BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 08 tetor 2007 - 13:10 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
E ardhmja e Mitrovicës - Ende e ndarë!

Pamje nga qyteti i Mitrovicës
Mbi 12 mijë shqiptarë janë zhvendosur nga pjesa veriore e Mitrovicës.
Krahas paqartësive për të ardhmen politike të Kosovës mbetet e paqartë edhe e ardhmja e qytetit të Mitrovicës.

Shqiptarët dhe serbët vazhdojnë të jetojnë të ndarë në këtë qytet që nga tërheqja e forcave serbe nga Kosova dhe vendosja e misionit të OKB-së e forcës paqëruajtëse të NATO-s më 1999.

Një qytetar i pjesës jugore të Mitrovicës, Sheremet Ademi, beson se e ardhmja e qytetit të tij është e lidhur drejtpërdrejt me zgjidhjen e statusit të Kosovës.

"E ardhmja e Mitrovicës varet nga ajo se në çfarë forme Kosova do të njihet si shtet sovran," thotë zoti Ademi.

"Në qoftë se kjo bëhet përmes Këshillit të Sigurimit dhe me pëlqimin e Rusisë, mendoj se në Mitrovicë nuk do të ketë tensione, që do të kenë ndikim në zhvillimet e mëtejme politike," thotë ai.

 Pas 8 vjetësh është shumë vështirë të kthehemi në shtëpitë tona
qytetar i Mitrovicës

"Por, në rastin e kundërt nëse ndodh shpallja e njëanshme e pavarësisë dhe ajo pavarësi njihet nga shtetet me ndikim, përjashtuar Rusinë, një perspektivë e zymtë e pret Mitrovicën.

"Kjo për faktin se serbët do të jenë të motivuar, të shtyrë dhe të nxitur për arsye se ata besojnë se kanë një përkrahje të fuqishme nga vet Rusia," tha zoti Ademi.

Të zhvendosur

Mbi 12 mijë shqiptarë janë zhvendosur pas luftës nga pjesa veriore e Mitrovicës dhe pronat e tyre janë uzurpuar nga qytetarët serbë, të cilët ishin zhvendosur nga pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe pjesën jugore të Mitrovicës me shumicë shqiptare.

Një qytetar shqiptar, që nuk deshi t'i përmendet emri, ka humbur shpresat se një ditë do të mund të kthehet për të jetuar në pronën e tij në veri të Mitrovicës, të dominuar nga serbët.

"Sipas të gjitha gjasave është vështirë të organizohet kthimi jonë në veri, sepse kemi dështuar qe 8 vjet," thotë ky qytetar i Mitrovicës.

"Pas 8 vjetësh është shumë vështirë të kthehemi në shtëpitë tona, sidomos tani kur shumë shqiptarë i kanë shitur pronat dhe kemi mbetur pakicë në pjesën veriore të Mitrovicës," u shpreh një qytetar shqiptar rreth të gjashtëdhjetave.

Për shkak të situatës politike dhe raporteve të tendosura etnike në Mitrovicë, kohëve të fundit një numër i konsiderueshëm i familjeve shqiptare, që kanë jetuar në veri, u ka shitur pronat serbëve dhe anasjelltas, serbët pronat e të cilëve kanë qenë në jug u kanë shitur ato shqiptarëve.

 Pavarësisht vendimit për statusin e Kosovës, a do të jetë pavarësi apo autonomi e gjerë, është e sigurtë që së paku edhe për dhjetë vjet të tjera, Mitrovica do të jetojë si qytet i ndarë.
Branislav Krstiç, gazetar nga Mitrovica

Një gazetar serb nga Mitrovica, Branislav Krstiç, thotë se sjelljet e të dyja komuniteteve çojnë në ndarjen e qytetit.

"Sjelljet e qytetarëve janë shumë të thjeshta dhe janë porosi për ata që vendosin për statusin e Kosovës të mendojnë mirë çka do të ndodhë me Mitrovicën.

"Mendoj se pavarësisht vendimit për statusin e Kosovës, a do të jetë pavarësi apo autonomi e gjerë, është e sigurtë që së paku edhe për dhjetë vjet të tjera, Mitrovica do të jetojë si qytet i ndarë," thotë zoti Krstiç.

Sipas planit të të dërguarit të OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, pas statusit Mitrovica do të ketë dy komuna, një shqiptare dhe një serbe që do të kenë një bord të përbashkët administrativ.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramadan Kelmendi, që është nga Mitrovica, thotë se si shqiptarët ashtu edhe serbët janë të shqetësuar për të ardhmën e këtij qyteti.

I pyetur çfarë do të ndodhë me Mitrovicën pas statusit, zoti Kelmendi shpreh një optimizëm të matur.

"Shikuar nga këndi i shqiptarëve apo Ekipit Negociator nuk duhet të ndodh parimisht asgjë, do të krijohen kushte për jetesë të të gjithëve pa dallim përkatësie etnike apo fetare, ndërsa ata që i kanë duart e lyera me gjak do të ikin. Të gjithë ne që jemi qytetarë të Mitrovicës do të jetojmë dhe do të bashkëjetojmë", tha deputeti Kelmendi.

Sipas tij, nëse në Këshillin e Sigurimit do të pranohet pakoja e Ahtisaarit, pjesa veriore e Mitrovicës me shumicë serbe do ta gëzojë statusin e një komune.

 Të gjithë ne që jemi qytetarë të Mitrovicës do të jetojmë dhe do të bashkëjetojmë
Ramadan Kelmendi, deputet i Kuvendit të Kosovës

"Nëse është komunë me shumicë serbe mua nuk më pengon dhe nuk duhet ta pengojë askend, por nëse është komunë mbi bazë etnike dhe ka lidhje të mëtejshme me Beogradin, do të jetë gjenerator i krizave për tërë Kosovën," tha deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramadan Kelmendi.

Nga ana tjetër, politikani serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq, është i bindur se ndarja e qytetit do të zgjasë edhe për vite të tëra.

Sipas tij, tash për tash është joreale të mendohet se shqiptarët e serbët mund të bashkëjetojnë në një Mitrovicë të bashkuar.

"Kemi një gjendje faktike, frika e serbëve se do të dëbohen nga shqiptarët është ende shumë e pranishme. Në tërë territorin e Kosovës nuk janë vendosur kontakte ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, prandaj është vështirë të besohet se këto kontakte në Mitrovicë mund të jenë më të mira.

"Përkundrazi, për shkak të frustrimeve dhe frikës, mendoj se Mitrovica do të jenë vendi i fundit ku do të vendoset kontakti ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve," thotë zoti Ivanoviq.

Duke e vlerësuar të ndjeshëm problemin e Mitrovicës politikani serb, Oliver Ivanoviq, thekson se deri te relaksimi i raporteve ndëretnike në këtë qytet, mund të arrihet nëse shumica shqiptare i integron serbët në pjesët tjera të Kosovës, ku ata janë pakicë.

 ... Për shkak të frustrimeve dhe frikës, mendoj se Mitrovica do të jenë vendi i fundit ku do të vendoset kontakti ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Oliver Ivanoviq, politikan serb nga Mitrovica

Sheremet Ademi, avokat nga Mitrovica, beson se problemet ndëretnike në këtë qytet janë thelluar dhe nuk japin shpresa për një perspektivë të ndritshme.

"Të gjitha të këqijat janë rrënjosur dhe vështirë se në një të ardhme të afërt do të ndodhë një mrekulli e Zotit që Mitrovica e veriut apo e jugut ta ketë një paqe dhe qetësi relative, ku do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave. Kjo për mua është një perspektivë shumë e zymtë," tha zoti Ademi.

Ndërkaq gazetari, Branislav Krstiç, nga pjesa veriore e qytetit, mendon se pas statusit do të ketë përpjekje që të vendoset një formë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

"Ajo që duhet të ekzistojë për të ardhmen e qytetit është kontakti ekonomik e ndoshta edhe një administratë e përbashkët, e cila deri në një masë do të mund t'i afrojë qëndrimet dhe bashkëjetesën ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve," tha zoti Krstiç.

Situata e sigurisë në Mitrovicë paraqitet e qetë, por ajo që shihet qartë është se si shqiptarët, ashtu edhe serbët, kanë një dozë frike dhe shqetësimi pas paraqitjeve në media të grupeve të armatosura, siç është Garda serbe e Car Llazarit dhe e ashtuquajtura Armata Kombëtare Shqiptare.

Qeveria e Kosovës dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë pranuar se në veri të Mitrovicës vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele, por autoritetet thonë se nuk do të lejojnë askend ta marrë ligjin në duart e veta.

LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
Dita e Shkollës në BBC në Shqip
02 dhjetor 2006 | Analiza
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>