BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 01 gusht 2007 - 08:31 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Wisner flet për bisedimet e reja
Frank Wisner
Frank Wisner se duhet të arrihet një zgjidhje sa më e shpejtë
I dërguari amerikan për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner, ka deklaruar se SHBA-të duan që të shohin një përfundim të qartë për Kosovën pas periudhës së bisedimeve shtesë prej 120 ditësh.

Në një intervistë me BBC-në ambasadori Wisner ka thënë se SHBA-të besojnë se është koha për ta zgjidhur problemin e Kosovës, dhe se duhet të arrihet një zgjidhje sa më shpejtë.

Ai ka theksuar se qëndrimi amerikan për statusin e Kosovës është shprehur nga vetë presidenti amerikan, George Bush, gjatë vizitës së tij në Tiranë.

Periudha prej 120 ditësh shtesë, ka thënë ambasadori Wisner, duhet të shfrytëzohet për të kaluar çdo shteg para se të arrihet një përfundim për statusin e Kosovës.

Ambasadori Wisner ka theksuar se plani Ahtisaari nuk mund të coptohet, por ai do të jetë bazë e mirë për të ecur përpara.

Ambasadori Frank Wisner është emëruar si ndërmjetës amerikan në treshen SHBA, BE, Rusi që do të udhëheqë me bisedimet për të ardhmen e Kosovës.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me ambasadorin dhe fillimisht e pyeti se çfarë po provohet të arrihet me 120 ditë biseda shtesë që nuk është arritur deri tani.

Frank Wisner: Më lejoni ta sqaroj me fjalët e mia. Ne kemi kaluar nëpër negociata të jashtëzakonshme. Pas shumë muajsh Martti Ahtisaari ka bërë bashkë një propozim që ka një mbështetje të gjerë në gjithë Evropën, në SHBA dhe në bashkësinë ndërkombëtare.

Ne provuam ta përvetësojmë dhe ta transformojmë atë propozim në një Rezolutë të KS-së, por për fat të keq nuk gjeti një mirëkuptim nga Federata Ruse. Me qëllim që të demonstrojmë se çdo kënd, është bërë gjithshka e mundur dhe çdo rrugë është kaluar.

Ne jemi pajtuar kolektivisht, mes nesh, për një periudhë prej 120 ditësh të angazhimit intensiv, që të shohim nëse ka edhe ndonjë ide tjetër që mund të hidhet në tryezë, para se të përfundojnë bisedimet dhe të merren vendimet. Pra unë e shoh këtë si një proces.

Do ta shoh atë si proces që u mor me problemin për të gjetur një zgjidhje, që në një kontekst ndërkombëtar nuk pati sukses, dhe tani do të kemi një provë të fundit për të demonstruar, në veçanti opinionit evropian, se çdo shteg është provuar para se të jenë marrë vendimet përfundimtare.

BBC: Ambasador pra, ju po i cilësoni këto 120 ditë si ditët e fundit të bisedimeve për statusin e Kosovës?

Frank Wisner: Qëndrimi i SHBA-së është shumë i qartë. Presidenti i SHBA-së e ka shprehur atë kur e vizitoi Tiranën. Ne besojmë se koha është për ta zgjidhur problemin e Kosovës, ne besojmë se duhet të arrijmë një zgjidhje sa më shpejtë.

Nuk e besojmë se moszgjidhja e këtij problemi është e drejtë dhe e mençur marrë parasysh paqëndrueshmërinë e rajonit.

Ne si amerikanë duam ta lëvizim këtë çështje përpara shumë shpejt.

Njëqind e njëzetë ditë për të demonstruar se çdo gjë është bërë, se është e mundur që në emër të arritjes së marrëveshjes, janë një rezultat i mirë, por duhet të ecim përpara.

BBC: Por ambasador, homologu juaj rus pasi është emëruar si i dërguar për Kosovën, ka thënë se bazë e bisedimeve duhet të jetë Rezoluta aktuale 1244...

Frank Wisner: Negociatori rus është një njeri i mirë dhe unë e njoh personalisht dhe mezi pres të punoj me të. Kushtet të cilat sapo i kam përshkruar, tejkalojnë ato për të cilat bën fjalë 1244.

Por nga pikëpamja jonë 1244 i ofron bashkësisë ndërkombëtare, të gjithë neve që jemi angazhuar në Kosovë, përgjegjësinë për të zgjidhur atë. Pra ne mund të kemi dallime të lehta mes nesh se çfarë nënkupton Rezoluta 1244.

Pavarësisht nga kjo ne jemi të gatshëm të punojmë ngushtësisht me miqtë tanë rusë, nesë mund të gjejmë pika të përbashkëta. Njëqind e njëzet ditë janë rrugë të mira për të eksploruar dhe për të shikuar nëse ka mbetur ndonjë gjë pa e shqyrtuar tanimë.

BBC: Pra ju mendoni se plani Ahtisaari do të jetë në tavolinë dhe se do të diskutoni pastaj çështje të tjera?

Frank Wisner: Unë besoj se plani Ahtisaari është në tavolinë në kuptimin se ai është përkrahur nga pala shqiptare dhe nga pjesë dërrmuese në Evropë, nga SHBA-ja dhe ai është një plan shumë i mirë dhe ne do t'i qëndrojmë afër atij plani dhe jo të devijojmë nga ai.

Plani ka përshkrime shumë të rëndësishme dhe të negociuara me kujdes që do t'i ofrojnë Kosovës një të ardhme nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Po plani Ahtisaari do të jetë në tavolinë por jo të copëtohet, si një bazë për të ecur përpara.

BBC: Por ambasador pala kosovare nuk i favorizon këto bisedime, kurse pala serbe ka thënë se ajo do bisedime por të pakushtëzuara dhe të paafatizuara?

Frank Wisner: Mbase më duhet të dalloj me ju paksa në vlerësimin tuaj. Kam biseduar me palën shqiptare dhe atë serbe dhe unë jam i sigurt se të dyja palët janë të gatshme të angazhohen seriozisht në këto 120 ditë të angazhimeve.

BBC: Pra mund të shohim një diplomaci shëtitëse?

Frank Wisner: Unë e imagjinoj se treshja do të duhet të takohet së pari, pastaj duam që të dëgjojmë pikëpamjet e të dyja palëve dhe kjo na bën që të shetitemi nga një në kryeqendrën tjetër. Por ne nuk e kemi saktësuar axhendën ende.

BBC: Dhe kur do të filloni të llogarisni kohën?

Frank Wisner: Ky është një proces i OKB-së dhe po presim një lloj shenje nga Sekretari i Përgjithshëm. Unë nuk mund ta parashoh se kur do të ndodh ësepse nuk jam në zyrën e tij por njerëzit e mi punojnë ngushtë. Unë nuk pres shtyrje të gjatë.

BBC: Ambasadori Wisner, nëse KS i OKB-së nuk ka mundur të arrijë një marrëveshje, atëherë e vlerësoni se tani Grupi i Kontaktit dhe ju si treshe ndërmjetësuese do të arrini një marrëveshje për statusin e Kosovës?

Frank Wisner: Unë nuk do të parashikojë se çfarë do të ndodhë në fund, por dua të mendoj se të gjitha palët do të shfrytëzojnë këtë 120 ditësh të angazhimit me një përkushtim serioz, të jenë të gatshme të përmbysin të gjithë ata gurë që i përmenda, të kalojnë të gjitha rrugët që janë të hapura.

Por qëndrimi i SHBA-së është i qartë se kur të përfundojnë këto 120 ditë ne duam të shohim një përfundim, rajoni duhet të ecën përpara. SHBA-ja do që ta shoh që ai po ecën përpara dhe se paqja do të ruhet.

BBC: Dhe cila do të jetë zgjidhja pas 120 ditësh?

Frank Wisner: Ta lejojmë që ky angazhim të fillojë. Por nëse doni të dini cili është qëndrimi amerikan atëherë i keni pikat referuese të saj çfarë tha presidenti në Tiranë.

LOKALE
BE emëron emisarin për Kosovën
29 korrik 2007 | Faqja Kryesore
Pak gjasa për sukses në fazën e re
25 korrik 2007 | Faqja Kryesore
Rice kërkon durim nga shqiptarët
24 korrik 2007 | Faqja Kryesore
KS ngrin bisedimet për statusin e Kosovës
21 korrik 2007 | Faqja Kryesore
TË JASHTME
BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të jashtme të internetit
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>