BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 25 korrik 2007 - 07:23 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Grupi i Kontaktit takohet në Vjenë
Hartë e Kosovës
Grupi i Kontakit fillon bisedimet për zhbllokimin e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Drejtorët politikë për Ballkanin të SHBA-së, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rusisë takohen për herë të parë në Vjenë, pas ngrirjes së bisedimeve në Këshillin e Sigurimit për statusin e Kosovës.

Konsultimet për Kosovën u pezulluan në Nju Jork javën e shkuar, pas dështimit të përpjekjeve amerikano-evropiane për të bindur Rusinë që të mos kundërshtojë miratimin e rezolutës, që i hapë rrugë pavarësisë së Kosovës.

Procesi ka kaluar tani në Grupin e Kontakit, i cili pritet të vendosë për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që do të zgjasnin 4-6 muaj.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov deklaroi të martën në Moskë se bisedimet e reja për statusin e Kosovës nuk duhet të jetë të bazuara në planin e zotit Ahtisari për pavarësinë e Kosovës nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Torbjorn Sohlstrom ka thënë për BBC-në se shpreson që procesi i statusit do të rikthehet në Këshillin e Sigurimit, pas raundit të ri të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai tha se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet përmes një rruge që ka legjitimitetet dhe mbështetje të fortë ndërkombëtare.

Zoti Sohlstrom theksoi se Kosova është shumë afër realizimit të ambicieve të saja për pavarësi, por porositi udhëheqësit kosovarë që të bashkëpunojnë me faktorin ndërkombëtar dhe të mos ndërmarrin hapa të njëanshëm.

Deputetët e Kuvendit të Serbisë miratuan të martën me shumicë votash rezolutën mbi Kosovën, me të cilën i dërgohet mesazhi bashkësisë ndërkombëtare se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë.

Në tekstin e kësaj rezolute thuhet se çdo përpjekje e zgjidhjes me të cilën do të shkileshin parimet e së drejtës ndërkombëtare do të shpallej e pavlefshme dhe e rrezikshme për ekzistimin e shtetit të Serbisë.

Rezoluta u kundërshtua nga Partia Liberal Demokrate e Çedomir Jovanoviqit dhe deputeti shqiptar, Riza Halimi.

Duke komentuar tekstin e kësaj rezolute, një deputet i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se kjo tregon vazhdimësinë e politikës serbe dhe frustrimin e Beogradit për mbështetjen që po i japë bashkësia ndërkombëtare pavarësisë së Kosovës.

Sipas zotit Hoxhaj, Serbia me asnjë dokument të saj nuk mund të ndikojë në procesin e shtetformimit të Kosovës.

LOKALE
Surroi flet për BBC pas takimit me Rice
24 korrik 2007 | Faqja Kryesore
Rice kërkon durim nga shqiptarët
24 korrik 2007 | Faqja Kryesore
Statusi i Kosovës 'mund të tërhiqet' nga KS
17 korrik 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>