 | | | Gallach thotë se po konsiderohen diplomatë me përvojë për bisedimet |
Bisedimet Grupit të Kontaktit të mërkurën i kanë dhënë një dinamikë të re negociatave për të ardhmen e Kosovës, kështu i tha BBC-së Christina Gallach, zëdhënësja e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Havier Solana. Zonja Gallach tha se takimi të mërkurës ishte vetëm takimi i parë, dhe se tani diplomatët ndërkombëtarë po shihnin modalitetet e negociatave të ardhshme mes Prishtines dhe Beogradit. Zëdhënesja e shefit të diplomacisë evropiane tha se për drejtimin e negociatave po konsideroheshin diplomatë me përvojë, por se ende nuk ishte arritur në një emër të përveçëm. Ajo tha se kontributi dhe përvoja e zotit Ahtisaari do të ishin të mirëpritura. Zonja Gallach shprehu vendosmërinë e Bashkimit Evropian për një zgjedhje sa më të pranueshme për Kosovën: Sokol Gruda bisedoi me zonjën Gallach dhe fillimisht e pyeti se si do ta përshkruante ajo takimin e parë të pjestarëve të grupit të Kontaktit për Kosovën në Vienë: BBC: Si do t'i përshkruanit bisedimet e djeshme? Zonja Gallach: Mund t'a përshkruaj si seancën e parë të punës të Grupit të Kontaktit pas dështimit në Kombet e Bashkuara për të arritur një marrëveshje. Pra, anëtarë të lartë të të gjithë Grupit të Kontaktit dhe të Bashkimit Evropian u ulën për disa orë për të diskutuar përgatijet dhe organizimin e fazës tjetër të bisedimeve. BBC: Zonja Gallach, nga sa është marrë vesh për takimin, ka pasur mosmarrëveshje që në fillim përsa i përket kohëzgjatjes së bisedimeve. A mund të flitet se ka qënë takim i suksesshëm? Zonja Gallach: Unë nuk do të isha aq pesimiste. Siç thashë dhe më parë kjo ishte seanca e parë pasi bisedimet në OKB dështuan. Sigurisht që ata nuk arritën një marrëveshje të plotë mbi modalitetet. Por në jemi inkurajuar sepse pati progres dhe se kemi besim që pas disa ditësh ne do të jemi në gjendje do t'i kemi sqaruar këto modalitete dhe mekanizma dhe po ashtu do të jemi në gjendje që të fillojmë këto negociata. BBC:Zonja Gallach fjala progres është përmendur edhe për bisedime të tjera, por në përgjithësi është bërë pak progres për një zgjidhje të çështjes të statusit të Kosovës. A jeni dakord me këtë? Zonja Gallach: Po unë jam dakort më ju që ne nuk kemi arritur një marrëveshje nga të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare dhe të dyja palët për të ardhmen e statusit të Kosovës. Por nëse u kthehemi bisedimeve të së mërkurës dhe të dinamikave të reja që u shpalosën pas dështimit të Këshillit të Sigurimit javën e kaluar, ne kemi hapur mekanizma të reja. Me bisedimet e para Bashkimi Evropian është plotësisht i vendosur për të filluar shumë shpejt këto bisedime. Ne jemi të mendimit që duhet ta marrim këtë çështje në konsideratë. Gjithashtu jemi të bindur që këto bisedime nuk duhet të zgjasin pa fund, në kuptimin se duhet të ketë një kohëzgjatje të qartë. Prandaj tani kur i kemi konsultuar këto çështje me anëtarët e Grupit të Kontaktit dhe këto negociata do të vazhdojnë dhe shpejt do të fillojnë bisedimet. BBC: Kur thoni se negociatat do të fillojnë shpejt. Për sa shpejt bëhet fjalë? Zonja Gallach: Po e përsëris edhe një herë. Puna po vazhdon, dje shënuam progres. Ne duhet të biem dakort për kuadrin e bisedimeve. Duhet të biem dakord për modalitetet se çfarë duhet të bëjmë gjatë kësaj periudhe kohore, e cila do të jetë e kufizuar, se kur duhet të zhvillohen negociatat. Por siç thashë më parë në kemi besim se do të jemi në gjëndje, kemi besim se për një periudhe prej disa ditësh, dhe mos me pyesni sa ditë se nuk jam në gjëndje të them, por në kemi diplomatë që janë të angazhuar plotësisht për këtë. BBC: Bisedimet do të fillojnë, pra, pas pak ditësh. Tashmë pala serbe i ka parë negociatat shtesë si fitore të saj. A mendoni se në këto negociata ka fitues e humbës? Zonja Gallach: Nuk do të mendoja në këtë mënyrë. Për mendimin tim këto bisedime bëhen për të arritur një marrëveshje në mënyrë që të kemi një Ballkan më të stabilizuar së ç'është tani. Ne duam të arrijmë një marrëveshje në statusin e ardhshëm të Kosovës. Dhe sigurisht çfarëdo që të ndodhë gjatë këtij procesi ose në fund të këtij procesi duhet që të këtë më shumë stabilitet dhe prosperitet për të gjithë kosovarët dhe të gjithe rajonin, dhe më tej edhe për Evropën. BBC:120 ditë është një afat për të cilin po flasin të gjitha palët. Në përfundim të këtij afati çfarë pritet të ndodhë? A mund të kthehemi prapë tek plani Ahtisaari? Zonja Gallach: Kjo do të jetë pikërisht se çfarë do të diskutohet gjatë 120 ditëve, pak a shumë, gjatë bisedimeve që kemi në plan të zhvillojmë. Pra, ne po përqëndrohemi në hapjen e këtij procesi dhe pas 120 ditëve ne do të diskutojmë përsëri deri ku kemi arritur. Dua të theksoj angazhimin e Bashkimit Evropian dhe të gjithë ministrave që u mblodhën këtu në Bruksel të hënën ishte i qartë. Të punojmë shumë seriozisht, me vendosmëri gjatë këtyre muajve të ardhshëm për të arritur një marrëveshje që të gjithë mund ta mbështesin, që do të thotë një Kosovë më e stabilizuar, po ashtu edhe një Ballkan më i stabilizuar. BBC: Duke pasur parasysh përvojën Ahtisaari, ndoshta ju do të jeni dakord me mua, se drejtuesi i negociatave, ka një punë mjaft të rëndësishme, apo jo? Kush mund të jetë ai person? Zonja Gallach: Në këtë moment zoti Solana po konsultohet më personalitete në kryeqytete të ndryshme, me shtete të reja anëtare të Bashkimit për të propozuar një person që do të përfaqësojë të gjithë anëtarët e Bahkimit Evropian dhe anëtarët e Grupit të Kontaktit. Ne e kuptojmë që amerikanët dhe rusët nga ana e tyre, edhe ata do të emërojnë një përsonalitet. Këtu bëhet fjale për një diplomat të lartë, me përvojë. Nuk është hartuar ende lista përfundimtare, por puna po vazhdon për të gjetur njëriun më të përshtatshëm që ta udhëheqë këtë proces. Dhe ka shumë të ngjarë që të mos jetë vetëm një por të jenë tre për të përfaqësuar Rusinë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara si anëtare të Grupit të Kontaktit. BBC: A mund të thoni emrat e ndonjë kandidati? Zonja Gallach: Jo, jo deri sa të formohet ekipi dhe është rënë dakort për të nga të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian, për një përsonalitet që do të propozohet. Nuk jam në gjendje të spekuloj për një personalitet të caktuar por mund të garantoj se kosovarët, Prishtina dhe Beogradi do të kenë përballë njërëz me përvojë që janë plotësisht të angazhuar për të arritur një marrëveshje dhe për të ecur përpara për arritjen e një zgjidhjeje. BBC: Zoti Ahtisaari ka thënë se është i gatshëm të ofrojë ndihmën e tij si këshilltar, nëse do t'i kerkohej një gjë e tillë...? Zonja Gallach: Nuk kam dyshim që këshillat e zotit Ahtisaari, jo vetëm që do të jenë të vlefshme por edhe shumë të rëndësishme. Ai është një personalitet i nivelit të lartë. Ai ka punuar shumë për këtë çështje. Dhe sigurisht këshillat dhe mbështetja e tij janë shumë të mirëpritura. Dhe ka shumë të ngjarë që të kemi nevojë për to. BBC: Pavarësisht mosmarrëveshjeve të momentit dhe ju sugjeruat se nuk duhet të jemi pesimistë, të gjitha palët, në fakt merren vesh për një gjë që statuskuoja mund të çojë në destabilizimin e rajonit. A mendoni se Grupi i Kontaktit do ta ketë kurajon e nevojshme për të dalë me një zgjidhje kompromisi për këtë krizë? Zonja Gallach: Nuk kam dyshim për kurajon dhe vendosmërinë e anëtarëve të ekipit të bashkësisë ndërkombëtare ku përfshihen edhe ato të Bashkimit Evropian, janë në këtë për të ardhur me një zgjidhje. Ne kemi besim të plotë për të. Çështja e Kosovës është çështja më e rëndësishme që ne duhet të përpiqemi të zgjedhim sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe si kosovarët edhe rajoni të kenë besim tek Bashkimi Evropian. |