|
Treshja kërkon kompromis për statusin | |||||||||||||||||||||||
Treshja ndërmjetësuese për statusin e Kosovës ka takuar të dielën në Prishtinë përfaqësues të serbëve të Kosovës, për t'u përcjellë porosinë se po kërkojnë një zgjidhje kompromisi për statusin. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ndërkaq kanë thënë se faza 120 ditëshe e bisedimeve shtesë nuk paraqet një afatizim të procesit. Korrespondenti i BBC-së, Arbër Vllahiu, njofton se udhëheqësit politikë shqiptarë thonë se është i pandryshuar parimi që pavarësia e Kosovës është e panegociueshme. Ambasadorët Wisner e Ischinger dhe përfaqësuesi i Federatës Ruse, Botsan Khrachenko ua kanë bërë të qartë të dyja palëve se kanë ardhur në Prishtinë e Beograd për të ndihmuar procesin negociator dhe për të gjetur një gjuhë kompromisi për statusin e Kosovës. Pas takimeve me udhëheqës politikë shqiptarë, treshja ndërmjetësuese ka takuar të dielën përfaqësuesit e serbëve të Kosovës për t'u përcjellë porositë se procesi 120 ditësh i angazhimeve shtesë do të shfrytëzohet maksimalisht për ardhur deri tek një zgjidhje, për të cilën do të pajtoheshin të dyja palët. I dërguari i BE-së për statusin e Kosovës, ambasadori gjerman, Wolfgang Ischinger, i ka thënë BBC-së se nuk është në mandatin e Treshes që ta zëvendësojë planin e Ahtisaarit me një plan të ri dhe se askush nuk duhet të presë nga misioni i Treshes që të ofrojë një plan tjetër. "Çfarëdo marrëveshjeje që do të arrihet mes palëve do të jetë në rregull për ne. Nuk ka tema tabu. Çfarëdo marrëveshjeje e pajtueshme për palët, është më mirë sesa një dështim për të arritur një marrëveshje për këtë çështje të rëndësisë jetike për Evropën", ka thënë Ischinger. Ndërkohë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë theksuar se kanë marrë garanci nga Treshja se do të kërkojë një zgjidhje kompromisi dhe se faza e filluar 120 ditëshe nuk do të thotë, sipas përfaqësuesve serbë, afatizim i procesit. Përfaqësuesit serbë kanë theksuar se nuk do të pranojnë ndërtimin e një shteti të ri shqiptar në Ballkan. Ndërsa udhëheqësit shqiptarë të Kosovës i kanë thënë Treshes ndërmjetësuese se parimi që pavarësia e Kosovës është e panegociueshme, është parim bazë që nuk do të mund të ndryshohet. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||