|
Autoritetet kundër protestës së Gardës së Car Llazarit | |||||||||||||||||||||||
Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë i kanë cilësuar provokuese për rendin dhe ligjin paralajmërimet e organizatës serbe Garda e Car Llazarit për mbajtjen e një proteste në veri të Mitrovicës. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë thotë se organizatat apo grupet e ndryshme paraushtarake që provokojnë dhunë nuk kanë vend në Kosovë. Ky reagim pason paralajmërimin e organizatës serbe, Garda e Car Llazarit për mbajtjen e një proteste më 14 tetor kundër pavarësisë së Kosovës. Një zëdhënëse e UNMIK-ut në Prishtinë, Myriam Dessable, tha se prania dhe aktivitetet e Gardës së Car Llazarit në Kosovë përbëjnë kërcënim të nivelit të lartë. Sipas saj, protesta e së dielës, në veri të Mitrovicës, mund të provokojë tensione ndëretnike. "Paralajmërimet e bëra nga kjo organizatë për planin e protestës kanë natyrë provokative me potenciale të ngritjes së tensioneve etnike. UNMIK-u dhe KFOR-i janë duke punuar së bashku për të garantuar ligjin, rendin dhe sigurinë publike në Kosovë", tha zonja Dessable. Protesta "e jashtëligjshme" Protesta e thirrur nga e ashtuquajtura Garda e Car Llazarit nga autoritetet konsiderohet e jashtëligjshme. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, ka thënë se reagimi i policisë në këtë protestë do të varet nga situata që do të krijohet. "Mënyra se si ne do të reagojmë varet nga zhvillimi i protestës. Ne nuk i ndalojmë qytetarët të protestojnë. Por jo me këtë qëllim dhe jo nga kjo organizatë", tha zëdhënësi Veton Elshani. Ndërkohë qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje organeve të rendit të mos lejojnë organizatat ilegale si e ashtuquajtura Garda e Car Llazarit të mbajnë manifestime apo protesta në Kosovë. Zëdhënësi i qeverisë, Avni Arifi, tha se aktivitetet e tilla kanë për qëllim destabilizimin e situatës. "Ato janë organizata ilegale dhe qeveria e Kosovës konsideron se tubimet e tilla nuk duhet të tolerohen. Qeveria e Kosovës, konsideron se të gjitha tubimet të cilat kanë për qëllim destabilzimin e Kosovës, nuk duhet të tolerohen", u shpreh zoti Arifi. Organizata e ashtuquajtur, Garda e Car Llazarit është formuar disa muaj më parë në Serbi dhe siç thuhet, rreth vetes mbledh ish policë serbë nga Kosova. Organizata, e cila është shpallur ilegale nga UNMIK-u, është zotuar se do të luftojë me çdo mjet kundër pavarësisë së Kosovës. Shqetësime për situatën e sigurisë Paraqitja e organizatave ilegale si nga ana serbe, ashtu edhe nga shqiptare ka ngritur shqetësimet për situatën e sigurisë, në kohën kur procesi i zgjidhjes së statusit është ndërlikuar. Forca paqëruajtëse e NATO-s thotë se po përpiqet të konfirmojë ekzistencën e këtyre formacioneve paraushtarake. Zëdhënësi i KFOR-it, Bertrand Bonneau ka thënë se këto grupe paraqesin një kërcënim për sigurinë dhe do të luftohen nga KFOR-i. Në kohën kur janë rritur shqetësimet për situatën e sigurisë, të mërkurën, ka pasur një alarm për një mjet shpërthyes në një makinë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Policia ka njoftuar se punëtorët e sigurimit të UNMIK-ut kanë vërejtjur një mjet të dyshimtë nën një makinë të OKB-së, por më pas është verifikuar se ajo nuk ishte bombë siç dyshohej. "Policia ka ardhur këtu, ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ka ndalur për qarkullim këtë rrugë, ka marrë të gjitha msat që ky vend të jetë sa më i sigurtë, kanë ardhur njësitet për deminim nga KFOR-i irlandez, kanë bërë hetimet në vendin e ngjarjes dhe ka dalë që është lajm i rrejshëm", tha zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani. | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza E ardhmja e Mitrovicës - Ende e ndarë!08 tetor 2007 | Rajoni Probleme të sigurisë në Kosovë05 tetor 2007 | Rajoni Sejdiu optimist për pavarësinë10 tetor 2007 | Rajoni Thaçi për vizitën në Londër09 tetor 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||