|
Thaçi skeptik për rolin e Këshillit të Sigurimit | |||||||||||||||||||||||
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, sponsorizues të projektrezolutës për Kosovën, zyrtarisht e kanë dorëzuar atë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pritet që deri në fund të javës ajo të hidhet për votim. Projektrezoluta e pestë e diskutuar mes anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ofron një afat shtesë prej 120 ditësh të bisedave mes Prishtinës dhe Beogradit. Ajo i hap rrugën vendosjes së një misioni të ri ndërkombëtar të Bashkimit Evropian në vend të UNMIK-ut. Rezoluta, megjithëse nuk parasheh zbatimin automatikisht të planit Ahtisaari, i hap rrugën zgjidhjes së statusit, një lloj pavarësie për Kosovën. Por projektrezoluta është kundërshtuar nga përfaqësuesi rus në OKB i cili ka thënë se ajo ka shanse zero për të kaluar. Përfaqësuesit britanikë në OKB, megjithatë, kanë theksuar se rezoluta mund të votohet në Këshillin e Sigurimit deri ditën e premte. Nëse ajo nuk kalon, besohet se problemi i Kosovës do të kalojë në duart e Grupit të Kontaktit, ku asnjëri vend anëtar nuk ka të drejtë vetoje. Në Kosovë, ndërkaq, janë shprehur rezerva ndaj mundësisë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së ta zgjidhë problemin. Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dështuar në zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe tani i mbetet Washingtonit dhe Brukselit që ta gjejnë zgjidhjen për të ardhmen e Kosovës. Në një bisedë me BBC-në zoti Thaçi ka thënë se udhëheqja kosovare nuk mund të përçojë mesazhe kërcënuese dhe as të vendosë kushte, por duhet të japë mesazhin se Kosova është e gatshme për pavarësinë. Ai ka thënë se Kosova do të pavarësohet, qoftë përmes Këshillit të Sigurimit, qoftë jashtë tij. Zoti Thaçi ka shfaqur besimin e plotë te Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Sipas tij, Kosova duhet të dëshmojë se është unike dhe se pavarësia e Kosovës do të ndërtohet në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Arbër Vllahiu, zhvilloi një bisedë me zotin Thaçi dhe fillimisht e pyeti nëse pas dështimit të miratimit të një rezolute, po zbehet roli i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në raport me Kosovën. Z. Thaçi: Definitivisht, roli i Këshillit të Sigurimit për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës është dobësuar dhe mund të themi se është i dështuar. Prandaj sot janë dy adresa të qëndrueshme dhe vendimmarrëse për të ardhmen e Kosovës, Kosovën e pavarur dhe sovrane si dhe njohjen ndërkombëtare: Uashingtoni dhe BE-ja. Tani në prag të vizitës në SHBA të politikës kosovare, mendoj se ne do të paraqesim qëndrimin shumë të qartë, shumë të vendosur, por edhe të kërkojmë një zotim në rritjen e angazhimeve të premtimeve të presidentit Bush që Kosova të pavarësohet që tani. Nuk kemi kohë për të humbur. Qytetarët duhen respektuar dhe vlerësuar lart për mirëkuptimin që kanë treguar, por në këtë drejtim kërkohet vendim në mënyrë që e ardhmja e Kosovës, e qytetarëve të saj të jetë e qartë, të jetë shtet i pavarur dhe sovran, vend i zhvilluar ekonomikisht, të hapet rruga e sigurtë për integrim në strukturat e BE-së dhe në NATO. BBC: Zoti Thaçi, ju po thoni se do të shkoni me një qëndrim të qartë në SHBA. Pas dështimeve në Këshillin e Sigurimit a do të thotë kjo se ju do të mbani qëndrimin se Kosova do të shpallë në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj? Z. Thaçi: Ne duhet të dërgojmë porosinë se Kosova është e përgatitur dhe se është unike. Ne nuk mund të vëmë kushte, ultimatume, porosi kërcënuese, por thjesht mund të dërgojmë dhe duhet të dërgojmë porosi të zotimeve për marrjen e përgjegjësive për ndërtimin e shtetit dhe, natyrisht, të përshpejtimit të nxjerrjes së vendimit nga komuniteti ndërkombëtar për Kosovën shtet. BBC: Pra, ju prisni që e gjithë situata të zgjidhet jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi kishte kundërshtime dhe bllokadë? Z. Thaçi: Definitivisht, në njërën ose formën tjetër, në njërën ose rrugën tjetër, Kosova do të pavarësohet. Qëndrimi i Uashingtonit është shumë i qartë dhe shumë i vendosur. BE-ja do të ketë gjithashtu një qëndrim të qartë. Natyrisht, aty janë 27 vende dhe kërkohet të bisedohet me secilën veç e veç që të arrijmë një vendim perëndimor për të ardhmen e Kosovës dhe unë besoj se kjo do të ndodhë. Ne duhet të dërgojmë porosinë e qartë në Uashington se Kosova është unike, se pavarësinë do ta ndërtojmë në partneritet dhe orientimi ynë është një orientim i cili është i pranueshëm për qytetarët e Kosovës dhe, natyrisht, i respektueshëm nga komuniteti ndërkombëtar. BBC: Zoti Thaçi, ju besoni në unitetin kosovar. Por a nuk e ka zbehur këtë unitet vetë shtyrja e zgjidhjes së statusit të Kosovës? Z. Thaçi: Ne kemi qenë në konflikt me Serbinë për më tepër se një shekull. Kemi zhvilluar luftë të përgjithshme dhe e kemi larguar Serbinë nga Kosova. Bashkarisht me ndërkombëtarët, me sakrificat kosovare dhe përpjekjet e ndihmat ndërkombëtare, kemi kaluar tranzicionin demokratik me lëshime, dobësi dhe suksesin e arritur deri tani. Tani duhet të përkushtohemi që të kemi avancime përkushtuese të përbashkëta. Unë dhe populli i Kosovës i besojmë SHBA-së dhe Evropës perëndimore për të ardhmen e statusit politik të Kosovës, për të ardhmen e saj si shtet i pavarur dhe sovran. Rrugë tjetër nuk kemi. Nuk pajtohem me njerëzit që nxitohen për ta akuzuar Washingtonin ose BE-në për vendimin për statusin politik. Ne duhet ta dijmë se miqtë dhe partnerët tanë janë duke zhvilluar beteja të mëdha për të ardhmen e statusit me kundërshtarët e pavarësisë. BBC: Por, cilat do të jenë veprimet e ardhshme të faktorit politik në Kosovë në periudhën e pritjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës? Z. Thaçi: Mendoj se faktori vendimmarrës në politikën kosovare është unik dhe i përgatitur. Dhe pjesëmarrësit simbolikë të skenës politike kosovare kanë opinionet e tyre të kundërta, por statusi politik i Kosovës nuk duhet të kalojë në faza propagandistike, fushata mediale apo elektorale në kuptimin e fitimit të ndonjë simpatie ose opinioni pozitiv momental në dëm të interesave të qytetarëve të Kosovës. Statusi politik i Kosovës, pavarësia, nuk është pronë e asnjë lideri ose grupi liderësh, e asnjë formacioni të caktuar, është vullneti dhe sakrifica e qytetarëve të Kosovës dhe këtë vullnet e sakrificë e të drejtë e kemi për obligim ta implementojmë dhe kjo do të ndodh. BBC: Dhe do të ndodhë statusi dhe zgjedhjet së bashku? Z. Thaçi:Jemi në fazën përfundimtare të respektimit të axhendës për organizimin e zgjedhjeve të rregullta në kohën e rregullt. Demokracia duhet të funksionojë. Vetëm një lidership me legjitimitet qytetarësh mund të flasë dhe vendosë për të ardhmen e Kosovës. Ne së shpejti duhet të caktojmë datën e organizimit të zgjedhjeve të lira në nivel qendror dhe lokal, por, në të njëjtën kohë, duhet të kemi edhe instrumentin e marrëveshjes për vazhdimin e unitetit veprues në axhendën tonë shtetformuese me komunitetin ndërkombëtar. BBC: Dhe së fundi, më lejoni t'i kthehem edhe njëherë çështjes së statusit dhe bisedave me Serbinë. Do të hyni sërish në bisedime të reja për cështjet që janë diskutuar deri tani? Z. Thaçi: Në raport me Serbinë gjithçka ka përfunduar. Ne Serbinë e kemi larguar nga Kosova. Në raport me komunitetin ndërkombëtar ne do të respektojmë axhendën shtesë të komunitetit ndërkombëtar për nxjerrjen e vendimit për Kosovën shtet i pavarur dhe sovran. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||