BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 03 gusht 2007 - 13:41 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Veton Surroi flet për BBC-në
Veton Surroi
Kryetari i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, tha në emisionin BBC Sot se sa i përket çështjes së statusit të Kosovës - pavarësia është një proces historik që duhet të përmbyllet tash.

Zoti Surroi në paraqitjen e tij të drjetpërdrejtë tha se po fliste nga fshati Pasjak i Gjilanit në kuadër të projektit të tij 'Ecja e gjatë'.

BBC: Kemi pasur njoftime nga kolegët nga Prishtina në lidhje me nismën tuaj. A mund të na shpjegoni shkurtimisht se çfarë keni synuar me këtë?

Veton Surroi: 'Ecja e gjatë' është një kontakt më i drejtpërdrejtë me qytetarët e Kosovës, në ato vendbanime ku njeriu nuk shkon tradicionalisht – do me thënë nuk e çon rruga. Unë për vete kam qenë shumë i zënë këto muajt e fundit me negociatat dhe kontaktet tjera diplomatike. Jam ndier paksa i izoluar nga ky kontakt i drejtpërdrejtë dhe mendova që kjo është formë e mirë. Kjo formë u mirëprit nga popullata dhe gjatë këtyre dy ditëve, kam pasur një sërë kontaktesh nëpër shumë fshatra.

BBC: Politikanët këtu në Britani më duket se kanë një shprehje 'dëgjo dhe udhëhiq.' Çfarë ju thotë populli në këto bisedime, cili është shqetësimi kryesor?

Veton Surroi: Po, është e qartë se çështja e statusit është çështja e parë. Natyrisht janë dy refrene që pothuajse po përsëriten. 'Sa më shpejtë', nga njëra anë, dhe 'Mos lëshoni pe' në këtë fazën e re të bisedimeve, nga ana tjetër. Ndërsa, për çështjet pas-statusore, po shihet një brengë e jashtëzakonshme, me shumë çështje, ndër të cilat kryesoret janë: sundimi i ligjit dhe gjegjësisht një frikë e madhe dhe një dëshpërim i madh i popullatës nga korrupsioni. Pastaj, këtu është çështja e zhvillimit ekonomik dhe çështjet sociale që po trokasin në të gjitha dyert që i kam parë unë.

BBC: Zoti Surroi, keni përjashtuar mundësinë që kjo ecje e juaj e gjatë të jetë paralajmërim apo nisje e fushatës parazgjedhore!

Veton Surroi: Jo, sepse unë këtu jam më shumë për të dëgjuar, sesa për të folur apo proklamuar ndonjë program. Meqenëse po bisedojmë në lidhje me ato që vijnë në këtë proces - për statusin, mendoj që është obligim yni, që të komunikojmë drejtpërdrejtë me qytetarët, me popullin, se ku gjendemi. Mendoj që ky kontakt i drejtëpërdrejtë duhet të shërbej si një informim i dyanshëm.

BBC: Si do të komentonit deklaratën e ministrit të jashtëm të Serbisë i cili ka theksuar se 'Serbia është e gatshme të bëj kompromis me shqiptarët e Kosovës'. Mirëpo, sipas tij, edhe shqiptarët duhet të jenë gati për kompromis. Ai është angazhuar për një pavarësi të Kosovës, por në suazat specifike të Serbisë. Cili është komenti juaj?

Veton Surroi: Po nuk ka pavarësi jo të plotë, është sikurse përpjekja që të mos ketë shtatëzani të plotë. Ose ka, ose nuk ka. Edhe pavarësia duhet të përfundojë. Nuk ka kurfarë kompromisi rreth kësaj. Pavarësia është një proces historik që duhet të përmbyllet tash.

LOKALE
Wisner flet për bisedimet e reja
01 gusht 2007 | Faqja Kryesore
BE emëron emisarin për Kosovën
29 korrik 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>