BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 24 korrik 2007 - 15:24 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Sohlstrom shpreson që Kosova të kthehet në OKB
Përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë, Torbjorn Sohlstrom
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian në Kosovë, Torbjorn Sohlstrom, thotë se Kosova është shumë afër pavarësisë, por për të arritur këtë zgjidhje, udhëheqësit kosovarë duhet të vazhdojnë bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar.

Zoti Sohlstrom në një intervistë për BBC-në thekson se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të bëhet përmes një procesi që ka legjitimitetet dhe mbështetje të fortë ndërkombëtare.

Megjithë pezullimin e bisedimeve në Kombet e Bashkuara për të ardhmen e Kosovës, përfaqësuesi i zotit Solana në Prishtinë shpreson që pas bisedimeve shtesë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nën udhëheqjen e Grupit të Kontaktit, procesi do të rikthehet në Nju Jork dhe zgjidhja e statusit do të bëhet përmes Këshillit të Sigurimit.

Në përfundim të misionit të tij në Kosovë, Torbjorn Sohstrom hedh poshtë zërat për përçarje të Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës.

Korrespondentja e BBC-së në Prishtinë, Violeta Hyseni bisedoi me zotin Sohlstrom.

BBC: A kishit menduar se largimi juaj nga Prishtina do të bëhej pa u zgjidhur statusi i Kosovës?
Zoti Sohlstrom: Jo. Mendoj se kur erdha në Kosovë në vjeshtë të vitit 2005, unë isha i bindur si shumë njerëz të tjerë se statusi do të zgjidhej deri në verë të vitit 2007. Në këtë kuptim, unë jam i zhgënjyer, shpresoja se do të mund të largohesha nga Kosova kur gjërat të ishin më në rregull.

 Rruga përpara mund të jetë një angazhim i vazhdueshëm me palën kosovare dhe atë serbe përmes të dërguarve të SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe Rusisë.
Përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Torbjorn Sohlstrom

BBC: Zoti Sohlstrom, Këshilli i Sigurimit ka dështuar në arritjen e kompromisit për miratimin e rezolutës për statusin e Kosovës dhe i ka kaluar çështjen Grupit të Kontaktit. Si e sheh Bashkimi Evropian këtë zhvillim?
Zoti Sohlstrom: Mendoj se është e qartë se BE-ja dhe SHBA-të po bëjnë krejt çka është e mundur për të pasur një zgjidhje që do të kishte një mbështetje të fortë ndërkombëtare. Përpjekjet tona deri më tani kanë qenë të përqëndruara në Këshillin e Sigurimit, sepse kjo është mënyra më e mirë për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare dhe legjitimitetin e zgjidhjes. Ne e kemi ndjekur këtë strategji deri të premten e kaluar dhe tani me keqardhje e pranojmë se zgjidhja nuk është arritur siç kemi dëshiruar ne. Tani do të shikojmë zgjidhjet tjera. Grupi i Kontaktit do të takohet për të diskutuar si do të angazhohemi për gjetjen e zgjidhjes. Mendoj se rruga përpara mund të jetë një angazhim i vazhdueshëm me palën kosovare dhe atë serbe përmes të dërguarve të SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, që do të punonin në emër të Grupit të Kontaktit, por këtë duhet ta definojmë bashkë me partnerët tanë.

BBC: Pra ju e mbështesni një zgjidhje që do të vinte nga Grupi i Kontaktit?
Zoti Sohlstrom: Ne duam një zgjidhje që ka një legjitimitet të madh ndërkombëtar, por na duhet ta gjejmë mënyrën si ta bëjmë këtë, pra si ta marrim mbështetjen ndërkombëtare dhe legjitimitetin për një zgjidhje që bazohet në planin e Ahtisarit. Ne po studiojmë disa opcione, por në fund të rrugës ne kemi një propozim të mirë në tavolinë, atë të z.Ahtisari dhe për të mirën e Kosovës kemi nevojë të marrim mbështetje maksimale ndërkombëtare. Në këtë drejtim duhet të shihet angazhimi ynë për bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Nuk është një angazhim për të vonuar gjërat, por për të gjetur zgjidhjen, nuk bëhet me qëllim të ndryshimit të planit të Ahtisarit, por për të rritur mbështetjen për këtë plan.

BBC: Zoti Sohlstrom, duket që zgjidhja e statusit të Kosovës do të bëhet jashtë Këshillit të Sigurimit. Çfarë ndikimi mund të kenë përçarjet në Këshillin e Sigurimit në politikën e BE-së. A mund ta përçajë kjo edhe BE-në?
Zoti Sohlstrom: Ne ende shpresojmë se në fund të kësaj periudhe të angazhimit, procesi të kthehet në Këshillin e Sigurimit dhe të kemi rezolutën. Ajo që ne e dimë sigurtë, është se na duhet zgjidhja dhe duhet të përgatitemi për këtë. Ne e dimë se për të mirën e Kosovës, për të mirën e kosovarëve që dëshirojnë të udhëtojnë në Bashkimin Evropian, të atyre kompanive që dëshirojnë të tregtojnë jashtë dhe për perspektivën evropiane të Kosovës, na duhet një mbështetje e fortë brenda Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit. Unë nuk mendoj se do të ketë ndarje të mëdha në Bashkimin Evropian. Besoj se nëse Këshilli i Sigurimit do të vendos zgjidhjen, do të ketë unitet të plotë në BE. Ka mbështetje të mjaftueshme për të ecur përpara. Ne kishim para disa ditëve një deklaratë të ministrave të BE-së që thonin se na duhet një zgjidhje e shpejtë që bazohet në planin e Ahtisarit. Kjo nuk përkon me ndarjen që përmendi në Bashkimin Evropian për çështjen e Kosovës. Rruga është e qartë dhe ka mjaft unitet.

BBC: Por duke pasur parasysh qëndrimin e Rusisë për statusin e Kosovës, duket që arritja e kompromisit në Këshillin e Sigurimit për miratimin e rezolutës do të jetë e pamundur. Nëse zgjidhja bëhet përmes Grupit të Kontaktit apo ndonjë mekanizmi tjetër, a mendoni se të gjitha vendet anëtare të BE-së do të mbështesnin atë?
Zoti Sohlstrom: Nuk dua të spekuloj çfarë skenaresh mund të ketë, por për neve dy gjëra janë të qarta: së pari na duhet një zgjidhje, ky nuk është proces që zgjat pafundësisht dhe ne kemi një propozim të mirë në tavolinë dhe së dyti: Kosovës i duhet një mbështetje e fortë ndërkombëtare dhe ne shpresojmë që zgjidhja do të vie përmes Këshillit të Sigurimit.

 Kosova tani është më afër se kurrë për të realizuar ambiciet e saja.
Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Torbjorn Sohlstrom

BBC: Po nëse zgjidhja vie nga Prishtina dhe institucionet e Kosovës e shpallin njëanshëm pavarësinë?
Zoti Sohlstrom: Për fat të keq zgjidhja nuk është në duar të udhëheqësve në Prishtinë. Mendoj që ajo për çka ka nevojë Kosova, është që bashkësia ndërkombëtare ta njohë pavarësinë e saj. Kjo njohje nuk vjen përmes shpalljes së pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. Tani Kosova duhet ta pyes veten, si është më së miri të fitojë këtë njohje nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Rusia. A është më mirë të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare në këtë process apo të vendos e vetme. Unë mendoj se strategjia më e mirë është të punohet me bashkësinë ndërkombëtare, sepse ju dëshironi automatikisht mbështetje dhe njohje të pavarësisë. Kosova tani është më afër se kurrë për të realizuar ambiciet e saja, sepse ka bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar dhe Ekipi Negociator ka pasur qasje konstruktive në negociata. Mendoj se kjo është strategjia më e mirë për Kosovën.

BBC: Por, Ekipi Negociator është çdo ditë e më shumë nën presionin e opinionit publik për të shpallur pavarësinë e Kosovës. Ju keni takuar shumë herë udhëheqësit kosovarë dhe e njihni strategjinë e tyre. A mendoni se ata do ta shpallin pavarësinë njëanshëm?
Zoti Sohlstrom: Mendoj se ata do ta bëjnë atë që është në të mirë të Kosovës e kjo është bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar.

BBC: Zoti Sohlstrom, çfarë do të ndodhë me misionin e ardhshëm të BE-së, nëse nuk do të ketë rezolutë në Këshillin e Sigurimit?
Zoti Sohlstrom: Mendoj se jemi në një kaptinë të re, kemi hapur negociata të reja ndërmjet anëtarëve të BE-së dhe partnerëve tanë në Grupin e Kontaktit. Nuk i kam ende të gjitha përgjigjet. Por është e qartë se prania e ardhshme civile ndërkombëtare do të jetë më e vogël edhe për nga madhësia, edhe për nga pushteti dhe kjo prani është e lidhur me statusin. Ne nuk e shohim çështjen e misionit tonë të ndarë nga statusi. Ne tani jemi përqëndruar të kemi një rezultat për statusin.

BBC: A i keni përfunduar të gjitha përgatitjet në terren për praninë e BE-së pas statusit në Kosovë?
Zoti Sohlstrom: Mund të them me siguri të plotë se nëse Këshilli i Sigurimit përmes ndonjë mrekullie do të mblidhej sot dhe do të miratonte rezolutën bazuar në planin e Ahtisarit, ne jemi të gatshëm të hapin zyrën civile ndërkombëtare brenda 24 orëve dhe ajo do të funksiononte mirë. Ka ende gjëra që mund t'i bëjmë që të përgatitemi më mirë, siç është çështja e misionit në fushën e rendit dhe ligjit, por në fund të fundit ne jemi gati dhe jam i lumtur ta them se ne nuk do t'i vonojmë kurrë gjërat. Ç'është më e rëndësishmja, Kosova është sot më gati se që ishte para disa muajsh. Një pjesë e madhe e punës sonë është bërë në bashkëpunim me qeverinë dhe opozitën, për të bërë përgatitjet e ndryshme për obligimet me të cilat do të ballafaqohet Kosova pas zgjidhjes së statusit, siç është kushtetuta, legjislacioni, buxheti. Ne tani kemi projekt-kushtetutën, po punohet në dy projekligje shumë të rëndësishme për zbatimin e planit të Ahtisarit dhe marrjen e kompetencave nga institucionet e Kosovës në fushën e marrëdhënieve me jashtë, sigurisë dhe çështjeve tjera të rëndësishme, kemi planin buxhetor për zbatimin e pakos së Ahtisarit. Në këtë drejtim ka gjëra që ende mund të bëhen, kushtetuta mund finalizohet, legjislacioni mund të kompletohet, përgatitjet buxhetore mund të përmirësohen. Mendoj se institucionet e Kosovës duhet të shfrytëzojnë këtë kohë për të finalizuar përgatitjet. Nëse Kosova është gati, do të jetë shumë më lehtë për bashkësinë ndërkombëtare të jetë gati poashtu.

BBC: Dhe a jeni të kënaqur me punën që është bërë në këtë drejtim nga institucionet vendore?
Zoti Sohlstrom: Në parim, po.

BBC: Zoti Sohlstrom, cili është roli juaj në përgatitjen e kushtetutës dhe simboleve. Ka pasur spekulime në media se ju dhe zyrat diplomatike në Prishtinë po ndërhyni në institucioneve vendore?
Zoti Sohlstrom: Ky është tani një proces i Kosovës, ne ndërkombëtarët kemi dy role: së pari të ndihmojmë me përvojat tona dhe ne e kemi bërë këtë dhe roli i dytë është të sigurohemi se puna që po bëhet është në përputhje me atë që parashihet me planin e Ahtisarit. Kjo do të thotë se të gjitha paragrafet dhe fryma e planit të Ahtisarit duhet të reflektohet në kushtetutën e Kosovës. Nganjëherë ndoshta ne kemi japur këshilla në mënyrë që më pas, institucionet vendore të mos kenë vështirësi me praninë e ardhshme civile ndërkombëtare për këtë çështje. Në përgjithësi puna për nxjerrjen e kushtetutës po shkon mirë dhe unë jam i bindur se Kosova do të ketë një kushtetutë të mirë në kohë të duhur.

BBC: Po sa i përket simboleve?
Zoti Sohlstrom: Edhe përgatitjet për simbolet po shkojnë mirë, ka pasur një konkurs për flamurin dhe stemën. Ka pasur interesim të madh dhe janë përcaktuar kriteret teknike dhe politike. Nëse burimet e mia janë të sakta, janë rreth 1,500 propozime për flamur që pritet të vlerësohen nga Ekipi Negociator. Kjo tregon se qasja ka qenë e mirë dhe se nëse Kosova dëshiron, do ta ketë gati flamurin në kohën e duhur.

BBC: A ka zyra juaj ndonjë rol në zgjedhjen e simboleve?
Zoti Sohlstrom: Roli ynë ka qenë si pjesë e grupit punues që ka organizuar shpalljen e konkursit për të siguruar se kriteret për zgjedhjen e simboleve nuk do të jetë në kundërshtim me planin e Ahtisarit. Zyra ime bën planifikimin e punës së zyrës civile ndërkombëtare pas statusit, e cila do të ketë fuqi të vetos në disa fusha. Ne kemi qenë pjesë e procesit për të siguruar se zgjedhja e simboleve do të jetë e pranueshme për praninë e ardhshme civile ndërkombëtare. Ky ka qenë roli ynë, ndërsa zgjedhja e flamurit që më së miri reflekton Kosovën apo atij që është më i bukuri, është zgjedhje krejtësisht e udhëheqësve politikë të Kosovës dhe Kuvendit.

BBC: Zoti Sohlstrom, me çfarë përshtypjesh po largoheni nga Kosova?
Zoti Sohlstrom: Po largohem me përshtypje të përziera, në njërën anë po shkoj me shumë optimizëm, ka shumë energji në Kosovë, shumë gjëra po ndodhin, është një popullsi e re që dëshiron shumë, por gjithashtu po largohem me përshtypjen se ka shumë sfida, jo vetëm për statusin, edhepse kjo është shumë e rëndësishme për Kosovën. Por gjithashtu do të ketë nevojë pas statusit për të kapur një mori gjërash. Nganjëherë më duket se Kosovën duhet krahasuar me ngasjen e makinës natën. Ju ngasni makinën dhe një makinë tjetër që vie në drejtim tuajin, ju verbon me drita të gjata. Kështu ndodhë edhe me çështjen e statusit në Kosovë. Udhëheqësit politikë të Kosovës po ngasin makinën, por për shkak të dritave verbuese nuk mund të përqëndrohen në rrugën që e kanë përpara, nuk i shohin gropat që ekzistojnë në këtë rrugë. Këto gropa kanë emër të ndryshëm: ekonomia, arsimi, rendi dhe ligji, korrupsioni, prandaj mendoj se Kosovës i duhet zgjidhja e statusit për shumë arsye. Do të jetë thelbësore që udhëheqësit politikë dhe shoqëria e Kosovës të jenë në gjendje që të merren për këto çështje, të merren me reforma afatgjate dhe të gjejnë konsensusin e nevojshëm për integrimet evropiane pas statusit. Vetëm me arritjen e këtij konsensusi, Kosova do të ketë sukses. Nëse ky konsensus ekziston, Kosova mund të lëvizë shumë shpejtë përpara. Unë shoh shumë energji, potencial dhe vullnet. Unë do të jem në mesin e atyre që do të vijnë në Kosovë për të takuar miqtë, për të parë si po ecin gjërat dhe ndoshta për të punuar me ju prapë.

BBC: Dhe së fundi zoti Sohlstrom, keni jetuar në Prishtinë gati dy vjet. Çka ju ka pëlqyer dhe çka nuk ju ka pëlqyer këtu?
Zoti Sohlstrom: Më pëlqen energjia e njerëzve, ndërsa nuk më pëlqen mungesa e energjisë elektrike.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>