BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 12 gusht 2007 - 06:43 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Pavarësia 'e panegociueshme'
Harta e Kosovës
Udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës i thanë të shtunën në Prishtinë të dërguarve të komunitetit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, se pavarësia ishte e panegociueshme.

"Unë po punoj për njohjen e pavarësisë së Kosovës, në kufijtë e vet aktualë...brenda vitit," citohet kryeministri Agim Çeku në një deklaratë për shtyp të kryeministrisë të lëshuar pas takimit me treshen negociatore.

Diplomatët ndërkombëtarë u takuan në Prishtinë dhe me presidentin Fatmir Sejdiu.

Njoftohet se pala shqiptare i dorëzoi negociatorëve ndërkombëtarë që do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje të negociuar për Kosovën, planin e saj tetëpikësh të negociimit dhe premtoi bashkëpunim me ta.

Dyshime

Treshja ndërkombëtare e përbërë nga një përfaqësues i SHBA-së, BE-së dhe Rusisë udhëtoi në Prishtinë nga Beogradi.

Takimi me zyrtarët serbë dhe më tej me ata shqiptarë shënoi nisjen e misionit diplomatik të diplomatëve Frank Wisner, Wolfgang Ischinger dhe Aleksandr Botsan Kharchenko për të gjetur një zgjidhje të negociueshme për Kosovën.

"Ne jemi këtu si treshe që të ndërtojmë ura dhe të provojmë të gjejmë mënyra për të arritur një konsensus... Ne do të pajtohemi për çdo gjë që palët do të pajtohen," tha në Prishtinë diplomati amerikan, Frank Wisner.

Por dy palët kanë shprehur dyshime për mundësinë e arritjes së një marrëveshje.

Ndjesi urgjence

Z. Wisner tha se treshja kishte një 'ndesi urgjence' për misionin e saj.

"Ne jemi këtu që të marrin idetë tuaja dhe të kërkojmë konsensusin. Ne kemi ndjenjën e urgjencës," tha diplomati amerikan.

Ai dhe dy diplomatët e tjerë, u ngarkuan me detyrën e drejtimit të një raundi të ri negociatash mes Prishtinës dhe Beogradit muajin e kaluar.

Kjo pasi një projektrezolutë e OKB-së, e mbështetur nga SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë, që parashikonte pavarësi të mbikqyrur për Kosovën, dështoi pas kundërshtimit të aleates së vjetër të Serbisë, Rusisë.

Projektrezoluta pasoi një raund të parë të dështuar bisedimesh mes palësh, që u drejtua nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari dhe zgjati për 13 muaj.

Kosova që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, administrohet nga OKB-ja në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Zgjidhja në OKB

Bisedimet e reja për statusin mes palëve priten të përmbyllen para datës 10 dhjetor, kohë kur negociatorët do të raportojnë për rezultatin e tyre para sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

Diplomati rus në treshen ndërmjetësuese, Aleksandr Botsan Kharchenko, përsëriti në Prishtinë se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës duhet të mbetej brenda kornizave të OKB-së.

"Treshja do të punojë nën autoritetin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe kjo do të nënkuptojë se procesi i statusit të Kosovës do të mbahet brenda kornizave të OKB-së," tha Botsan Kharchenko.

Ai shtoi se negociatorët do të provojnë të gjejnë një zgjidhje kompromisi që do të kalonte pastaj në Këshillin e Sigurimit.

Projektrezoluta e fundit e përgatitur në OKB për Kosovën, e rishkruar disa herë, nuk u dërgua për miratim në KS për shkak të kërcënimit rus për të vënë veton.

Shans i 'fundit'

Para se treshja të udhëtonte drejt Ballkanit, diplomati gjerman Ischinger, tha se palët, Prishtina dhe Beogradi, po përballeshin me një shans të fundit.

"Nëse kjo përpjekje del me sukses, suksesi do të jetë i tyre. Nëse procesi dështon, edhe dështimi do të jetë i tyre," tha z. Ischinger.

Por ai dhe dy kolegët e tij duhet të jenë rikujtuar për vështirësinë e misionit të tyre gjatë vizitës së fundjavës në Beograd e Prishtinë.

Të premten ekipi i negociuesve serbë i ka paraqitur treshes ndërkombëtare platformën serbe për bisedimet dhe ka kërkuar që ato të mos afatizohen.

Serbia e kundërshton me forcë çdo lloj pavarësie për Kosovën.

Ndërkohë që shqiptarët thonë se nuk do të pranojnë asgjë më pak se pavarësia.

Negociatorët ndrëkombëtarë thanë të shtunën në Prishtinë se ata nuk kanë mandat për të rekomanduar zgjidhjen për Kosovën, por do të ndihmojë palët gjatë negociatave të reja për të arritur një marrëveshje.

LOKALE
Trojka zhvillon bisedime në Prishtinë
11 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Pavarësia e Kosovës 'e panegociueshme'
11 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Trojka në takime në Beograd
10 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Intervistë me ambasadorin amerikan, Wisner
09 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Intervistë me ambasadorin gjerman, Ischinger
09 gusht 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>