BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 13 gusht 2007 - 11:36 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Ischinger optimist për një marrëveshje
Ischinger
Ischinger thotë se marrëveshja për statusin është e mundur
I dërguari i posaçëm i BE-së për statusin e Kosovës, ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger, ka deklaruar se treshja ndërkombëtare do të pranojë cfarëdo opsioni, përfshirë edhe atë të ndarjes së Kosovës nëse për këtë palët do të pajtoheshin në bisedimet shtesë për statusin.

Ambasadori Ischinger i ka thënë BBC-së se nuk është në mandatin e treshes që ta zëvendësojë planin e Ahtisaarit me një plan të ri.

Ai tha se treshja ndërmjetësuese do t'i inkurajojë palët që të ofrojnë ide të reja për të tejkaluar dallimet që janë krijuar.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Ischinger, gjatë vizitës së tij në kuadër të treshes ndërkombëtare në Kosovë, dhe fillimisht e pyeti se cila është përshtypja pas dy ditëve të para të bisedave shtesë për statusin.

Ambasadori Ischinger: Deri tani ka qenë mirë. Duke folur për treshen, ne jemi të kënaqur që kemi marrë përkushtimin për këtë proces të treshes nga të dyja palët, në Beograd dhe në Prishtinë. Ky është parakushti për zhvillimin kuptimplotë të këtij procesi, për të cilin ne kemi mandatin ta zhvillojmë që nga dita e sotme deri në çastin kur duhet ta dorëzojmë raportin tonë tek Grupi i Kontaktit, jo më larg se më 10 dhjetor.

BBC: Ju keni marrë përkushtimin e të dyja palëve. Por cili qenka ky përkushtim i tyre në këtë process 120 ditësh të angazhimit për statusin e Kosovës?

Ambasadori Ischinger: Përkushtimi për të kërkuar ide që do të mundësojnë një zgjidhje të negociuar, që nuk është gjetur nga ata që kanë qenë të përfshirë në përpjekje të tilla. Nuk është në mandatin e këtij misioni që ta zëvendësojë planin e Ahtisaarit me një plan të ri. Askush nuk duhet të presë nga misioni i Treshes që të ofrojë një plan X. Ne i inkurajojmë të dyja palët që të ofrojnë ide të freskëta të tyre për të tejkaluar dallimet që janë krijuar. Do ta bëjmë këtë me një përpjekje të intensifikuar. Ne jemi pajtuar me të dyja palët tashmë që të takohemi me ta sërish para fundit të këtij muaji dhe ne po e shqyrtojmë axhendën tonë për takimet e mëtejme gjatë muajve shtator dhe tetor. Por, ende është shumë heret që të diskutojmë për data të caktuara.

BBC: A mund të pritet që ju të vini në një përfundim të ngjashëm me atë të Ahtisaarit. Dhe cfarë nëse nuk ka një marrëveshje mes palëve? Do të merrni ju përgjegjësinë?

Ambasadori Ischinger: E kam ripërsëritur gjithnjë qëndrimin që kur e kemi filluar këtë process, duke filluar nga takimi i treshes në Londër tre ditë më parë, se përgjegjësia për suksesin ose dështimin u takon palëve. Nëse do të ketë sukses, apo më mirë një marrëveshje, atëherë do të jetë një sukses i madh, besoj unë, edhe për Prishtinën dhe për Beogradin. Kjo sepse do të largojë kokëdhembjen e madhe të shumë njerëzve në rajon, do të kontribuojë në qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor, do të ndihmojë rrugën evropiane si dhe do të zgjidhë një çështje madhore që ka preokupuar bashkësinë ndërkombëtare përfshirë edhe OKB-në në këto tetë vitet e fundit. Prandaj suksesi do të jetë i tyre e, gjithashtu, edhe dështimi do të jetë i tyre. A e besoj unë se suksesi është i mundshëm? Të jem i sinqertë me ju, nëse nuk do të besoja se suksesi është plotësisht i mundur, unë do të refuzoja të merrja pjesë në këtë mision. Të jem shumë i sinqertë me ju: unë besoj se do të jetë shumë e vështirë të arrijmë suksesin. Por nuk mendoj se është e pamundshme dhe për këtë arsye do të punojmë shumë për të ofruar përpjekjet tona të sinqerta.

BBC: Por, ambasador, Prishtina nuk heq dorë nga pavarësia, kurse Beogradi po i ofron asaj një autonomi të zgjeruar për Kosovën. Si mendoni të akomodoni dy qëndrime krejtësisht të kundërta me njëra tjetrën?

Ambasadori Ischinger: Shikoni, ka shumë shembuj në historinë e Evropës ose, nëse doni, në historinë e politikës ndërkombëtare kur qëndrime në dukje të papajtueshme dhe të ndryshme, qëndrime plotësisht të kundërta, u tejkaluan nga urëndërtues të mençur. Nuk është puna ime që të zbulojë ura lidhëse të mundshme, por puna ime është të inkurajoj dhe të ndihmojë mendime kreative për ura të mundshme, nëse ka ndonjë të tillë. Është shumë herët sot të diskutojmë për zgjidhje të tilla. Ne jemi në fillim të procesit, por unë besoj se nëse ka një vullnet të mjaftueshëm nga të dyja palët, uralidhëse të tilla mund të ndërtohen.

BBC: Ju jeni një treshe, një nga SHBA-ja, ju jeni i i BE-së dhe i treti nga Rusia. Keni qëndrime paksa të ndryshme mes vetes. Si do t'i akomodoni qëndrimet tuaja?

Ambasadori Ischinger: Mund t'ju them se pas fazës fillestare të këtyre përpjekjeve, ende nuk kemi hasur në asnjë pengesë të madhe brenda treshes. Si profesionist që jemi, na duket shumë lehtë që të komunikojmë e punojmë me njëri-tjetrin që të sigurohemi se ka një pozitë të unifikuar të treshes. Po ju jap një shembull. Janë publikisht të njohura dallimet lidhur me çështjen e afatit të fundit, që është 10 dhjetori. Por ne kemi arritur që të definojmë pozitën tonë të treshes, pas të cilës rreshtohen amerikanët, rusët dhe ne evropianët. Ne themi se misioni ynë i treshes duhet të paraqesë një raport deri më 10 dhjetor. Ky është afati i misionit tonë të treshes. Çfarë thonë qeveritë tona, qeveritë e tjera, Këshilli i Sigurimit, do të mund të dëshirojnë që të vendosin në bazë të këtij raporti, por nuk është vendim që duhet ne ta marrim. Nuk ka mospajtim mes treshes për ndjenjën e urgjencës, sepse ne nuk duam që të paraqesim një raport më 10 dhjetor i cili nuk ka substancë në vete. Andaj i bëjmë thirrje palëve që të mos humbin kohë e të punojnë me ne. Prapë, jam i inkurajuar që ka gatishmëri nga të dyja palët, pikërisht për të ecur me këtë temp.

BBC: Ambasador, a mos është ndarja një prej urave lidhëse që ju përmendët?

Ambasadori Ischinger: Do t'ju përsëris se çfarëdo marrëveshje e cila mund të arrihet mes palëve, është në rregull për ne. Andaj nuk ka tema tabu. Ju lus që mos të kërkoni nga unë që të spekuloj për ndarjen, apo opsione të tjera. Por është e qartë se çfarëdo zgjidhje e pajtuar mes palëve, do të ishte një lloj amini për ne. Sepse çfarëdo marrëveshje e pajtueshme për palët, është më mirë sesa një dështim për të arritur një marrëveshje për këtë çështje të rëndësisë jetike për Evropën.

BBC: Por çka nëse s'ka marrëveshje?

Ambasadori Ischinger: S'dua të spekuloj, sepse unë dua që të arrijmë një marrëveshje.

LOKALE
UNMIK-u merr rekomandimet për zgjedhjet
16 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Sejdiu rithekson pavarësinë e Kosovës
15 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Petrich flet për BBC
15 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Sejdiu flet kundër ndarjes
13 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Treshja kërkon kompromis për statusin
12 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Pavarësia 'e panegociueshme'
12 gusht 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>