|
Mundësitë për marrëveshje kanë shterruar | |||||||||||||||||||||||
Njëri nga negociuesit kosovarë, Blerim Shala, i ka thënë BBC-së se nuk ka asnjë mundësi që të arrihet një marrëveshje me palën serbe për statusin e Kosovës. Ai ka thënë se në rast të mos arritjes së marrëveshjes, në 120 ditët shtesë të bisedimeve, do të duhej të rifuqizohej propozimi i presidentit Martti Ahtisaari për një pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Zoti Shala që, me pesëshen e negociuesve kosovarë, ka takuar treshen e Grupit të Kontaktit për statusin e Kosovës, ka deklaruar se janë shterrur të gjitha mundësitë për gjetjen e zgjidhjes. Ai ka shtuar se bisedimet shtesë do të përqëndrohen në emrin e statusit të Kosovës. Sipas tij, deri në fund të këtij viti do të duhej të përmbyllej kaptina e statusit të Kosovës. Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Shala dhe fillimisht e pyeti nëse me vizitën e treshes në Beograd e Prishtinë ka filluar edhe zyrtarisht 120 ditëshi i bisedimeve shtesë për statusin e Kosovës. Z.Shala: Në fakt 120 ditëshi ka filluar me deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, më 1 Gusht të këtij viti. Të gjithë faktorët relevantë e dinë se më së voni deri më 10 dhjetor të këtij viti treshja duhet të paraqitesë një raport tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, në të cilin do të përshkruhen rezultatet e angazhimeve shtesë në gjetjen e një zgjidhjeje që do të kënaqte të dyja palët. Nëse nuk do të ketë një zgjidhje të tillë, atëherë supozimet racionale janë që zoti Ban Ki Moon do ta rikthejë apo do ta rifuqizojë paketën e zotit Ahtisaari. BBC: Zoti Shala, treshja ndërmjetësuese ka thënë se do të provojë të gjejë një zgjidhje kompromisi për Kosovën. Pas 15 muajsh të bisedimeve nën drejtimin e presidentit Ahtisaari a mund të pritet një zgjidhje kompromisi në këto 120 ditë shtesë? Z.Shala: Jo! Përgjigja e shkurtër është Jo! Ju me të drejtë e theksuat se kemi patur dhjetëra takime në Vjenë, në harkun kohor prej shkurtit të vitit 2006 deri në mars të vitit 2007. Përpjekjet kanë qenë të parreshtura të zotit Ahtisaari dhe ekipit të tij, që të gjenden zgjidhjet me të cilat do të pajtoheshin edhe Prishtina edhe Beogradi, por është parë se edhe për çështjet që në shikim të parë duken shumë të thjeshta, siç është krijimi i zonave mbrojtëse për objektet fetare të Kishës Orthodokse Serbe, nuk mund të ketë pajtueshmëri midis Prishtinës dhe Beogradit. Sidoqoftë kjo është një përpjekje shtesë e treshes së Grupit të Kontaktit, e autorizuar nga Sekretari i Përgjithshëm, për të parë mos ka mbetur ndonjë rrugë pa u kaluar, mos ka mbetur ndonjë zgjidhje e cila deri tash nuk ka qenë fare e diskutuar. Por të gjithë njohësit e rrethanave politike në Kosovë pajtohen që mundësi për një kompromis të tillë nuk ka, sepse kemi të bëjmë me një dallim thelbësor midis qëndrimeve të Prishtinës dhe Beogradit. BBC: Zoti Ischinger ka thënë se suksesi por edhe dështimi do të jenë përgjegjësi e palëve… Z.Shala: Realisht edhe në fazën e parë e kemi parë se kush ka qenë bashkëpunues me zotin Ahtisaari dhe kush ka refuzuar që të jetë bashkëpunues me UNOSEK-un dhe Ahtisaarin. Siç e dini, kjo është konstatuar disa herë edhe në raportet e presidentit Ahtisaari të paraqitura në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe më në fund edhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Prandaj pala kosovare ka bërë maksimumin në 15 muajt e aktivitetit të saj në bisedimet me zotin Ahtisaari. Mendoj se ne prapë do të provojmë që të jemi sa më kooperativ por, realisht, bindja jonë është se janë shterrur të gjitha mundësitë dhe që tash e tutje, edhe sipas paralajmërimeve të vetë treshes ndërkombëtare, do të flitet për vetë emrin e statusit të Kosovës. Ndërsa këtu nuk ka asnjë gjasë teorike të ketë kurrfarë pajtimi midis autoriteteve më të larta negociatore të Kosovës dhe të Serbisë. BBC: Zoti Shala kemi një ndeshje mes dy platformave për statusin e Kosovës, asaj të Prishtinës dhe Beogradit. Nëse nuk ka një marrëveshje në këto 120 ditë, atëherë kur dhe ku do të zgjidhet problemi i Kosovës? Z.Shala: Mendoj se ekziston një propozim. Ai është i detajuar. Përbëhet nga një raport shumë i saktë i gjendjes në Kosovë dhe të historikut të ri të Kosovës nga ana e zotit Ahtisaari dhe gjithashtu përbëhet nga propozimi gjithëpërfshirës që ka parimet e përgjithshme dhe 12 anekse. Është e qartë se në diplomaci dhe politikë kur dështojnë përpjekjet shtesë për arritjen e një marrëveshjeje të re atëherë duhet t'i kthehemi një propozimi që tashmë është ekzistues. Prandaj bindja jonë, dhe jo vetëm e jona, është se nëse angazhimi i ri shtesë 4 mujor nuk do të sjellë marrëveshje të reja, atëherë duhet shkuar në rifuqizimin e raportit dhe të paketës së zotit Ahtisaari, pra që Kosova të bëhet shtet i pavarur, fillimisht i mbikëqyrur nga zyra civile ndërkombëtare dhe misioni ushtarak ndërkombëtar. BBC: Dhe kjo, sipas jush, i bie që bëhet pas datës 10 dhjetor të këtij viti? Z.Shala: Realisht do të shterren të gjitha mundësitë në javët e muajt e ardhshëm. Do të shihet edhe njëherë nga të gjithë faktorët relevantë se çfarë mund të arrihet. Prandaj është e logjikshme të pritet që deri kah fundi i vitit të përmbyllet kaptina e statusit të Kosoëvs. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||