BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 20 korrik 2007 - 08:11 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
KS mund të mos e hedhë në votim projektrezolutën
Këshilli i Sigurimit
Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane që kanë paraqitur projektrezolutën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit,
thonë se mund të mos kërkojnë nje seancë votimi.

Mësohet se ato ka mundësi të inkurajojnë bisedime të reja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Emyr Jones Perry, tha se nuk kishte kuptim që projektrezoluta të hidhej në votë në kushtet kur Rusia vazhdonte ta kundërshtonte tekstin.

Bashkësponsorizuesit e rezolutës, SHBA dhe BE, i dhanë të enjten Rusisë një afat tjetër prej 24 orësh që të ndryshojë qëndrimin për projekt-rezolutën dhe të hapë rrugën për vendosjen e misionit të ri ndërkombëtar në Kosovë.

Përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit e ka kundërshtuar fuqishëm projekt-rezolutën e paraqitur që ditën e hënë dhe ka deklaruar se asnjë tekst nuk mund të kalojë pa përkrahjen e tij.

Projektrezoluta e re bën thirrje për biseda të mëtejshme mes Prishtinës dhe Beogradit, por për dallim nga tekstet e mëparshme, kjo e fundit nuk e parashikon zbatimin e planit Ahtisaari edhe pas kohës shtesë.

Zgjidhje 'të reja'

Bisedat do të udhëhiqeshin, sipas saj, nga Grupi i Kontaktit ku anëtare është edhe Rusia.

Mirëpo me projektrezolutë miratohet zëvendësimi i misionit të UNMIK-ut me një mision të ri civil, të udhëhequr nga BE.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit i kanë bërë thirrje përfaqësuesit të Rusisë që të reflektojë ose në të kundërtën Këshilli do të mbetet pa një rol të caktuar rreth Kosovës.

I dërguari i posaçëm i Portugalisë për Ballkanin Përëndimor, ambasadori Antonio Tanger Correa, u ka bërë thirrje kosovarëve që të kenë durim

Bashkësia ndërkombëtare sipas tij, ka zgjidhje tjera per të ecur përpara në zgjidhjen e statusit të Kosovës në rast se Këshilli i Sigurimit dështon në marrjen e një vendimi.

Ai këto komente i ka bërë pas një takimi që ka pasur në Prishtinë me kreun e UNMIK-ut, Joakim Rycker dhe presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Portugalia ka marrë kryesimin e radhës të BE-së dhe e ka deklaruar problemin e Kosovës si përparësi të politikës së saj.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>