|
Sejdiu rithekson pavarësinë e Kosovës | |||||||||||||||||||||||
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë ekskluzive për BBC-në, ka thënë se bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, do të fillojnë me 30 gusht në Vjenë. Kosova në këto bisedime, ka thënë presidenti Sejdiu, do të përfaqësohet nga udhëheqja më e lartë politike, duke përfshirë edhe atë personalisht. Në këtë takim të Vjenës, të parin në fazën shtesë të bisedimeve, nuk do të ketë bisedime të drejtëpërdrejta, por palët do të qëndrojnë në dhoma të ndara ka thënë presidenti i Kosovës. Ai është shprehur i vendosur, se Kosova nuk do të pranojë të bisedojë për asnjë zgjidhje që është më pak se sa pavarësia e Kosovës. Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Muharrem Nitaj, në intervistën që i mori presidentit Sejdiu, fillimisht e pyeti se ku gjendej procesi i statusit të Kosovës, pas fazës shtesë 120 ditëshe të bisedimeve. Presidenti Sejdiu: Ekzistojnë dy tabllo paralele të një realiteti të përbashkët. E para është se Kosova është e gatshme ta fillojë jetën e vet si shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht dhe i ka të gjitha parakushtet për një gjë të tillë. Dhe tablloja e dytë është një stanjim në proces, në kuptimin e marrjes së një vendimi ndërkombëtar në mbështetje të një propozimi që ka qenë i pranuar nga kosovarët, propozimi i presidentit Ahtisaari, si një zgjidhje e qëndrueshme për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo është një periudhë e asaj që quhet periudha e angazhimit shtesë. Delegacioni i Kosovës e ka pranuar këtë qasje për të qenë edhe një herë në një shans ose për t’i dhënë edhe një afertë Bashkësisë Ndërkombëtare në realizimin e një përpjekje që edhe ata të jenë bashkë në një vendim përfundimtar për Kosovës. dhe natyrisht për të qenë edhe ne në nivelin e përgjegjësive tona si Kosovë. Ne do ta rikonfirmojmë edhe një herë qëndrimin tonë të prerë se pavarësia e Kosovës nuk ka alternative, se ne nuk shohim asnjë vizion tjetër që mund të dëgjohet apo të amputohet në forma të ndryshme nga akcili mjedis qoftë dhe se fundi i këtij procesi do të jetë realizimi i vullnetit politik të popullit të Kosovës. BBC: Procesi për të ardhmen politike të Kosovës është zhvendosur nga Këshilli i Sigurimit në trojkën SHBA-BE-Federata Ruse. Në vend të presidentit Ahtisaari, janë emëruar tre veta për të ndërmjetësuar procesin. Çfarë paraqet kjo për këtë proces? Presidenti Sejdiu: Them se mund të jetë një shteg alternative për të unifikuar qëndrimet e këtyre faktorëve. Që nga fiillimi është thënë se kjo përpjekje bëhet, ndoshta, për të mbajtur edhe një kohezion të mirë të BE-së dhe që Rusia të ketë një rol konstruktiv, duke e pasur parasysh edhe qasjen e saj të mëparshme në Grupin e Kontaktit. Në takimin e parë që kishim me trojkën, krijohet përshtypja se ekziston ndoshta edhe gatishmëria e përbashkët që të finalizojnë këtë kohë me një rezultat konkret. Mirë është që nuk ka insistime të tyre se cila do të duhej të ishte zgjidhja, por më tepër është një përpjekje për të dëgjuar edhe një here qëndrimet e palëve. Ndoshta në aspektin e kohës do të jetë një përpjekje vetëm për të ricikluar qëndrimet tona dhe nuk mund të ketë ndonjë produkt tjetër. BBC: Pse u përmend mundësia e ndarjes së Kosovës, ishte thjesht një spekulim apo kishte diçka më shumë sepse u detyruat që të prononcoheshit edhe ju për këtë çështje? Presidenti Sejdiu: Në takimin që kemi pasur nuk ka pasur propozime apo ide të tilla. Këto janë më tepër përfolje të mëvonshme. Ambasadori Ishinger më vonë e përgënjështroji këtë, por pavarësisht se në çfarë forme është lëshuar në qarkullim, kjo është një lojë e rrezikshme e cila për Kosovën është krejtësisht e papranueshme dhe ne e kemi thënë se Kosova e kuptimin e vet në tërësinë territoriale të saj, në këta kufij, ndërkombëtarisht të ditur të Kosovës. BBC: Në rast se do të shtyhet opcioni i ndarjes së Kosovës, cila do të ishte përgjigja e Prishtinës? Do të mund të hapej çështja e shqiptarëve në hapësirat e ish-Jugosllavisë? Presidenti Sejdiu: Përgjigja jonë do të jetë shumë e qartë; ne insistojmë në këtë formulë dhe ne nuk kemi formulë tjetër. Nëse dikush tjetër ka edhe formula të këtij lloji, siç është ndarja, atëherë edhe ne do të paraqesim elemente të tjera…është çështja e shqiptarëve në jugun e Serbisë, çështja e shqiptarëve në Maqedoni por edhe elementë të tjerë. Ajo që dua të them është se për ne është shumë me rëndësi që të respektojmë stabilitetin e krijuar rajonal dhe ne nuk do të jemi ata që do të prinin në destabilizimin e gjithë Evropës juglindore. BBC: Kur do të mbahet takimi i radhës për statusin? Presidenti Sejdiu: Besoj se do të jetë data 30 gusht. Do të jetë një takim i parë me treshen. Ne do ta kemi qasjen tonë në rikonfirmim të pavarësisë si zgjidhje. Ne jemi për fqinjësi të mire me Serbinë… BBC: Kush do të udhëtojë në Vjenë nga Prishtina? Presidenti Sejdiu: Do të kemi takime intensive të Ekipit të Unitetit dhe do ta përcaktojmë delegacionin. Por mund të them se atje do të jetë Ekipi i Unitetit. BBC: A do të ketë takime sy m; sy, apo do të ketë takime të ndara në dhoma të ndryshme? Presidenti Sejdiu: Jo nuk do të ketë takime sy me sy. Ky do të jetë takim i ndarë me treshen dhe besoj se do të ketë një lëvizje të vazhdueshme të tipit të diplomacisë lëvizëse. BBC: Ju thoni se pavarësia është e panegociueshme dhe se Prishtina nuk mund të lëshoj pe më shumë, ndërkohë që pikërisht pavarësia ka qenë shkaku kryesor pse Beogradi dhe Rusia kanë kërkuar negociata shtesë. Në një situatë të tillë, marrëveshja duket e pamundshme. Presidenti Sejdiu: Ne nuk heqim dorë nga koncepti që kemi sepse është vullnet i popullit të Kosovës dhe është çështje jetike e ekzistencës sonë. Ne jemi në gjendje që të këqiat e ndodhura t'i arkivojmë vetëm në kujtesë dhe të ndërtojmë relacione të mira ndërshtetërore edhe me Serbinë, por askush dhe asnjë herë nuk mund të detyrojë popullin e Kosovës dhe institucionet e Kosovës e as përfaqësuesit e saj, që të pranojnë ndonjë gjë që është jashtë vullnetit të popullit. BBC: A e ndjeni një lloj pakënaqësie të opinionit ndaj klasës politike dhe juve personalisht? Presidenti Sejdiu: Shqetësimet e qytetarëve janë edhe shqetësimet tona, sepse kanë të bëjnë me pritjen, me punën, me veprimin tone. Është e natyrshme që qytetarët e Kosovës të dijnë qartë momentin e pavarësimit të vendit të tyre. Është e drejtë e natyrshme që ata të shprehin pakënaqësi edhe për shkak të mosrespektimit të afateve për statusin. Por unë them se ata kanë një maturi në veprimet e tyre, sepse e dinë se Ekipi i Unitetit nuk është i vetmi partner në këtë proces. Ne mund ta shpallim pavarësinë menjëherë. Por duam që këtë ta bëjmë në koordinim me faktorin ndërkombëtar. BBC: A ka në fund apo një kohë kur edhe ekipi i uniteit do të thotë se nuk mund të shkojë tutje në këtë proces. Presidenti Sejdiu: Ka një ecje që ne e quajmë ecje në realizim të projektit. Dhe unë nuk mund të them se do të ketë pafundësi. E kemi thenë dhe përsërisim me plotë përgjegjësi se Kosova nuk mund të jetë peng I tekeve të vazhdueshme të kujt do qoftë, në këtë rast të atyre që dëshirojnë ta bllokojnë procesin, ta komprometojnë procesin dhe të krijojnë situate të pasigurisë. BBC: Çfarë është sovraniteti i legalizuar që është përmendur shpesh së voni? Presidenti Sejdiu: Jo këto janë më tepër lojna. Janë lojna që vihen në një formë apo në një formë tjetër. Ju e keni parë mbase mund të jetë ndokush që bën ato krahasimet me modelin e shteteve të ish Bashkimit Sovjetik, shembullin e Ukrainës dhe shembullin e Bjellorusisë që kanë pasur mundësinë të jenë partnerë edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Por janë brenda një sovraniteti të pacënueshëm të një federate apo të një shteti i cili realisht edhe është shpërbërë. Prandaj për Kosovën këto ide janë të papranueshme. Për ne ka qënë e pranueshme dhe ne mbesim në konceptin e sovranitetit kosovar por me një pavarësi të mbikqyrur për një periudhë të ecjes së parë që nënkupton edhe ndihmën për përshpejtimin e hapit tonë në integrimet Euro Atlantike dhe që nuk do të jetë një periudhë e gjatë jo një periudhë që nënkupton një mandat të shtuar ndërkombëtar dhe një protektim i Kosovës në kuptimin e funksioneve të kufizuara të saj. Prandaj ne respektojmë atë ide që ka dhënë presidenti Ahtisarit dhe për ne është me rëndësi që vërtet Kosova të përmbushë këtë pjesë të projektit të saj, natyrisht me dëshmimin praktik në funksionimin efikas të institucioneve të veta dhe në proceset që kemi para vetvetes ti kapërcejmë shumë shpejt duke ndjerë po ashtu shanset që kemi para vetvetes se Kosova vërtetë ka mundësinë e mirë, meqë është një vend me pasuri të jashtëzakonëshme minerale dhe pasuri të tjera dhe ka pasurin e vet të veçantë njerëz të mirë që ka në brendinë e saj dhe që punojnë për të. BBC: President Sejdiu cilat janë garancitë e shteteve të mëdha që ju zakonisht i përmendni shpesh, SHBA , Bashkimi Europian. Cilat janë garancitë ose nëse ka garanci ose nëse ato mund ti thotë presidenti i Kosovës për qytetarët e vet, nëse do të ketë shtyrje të tjera të statusit apo nuk do të ketë. Presidenti Sejdiu: Unë nuk jam i prirur që të besoj se do të ketë shtyrje të tjera. Mund të jenë aspekte procedurale në fundin e kësaj periudhe. Garancat janë ato që kemi shfaqur pa rezervë edhe pas takimeve të niveleve më të larta që kemi pas se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe kjo është thënë po ashtu në nivelet më të larta të komunikimit ndërkombëtar të tyre. Keni parasysh deklaratën e presidentit Bush të dhënë gjatë vizitës së tij në Tiranë në Romë dhe në Sofje dhe një konfirmim shumë i qartë i State Department nga takimet që kishim edhe me zonjën Rice dhe me gjithë ekipin e funksionarëve më të lartë të vendit që e mbështesin këtë vizion. | LOKALE Sejdiu flet kundër ndarjes 13 gusht 2007 | Faqja Kryesore Ischinger optimist për një marrëveshje 13 gusht 2007 | Faqja Kryesore Mundësitë për marrëveshje kanë shterruar13 gusht 2007 | Faqja Kryesore Treshja kërkon kompromis për statusin12 gusht 2007 | Faqja Kryesore Pavarësia e Kosovës 'e panegociueshme'11 gusht 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||