|
Sejdiu flet kundër ndarjes | |||||||||||||||||||||||
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka thënë se pala kosovare nuk ka marrë kërkesë nga ndërmjetësit ndërkombëtarë për të diskutuar mundësinë e ndarjes së Kosovës në raundin e ri të negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Presidenti Sejdiu i bëri këto komente pasi negociatori evropian, Wolfgang Icshinger deklaroi se treshja ndërmjetësuese do të pajtohet me çfarëdo zgjidhje, për të cilën do të merren vesh Prishtina dhe Beogradi, duke mos përjashtuar këtu as ndarjen e Kosovës. Kryesuesi i Ekipit Negociator, presidenti Fatmir Sejdiu tha se për Prishtinën zyrtare është e papranueshme ndarja e Kosovës. "Nuk kemi në idenë tonë asnjë qasje që ka të bëjë me ndarjen apo copëtimin territorial të Kosovës. Nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare nga askush, ju e dini që ka ndoshta ide që janë hedhur në qasje të ndryshme, por për ne janë të papranueshme", tha presidenti Sejdiu. Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ka thënë se nuk do të pranojë kurrfarë bisedimesh për ndarjen e Kosovës. Në fjalimin e tij javor në Radio Kosovë, ai tha se gjatë takimit me ndërmjetësit ndërkombëtarë, negociatorët kosovarë kanë argumentuar parimet siç i quajti ai "të shenjta" që janë sovraniteti i Kosovës dhe pacënueshmëria e kufijve të saj: "Këto parime do t'i mbrojmë gjatë këtij 120-ditëshi, të cilin do ta shfrytëzojmë për të zgjeruar dhe forcuar konsensusin e brendshëm dhe të jashtëm. Pas kësaj periudhe shtesë Kosova duhet të shkojë shpejt dhe sigurt drejt shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së saj", tha kreu i qeverisë së Kosovës. Ndarja e Kosovës është e papranueshme edhe për qeverinë e Serbisë, ka thënë për BBC-në shefi i zyrës për informim në kabinetin e kryeministri Koshtunica, Milan Mihajlovic. "Qeveria e Serbisë deri më tani nuk e ka shqyrtuar dhe nuk po e shqyrton as tani ndarjen e Kosovës. Qeveria e Serbisë konsideron se kjo ide nuk është e pranueshme për palën serbe dhe angazhohet për bisedime të drejpërdrejta që nuk janë të kufizuara në kohë e që do të rezultonin me një marrëveshje me të cilën do të pajtoheshin të dyja palët dhe bashkësia ndërkombëtare", tha zoti Mihajloviç. Sipas tij, ndarja e Kosovës do të nënkuptonte që pjesa tjetër të bëhet e pavarur me çka siç thotë ai "do të shkëputej një pjesë e territorit të Serbisë". "Qeveria e Serbisë konsideron se ideja e ndarjes së Kosovës nuk është e përcaktuar qartë as nga bashkësia ndërkombëtare dhe ndarja e Kosovës është e papranueshme sepse për Serbinë do të thotë humbje e territorit", tha shefi i zyrës për informim në qeverisë serbe, Milan Mihajloviç. Treshja ndërmjetësuese ndërkombëtare ka thënë se bazë e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të jetë plani Ahtisari. Gjatë vizitës në rajon, negociatorët ndërkombëtare thanë se ata nuk do të propozojnë asgjë zgjidhje tjetër, por do të pranojnë çfarëdo zgjidhje për të cilën pajtohen palët. Takimi i parë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të negociatave shtesë për statusin, pritet të mbahet nga fundi i këtij muaji në Vjenë, ndërsa bisedimet pritet të përmbyllen në pjesën e parë të muajit dhjetor. Negociatori amerikan, ai evropian dhe homologu i tyre rus do t'i raportojnë më 10 dhjetor Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mon mbi rezultatin e këtyre negociatave. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||