BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 17 janar 2008 - 11:08 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Serbë të Kosovës votojnë për presidentin serb

Mitrovica
Zgjedhjet presidenciale të Serbisë që zhvillohen të dielën do të organizohen edhe në Kosovë. Në enklavat serbe pritet të hapen 278 vendvotime.

Në përmbyllje të fushatës zgjedhore, kandidati i Partisë Radikale për president të Serbisë, Tomislav Nikolliq, mbajti të mërkurën një tubim zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Ai u premtoi serbëve të Kosovës që Serbia do t'i mbrojë gjithmonë ata dhe nuk do të lejojë pavarësinë e Kosovës.

 Kurrë nuk do të ju lë në baltë, kurrë nuk do të jeni vetëm, kurrë nuk do të jeni pa mbështetje
Tomislav Nikolliq, kandidat për president në Serbi

Lideri i radikalëve serbë iu drejtua masës prej mijëra simpatizantëve serbë në Mitrovicën Veriore.

"Kurrë nuk do të ju lë në baltë, kurrë nuk do të jeni vetëm, kurrë nuk do të jeni pa mbështetje. Më së shumti do të doja që unë ta marr këtë detyrë, por nëse nuk ndodh kështu, atëherë do ti ndihmoj ata që janë në pushtet, siç i kam ndihmuar deri tani," ka deklaruar në Mitrovicë kandidati për president të Serbisë, Tomislav Nikolliq.

Që nga viti 2000, Beogradi çdo herë ka organizuar zgjedhjet edhe në vendbanimet serbe në Kosovë, ndërsa vazhdimisht i ka ftuar qytetarët serbë që t'i bojkotojnë zgjedhjet për institucionet e Kosovës.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë thotë se nuk është pjesëmarrës në procesin e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë brenda territorit të Kosovës, por as nuk do të pengojë mbajtjen e tyre.

 Sikur edhe në të kaluarën, UNMIK-u nuk do të ndihmojë as nuk do të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë
Sven Lindholm, UNMIK

Një zëdhënës i UNMIK-ut, Sven Lindholm, nuk ka dashur të thotë nëse është e ligjshme që Serbia të organizojë dhe të mbajë zgjedhje në Kosovë.

"Nuk do të komentoj për ligjshmërinë apo paligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve. Sikur edhe në të kaluarën, UNMIK-u nuk do të ndihmojë as nuk do të pengojë mbjatjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë," tha zoti Lindholm.

Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i konsideron ilegale këto zgjedhje.

 Ne jemi të bindur se me përmbylljen e statusit politik të Kosovës në kontinuitet do të pengohet zhvillimi i aktiviteteve ilegale në hapësirën e Kosovës
Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës

"Natyrisht për Kosovën dhe qytetarët e saj si dhe për Parlamentin si institucion ligjvënës zgjedhjet për kryetar të Serbisë janë ilegale, natyrisht siç janë ilegale edhe mekanizmat tjerë të shtetit që funksionojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Ne jemi të bindur se me përmbylljen e statusit politik të Kosovës në kontinuitet do të pengohet zhvillimi i aktiviteteve ilegale në hapësirën e Kosovës", tha kryeparlamentari Krasniqi.

 Jam shtetase e Serbisë dhe do të dal në zgjedhje
Qytetare serbe e Kosovës

Qytetarët po ashtu janë të ndarë rreth mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë. Serbët në enklavat serbe, shumica e të cilëve bojkotuan zgjedhjet e Kosovës, thonë se e kanë obligim të dalin në zgjedhjet serbe.

"Po, do të dal në zgjedhje, sepse Serbinë e konsideroj ende si mëmëdheun tim dhe Kosovën si pjesë të saj, megjithëse administrohet nga Kombeve e Bashkuara. Jam shtetase e Serbisë dhe do të dal në zgjedhje," thotë një qytetare serbe e Kosovë.

Një mendim të ngjashëm ka edhe bashkëqytetari i saj, Stojani.

"Do të dal në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, sepse mendoj se ai është presidenti im. Kam të drejtën kushtetuese që të zgjedh presidentin tim dhe do ta shfrytëzoj këtë të drejtë", shprehet ky qytetar serb i Kosovës.

 Organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë pavarësisht se në cilën pjesë, paraqet cenim të integritetit të Kosovës
Shqiptar nga Prishtina

Qytetarët shqiptarë ndërkaq kanë një mendim ndryshe nga serbët.

"Mendoj që zgjedhjet serbe në Kosovë janë të panevojshme, janë jolegjitime dhe po tregojnë atë papërmirësueshmërinë e Serbisë në relacion jo vetëm me çështjen e Kosovës," thotë një qytetar shqiptar.

"Organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë pavarësisht se në cilën pjesë, paraqet cenim të integritetit të Kosovës, pavarësisht që ende nuk është zgjidhur statusi i Kosovës," tha një i ri shqiptar nga Prishtina.

Në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, Shërbimi Policor i Kosovës thotë se nuk do të sigurojë qendrat e votimit.

Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se autoritetet serbe nuk kanë kërkuar ndihmën e policisë kosovare për këtë çështje.

"Shërbimi Policor i Kosovës nuk është i involvuar në këtë process, mirëpo nëse ndodhë diçka në territorin e Kosovës ne nuk mund të rrijmë symbylltaz.

Do të thotë që ne nuk i sigurojmë ato, nuk jemi të involvuar në këtë proces, por nëse ndodhë prishja e rendit dhe qetësisë publike diku në territorin e Kosovës, është obligim i yni ligjor të reagojmë," tha zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani.

Shumica e vendvotimeve për zgjedhjet presidenciale serbe do të hapen në objekte publike, kryesisht në shkolla.

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor të Serbisë, në veri të Kosovës, ku është e përqëndruar pakica serbe, do të hapen 94 vendvotime nga gjithsej 278 sa do të ketë në gjithë vendin.

LOKALE
Kosovë - zgjedhjet 2007
23 tetor 2007 | Analiza
Votuesit drejt qendrave të votimit
17 nëntor 2007 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>