|
Rice kërkon durim nga shqiptarët | |||||||||||||||||||||||
Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice i bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë të Kosovës të hënën në Uashington që të tregojnë durim në procesin për pavarësimin e Kosovës. Znj. Rice u takua me Ekipin Negociator të Kosovës dhe bisedoi për status-quo-në ku ndodhet aktualisht procesi i zgjidhjes përfundimtare të statusit. Sekretarja Rice kërkoi që pala shqiptare të tregonte durim në kushtet kur Këshilli i Sigurimit e ka lënë pezull diskutimin për këtë çështje pas kundërshtimit të Rusisë. Ajo i bëri thirrje anëtarëve të delegacionit kosovar që të mos e shpallin pavarësinë e Kosovës në mënyrë të njëanshme dhe të vazhdojnë përpjekjet diplomatike edhe për 120 ditë të tjera, siç e parashikon projektrezoluta e modifikuar. Sipas znj. Rice, SHBA është e angazhuar që të arrijë njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës brenda muajsh, edhe në mungesë të një rezolute të KS. Pas takimit me znj. Rice, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Kosova nuk do të deklaronte pavarësi të njëanshme nga Serbia. Z. Sejdiu tha se çfarëdo shkëputje zyrtare nga Serbia do të bëhej në partnerit të ngushtë me vendet mike, si Shtetet e Bashkuara. "Natyrisht, Kuvendi i Kosovës do të japë mendimin e vet, apo do të deklarojë pavarësinë e Kosovës, tha z. Sejdiu, dhe kjo mendoj se do të bëhet po ashtu në bashkëpunim të thellë me të gjithë ata që do ta njohin Kosovën në një moment shumë shpejt aps shpalljes së pavarësisë". Vazhdojnë negociatat Uashingtoni po tregon kujdes për të gjetur mënyrën e përshtatshme për ta bindur Rusinë që të heqë dorë nga kundërshtimi dhe vendosja e vetos në KS për projektrezolutën që do t'i jepte Kosovës pavarësi të mbikqyrur ndërkombëtarisht. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean Mcormak deklaroi se SHBA po i vazhdonte kontaktet me Rusinë për këtë çështje. Ndërkohë, qëndrimi amerikan është pro-pavarësisë së mbikqyrur, në përputhje me propozimin e të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. Z. Mcormak tha se situata ishte delikate dhe theksoi se nuk do të fitohej asgjë me krijimin e një 'qarku të shkurtër' të procesit diplomatik që është në veprim. Mcormack nënvizoi se SHBA e ka të qartë se cili është fundi i këtij procesi. Sipas palës amerikane, pas 120 ditë bisedimesh shtesë, nuk do të ketë më vonesë në zgjidhjen e statusit. Gjate kësaj kohe Kuvendi i Kosovës do të japë pëlqimin për një kushtetutë të re, do të miratohet ligj i ri për zgjedhjet, flamur i ri e simbole kombëtare dhe do të ofrohen garanci për pakicën serbe në Kosovë. Delegacioni negociator i Kosovës u takua edhe me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Stephen Hadley. Zonja Rice pritet të takohet të enjten në Uashington me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremic. | LOKALE Surroi flet për BBC pas takimit me Rice24 korrik 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||