaluar në Këshillin e Sigurimit planin e Ahtisarit, është se po fillon një fazë e re.

Kanë dalë në pah disa ide të reja, një nga të cilat është që të rifillohen bisedimet mes palëve për 120 ditë dhe të zëvendësohet rolin që luajti Ahtisari në raundin e parë, me një trojkë ndërmjetësish, BE, Rusi dhe SHBA.

Kjo bëhet me shpresën se mund të arrihet ndonjë lloj marrëveshje.

Por për momentin kemi të bëjmë me bisedime në Grupin e Kontaktit për bisedime, të cilat mund të rezultojnë me rifillimin e negociatave. Ky është një proces shumë i ngadaltë.

BBC: Raundi i kaluar i negociatave mes palëve dhe i procesit diplomatik të komunitetit ndërkombëtar që i frymëzoi ato, dështuan që të dyja. A ka vend për optimizëm në këtë fazë të re?

Partos: Do të jetë shumë e papritur për shumicën nëse do të arrihej ndonjë marrëveshje nga negociatat mes të dy palëve, si la të kuptohej procesi 13 mujor që drejtoi Ahtisari.

Kështu që ka shumë pak gjasë që të pritet ndonjë gjë pozitive nga këto bisedime.

Ka dy aspekte të këtyre bisedimeve të planifikuara. I pari, për hir të Rusisë dhe të gjithë atyre që janë skeptikë, atyre duhet t'u paraqesësh faktin që bisedimet po vazhdojnë, se të dy palëve po u ofrohet një mundësi e fundit që të arrijnë një marrëveshje.

Aspekti i dytë i bisedimeve është nëse ato mund të rezultojnë me ndonjë lloj marrëveshje apo me ndonjë mirëkuptim, si p.sh.: nëse do të shkojë puna deri tek një lloj ndarje e Kosovës, që Veriu t'i kalojë Serbisë dhe pjesa tjetër të bëhet e pavarur edhe pse do të ekzistonte një mirëkuptim që një gjë e tillë të mos të pranohej publikisht.

Sigurisht, publikisht të gjithë janë kundër një gjëje të tillë, por kjo ekziston si një mundësi. Disa mund të thonë se ajo është e dëmshme dhe ndoshta e rrezikshme. Megjithatë, në një rast të tillë, Grupi i Kontaktit do të duhej të rishkruante nga fillimi rregullat e lojës dhe parimet mbi të cilat u bazuan bisedimet e Ahtisarit.

BBC: Fazë e re për palët, fazë e re për përpjekjet diplomatike. Në fazën e parë, pengesa kryesore ishte Rusia. A ka gjasa tani që Rusia të bindet për të ndryshuar qëndrim?

Partos: Nuk ka arsye të mendosh se Rusia do të ndërrojë mendje nëse vetë plani nuk ndryshohet, nëse nuk ndryshohet në mënyrë radikale.

Shpresa, së paku, për Perëndimin, është se duke bërë amendamente...duke ndryshuar gjuhën e përdorur, gjë që e provuan katër herë me projektrezolutln në KS, ata mund ta bëjnë Rusinë që së paku, të mos e kundërshtojë një rezolutë edhe pse nuk do ta pranonte atë.

Por tek e fundit pse do ta bënin atë një gjë të tillë tani nëse nuk e bën gjatë katër muajve të fundit? Kështu që nga një perpsektivë e tillë, gjërat nuk duken aq optimiste, por besohet se ndoshta duhet të ketë edhe një mundësi tjetër, të fundit për të gjithë.

Dhe ndoshta, e kjo është çështje tjetër, a ka ndonjë gjë që mund t'u ofrohet rusëve në këmbim? Deri tani nuk duket se u është ofruar ndonjë gjë dhe kush thotë se një gjë e tillë ka për t'u bërë gjatë muajve të ardhshëm? Kështu që në përgjithësi, do të thosha se gjasat nuk janë aq pozitive.

BBC: Të mbetemi tek diplomacia në këtë fazë të re. Ajo do të drejtohet jo më nga gjithë anëtarët e Grupit të Kontaktit së në fazën e parë por nga një trojkë: BE; SHBA, Rusi. Duket se BE do të flasë me një zë për Kosovën, apo po përpiqet të flasë me një zë?

Partos: BE ka një problem të madh dhe mendoj se ai është me rëndësi thelbësore për dështimin me sa duket të planit Ahtisari: Mungesa e unitetit të bllokut në këtë çështje.

Duket se BE nuk mundet që të bjerë dakord për ngritjen e misionit të tij në Kosovë, pa marrë më parë miratimin e OKB-së për të. Kjo ngaqë disa vende janë të gatshme për misionin, disa jo. Ky është problem thelbësor që qëndron pas ngecjes aktuale të procesit.

Dhe ndërsa në publik BE ka paraqitur një front të bashkuar për të thënë asgjë më shumë se "po, do ta ngremë misionin atje nëse ai do të miratohet", privatisht ndasitë janë të thella.

Disa anëtarë janë pro planit, ka të tjerë që kanë rezerva serioze për të.

Dhe kjo mungesë e unitetit në gjirin e BE-së do të vazhdojë për sa kohë që vende të ndryshme do të kenë interesa të ndryshme kombëtare.

BBC: Çfarë mund të presim gjatë kësaj faze të re?

Partos: Mundësitë janë tre: e para që rusët, për një arsye a tjetër, të pranojnë rezultatin e bisedimeve dhe ka shumë pak gjasë që të arrihet ndonjë marrëveshje sepse nuk ka arsye që shqiptarët të pranojnë më pak se sa u është ofruar deri tani.

E dyta, mund të dilet me një ide të re: ndarje ose një lloj ndarje-se si paraqitet kjo është një çështje krejt tjetër. Kjo do të thoshte rishkrim nga e para e rregullave dhe pasoja të mundshme për vende të tjera. Sërish ka fare pak gjasa, por nuk përjashtohet si mundësi.

E treta dhe unë mendoj se kjo është më mundshmja, nëse nuk do të ketë marrëveshje, do të shkohet tek ajo që disa e quajnë rruga e njëanshme.

Nuk është e njëanshme, sepse Kuvendi i Kosovës do të shpallte pavarësinë, e cila kësaj here do të kishte mbështetjen e SHBA, vendeve të tjera perëndimore të BE-së , por dhe një pjese të madhe të botës arabe, të vendeve në zhvillim dhe kjo do të çonte në një situatë ku Kosova do të pranohej nga shumë vedne, jo të gjitha, por kjo do të ishte më e mirë sesa situata aktuale e mbetur pezull ku ekziston rreziku që gjërat të dalin jashtë kontrollit.

BBC: Procesi i përcaktimit të statusit të ardhsëm të Kosovës ka njohur shtyrje pas shtyrjesh. A do të jetë kjo shtyrja e fundit?

Partos: Deri tani, kemi menduar disa herë për një afat të fundit dhe mendoj se nuk do të ishte me mend të parashikonim nëse ky është i fundit apo jo.

Por unë mendoj se mundësitë e komunitetit ndërkombëtar tani po shterojnë dhe ekziston rreziku i një shpoërthimi në Kosovë.

Unë mendoj se kur të fillojë numërimi i këtyre 120 ditëve, të cilat nuk kanë nisur ende, ka më shumë gjasë se kurrë më parë që ky të jetë shansi i fundit për të arritur një lloj zgjidhje të negociueshme.

Nëse nuk do të ketë një të tillë, opsioni më i mundshëm është rruga e shpalljes së njëanshme të pavarësisë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>