|
Surroi flet për zgjidhje pas statusit | |||||||||||||||||||||||
Anëtari i Ekipit Negociator të Kosovës, Veton Surroi ka thënë se 120 ditët e ardhshme të negociatave për statusin do të jetë kritike për Kosovën, e në veçanti për Mitrovicën. Kryetari i partisë ORA, u premtoi qytetarëve shqiptarë të Mitrovicës se qyteti do të bashkohet pas zgjidhjes së statusit. Prej përfundimit të luftës në Kosovë më 1999 dhe vendosjes së administratës ndërkombëtare, Mitrovica është e ndarë etnikisht. Ura mbi lumin Ibër është shndërruar në një kufi ndërmjet serbëve që përbëjnë shumicën e popullsisë në pjesën veriore të Mitrovicës dhe shqiptarëve që janë përqëndruar në pjesën jugore. 'Jo ndarje' Anëtari i Ekipit Negociator të Kosovës, Veton Surroi tha se Mitrovica nuk ka mundur të shfrytëzojë frytet e paqes në Kosovë, por do t'i gëzojë frytet e pavarësisë. "Pavarësia e Kosovës do të thotë më shumë sesa pavarësi për Mitrovicën dhe qytetarët e saj... Por përfundimisht njohja e pavarësisë së Kosovës do të thotë edhe fillim i paqes në Mitrovicë dhe në pjesën e veriut të Kosovës," tha z. Surroi. Gjatë një vizite në pjesën veriore të Mitrovicës, ku shqiptarët janë pakicë, zoti Surroi premtoi se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, e në këtë mënyrë as ndarje të Mitrovicës. Ai tha se udhëheqësit kosovarë në asnjë mënyrë nuk do të negociojnë tërësinë territoriale të Kosovës. "Nuk vihet as në tavolinë të bisedimeve çështja e ndarjes së Kosovës... Asnjëri prej nesh, asnjëri prej kolegëve të mi, lirisht mund t'ju them, nuk pranon fare të bisedojë për këto, as në teori, as në hipotezë, në asnjë mënyrë. Kosova duhet të jetë e pavarur në krejt kufijtë e saj, në këtë territor të cilin e ka sot." Pesimizëm Një i ri shqiptar, Zija Avdullahu nga fshati Suhodoll në veri të Mitrovicës mendon se edhe pas pavarësisë së Kosovës, Mitrovica do të mbetet e ndarë. Ai thotë se Serbia po i blen pronat e shqiptarëve në veri të qytetit dhe sipas tij, ekziston rreziku që kjo pjesë e Mitrovicës të boshatiset nga shqiptarët. "Mitrovica tani e tetë vjet është e ndarë...Kështu ma merr mendja ka për të mbetur edhe pas pavarësisë së Kosovës. Kam frikë edhe këta shqiptarë që jetojnë në pjesën veriore kanë me lëshuar pjesën veriore. Pra kështu që do të jetë etnikisht pastër, vetëm me serbë." Optimizëm Por Adem Mripa nga Lagjja e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës beson në normalizimin e gjendjes në këtë qytet. "Unë e besoj se për një kohë Mitrovica do të jetë një qytet i bashkuar, një qytet me prosperitet, një qytet me një të ardhme jashtëzakonisht të mirë. Besoj se për një kohë ajo do të fillojë të stabilizohet. Në pjesën e saj veriore do të fillojnë kthimet e popullsisë shqiptare të cilët kanë qenë të ndjekur". Sipas planit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, problemi i Mitrovicës do të zgjidhet në kuadër të procesit të decentralizimit të pushtetit lokal. Sipas tij, Mitrovica do të jetë një qytet me dy komuna, njërën shqiptare, tjetrën serbe, të cilat do të kenë një trup të përbashkët administrativ të udhëhequr nga një ndërkombëtar. | LOKALE UNMIK-u merr rekomandimet për zgjedhjet16 gusht 2007 | Faqja Kryesore Sejdiu rithekson pavarësinë e Kosovës15 gusht 2007 | Faqja Kryesore Mundësitë për marrëveshje kanë shterruar13 gusht 2007 | Faqja Kryesore Pavarësia 'e panegociueshme'12 gusht 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||