|
Reagimet e Prishtinës për zgjedhjet në Serbi | |||||||||||||||||||||||
Zgjedhjet presidenicale serbe në Kosovë janë vlerësuar të jenë zgjedhjet e fundit që do të organizohen në territorin kosovar. Kjo, siç thonë udhëheqësit e Kosovës, për faktin se ajo po ecën drejt pavarësimit të saj dhe se pakica serbe do të bëhet në të ardhmen, sipas tyre një urë lidhëse dhe e bashkëpunimit mes dy vendeve. Serbët e Kosovës iu përgjigjen ftesës së Beogradit zyrtar për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, duke shënuar një pjesëmarrje prej 50 për qind në zgjedhje, nga mbi 100 mijë votues serbë sa numëron trupi zgjedhor serb në Kosovë. Qytetarët serbë kanë deklaruar, gjatë ditës së dielë, se po votojnë për të ardhmen e tyre dhe për ruajtjen e sovranitetit serb mbi Kosovën, ndërkohë që pjesëtarët e komunitetit shqiptar u kanë bërë thirrje atyre që të kthehen nga jeta e tyre në Kosovë. Respekt i ndërsjelltë Autoritetet e Prishtinës kanë thënë se duan që të ndërtojnë një të ardhme të respektit të ndërsjellë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, ka thënë se patriotizmi më i madh i shqiptarëve të Kosovës do të jetë respektimi i të drejtave të pakicave. "Zhvillimet në Beograd nuk ndikojnë në Kosovë. Duam të kemi raporte të fqinjësisë së mirë dhe do të ndërtojmë në të ardhmen raporte të respektit reciprok. Ne do ta respektojmë të drejtën legjitime të Beogradit për interesim për serbët, qytetarë të Kosovës. Zgjedhja e autoriteteve institucionale në Beograd është vullnet i popullit të Serbisë. Unë dua të besoj se qytetarët serbë do ta bëjnë zgjedhjen e tyre. Por Kosova ka rrugën e vet. Unë dua të shoh demokraci në gjithë rajonin", ka thënë kryeministri Thaci. Ndërkohë serbët e Kosovës, që përgjithësisht kanë bojkotuar zgjedhjet për institucionet kosovare,kanë marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet e organizuara nga Beogradi zyrtar. Një numër i serbëve, të cilësuar të moderuar, shpresojnë se kandidati presidencial, Boris Tadiq, do të fitojë në raundin e dytë, ndërkohë që sipas analizave të deritashme, numri më i madh i votuesve serbë në të gjitha zgjedhjet e deritashme ka votuar kryesisht për partitë që nuk mbështesin zotin Tadiq. Rezultate paraprake Sipas rezultateve paraprake, të publikuara, kandidati presidencial nga radhët e radikalëve serbë, Tomisllav Nikoliq, ka marrë afro 57 për qind të votave në Kosovë kurse demokrati Tadiq, rreth 26 për qind të votave të serbëve të Kosovës. Ndërkohë, autoritetet ndërkombëtare në Kosovë kanë deklaruar se sfida më e madhe e tyre në ditën e zgjedhjeve presidenciale serbe, ishte siguria dhe liria e lëvizjes për pjesëtarët e pakicës serbe. "Zgjedhjet serbe nuk janë penguar, por as nuk janë ndihmuar nga UNMIK-u. Ajo që mund t'ju them është se SHPK-ja ka njoftuar se nuk ka patur probleme të sigurisë që është shenjë e mirë. Shqetësimi ynë kryesor, natyrisht edhe i SHPK-së, KFOR-it dhe të policisë së UNMIK-ut, ishte të sigurojmë lirinë e lëvizjes ashtu sic e bëjmë çdo ditë. Dhe mendoj se këtë e kemi bërë. Ne nuk i kemi vëzhguar këto zgjedhje, por sipas burimeve që ne kemi, nuk ka patur asnjë incident dhe cdo gjë ka shkuar si çdo ditë tjetër," ka thënë zëdhënësi i UNMIK-ut Russell Geekie, për BBC-në. Megjithë faktin se autoritetet vendase në Kosovë kanë deklaruar se zgjedhjet serbe nuk mund të ndikojnë mbi të ardhmen e Kosovës, ato deri tash kanë shtyrë një numër vendimesh për Kosovën edhe në BE. Sipas të gjitha gjasave edhe shpallja, siç cilësohet, e koordinuar e pavarësisë së Kosovës pritet të bëhet vetëm pas raundit të dytë të zgjedhjeve serbe, që do të zhvillohet nga data 3 shkurt. | LOKALE Presidenti i Serbisë zgjidhet me balotazh në 3 shkurt21 janar 2008 | Rajoni Serbia voton por nuk vendos 21 janar 2008 | Faqja Kryesore Radikali Nikoliq fitues i raundit të parë21 janar 2008 | Rajoni Serbët e Kosovës hedhin votën 20 janar 2008 | Rajoni Serbi - të dielën zgjedhjet presidenciale18 janar 2008 | Rajoni Serbë të Kosovës votojnë për presidentin serb17 janar 2008 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||