|
Intervistë me ambasadorin amerikan, Wisner | |||||||||||||||||||||||
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Troikën ndërmjetëse në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, ambasadori Frank Wisner, i tha BBC-së se, nëse palët nuk e gjejnë gjuhën e përbashkët, SHBA-të e shohin Planin Ahtisaari si rruga në të cilën duhet ecur. BBC: A pajtoheni me mendimin e ambasadorit gjerman, Ischinger, se Beogradi dhe Prishtina mund t'i kenë këto bisedime si mundësinë e fundit për gjetjen e një zgjidhjeje të negocijueshme. Frank Wisner: Mendoj se ai ka të drejtë. Negocijatat kanë vazhduar përgjatë 15 muajve të kaluar. Të dyja palët janë konsultuar intensivisht me Presidentin Ahtisaari. Ai ka dalë me një propozim. Këshilli i Sigurimit e ka parë propozimin, por ai nuk gjeti miratimin e Rusisë. Megjithatë të gjithë ramë dakord për një raund të fundit negocijatash. Ne do të synojmë të shohim përfundimin e këtyre negocijatave dhe të dorëzojmë në tryezën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara një raport, deri më datë 10 dhjetor. BBC: Nëse rusët nuk e miratuan planin e Martti Ahtisaarit për një pavarësi të kushtëzuar, përse mendoni se do të miratojnë ndonjë zgjidhje tjetër tuajën? Frank Wisner: Unë nuk mund të garantoj se Rusia do ta pranojë atë, por ne kemi rënë dakord me rusët, të gjithë ne këtu në Grupin e Kontaktit, SHBA, Britania, Franca, Gjermania e Italia se kjo është një mundësi që palët të bëjnë ç'është e mundur dhe në mënyrë përfundimtare për rezultatin që duan. BBC: A ka marrë fund plani Ahtisaari? Frank Wisner: Jo, nuk ka marrë fund. Do të ishte mirë nëse palët e gjejnë gjuhën e përbashkët. Por nëse kjo nuk ndodh, Shtetet e Bashkuara mendojnë se plani i Ahtisaarit është rruga në të cilën duhet ecur. BBC: Teksa ju bisedoni e bisedoni, ekziston edhe mundësia tjetër e shpalljes së njëanshme të pavarësisë? A mos po shkojmë drejt saj? Frank Wisner: Koha ecën dhe ne duhet të përfundojmë punë deri më datë 10 dhjetor e të paraqesim refleksionet tona pranë Sekretarit të Përgjithshëm. Unë nuk dua të spekuloj se çfarë do të ndodhë pas kësaj date. Megjithatë, është e qartë se shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësinë. Shtetet e Bashkuara janë shumë të qarta në qëndrimin e tyre. Presidenti Bush foli në Tiranë. Sikurse e theksoi edhe ai, negocijatat kanë zgjatur shumë për të zgjidhur statusin përfundimtar. Ka ardhur koha të arrihet në një përfundim. BBC: Por, ambasador Wisner, ajo që ju duhet është një Rezolutë e Këshillit të Sigurimit dhe është krejt e qartë se Rusia nuk do t'jua japë një mundësi të tillë. Frank Wisner: Sigurisht, unë do të parapëlqeja një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, por ka kombe që janë pavarësuar edhe pa rezoluta të Këshillit të Sigurimit. Kështu që ne na duhet të shohim se çfarë do të ngjasë gjatë javëve të ardhshme. Ne i kemi hyrë kësaj periudhe pa paragjykime për të dëgjuar se çfarë kanë për të thënë palët dhe nuk do ta paragjykojmë rezultatin. BBC - Po, por shqiptarët duan pavarësi, serbët nuk duan që shqiptarët të kenë pavarësi dhe rusët janë dakord me serbët. Nuk duket se keni shumë mundësi negocijimi në këtë situatë, apo jo? Frank Wisner: Mendoj se keni prekur pikërisht në kallon e kësaj situate. Është shumë e vështirë t'i bashkosh këto brigje, por sidoqoftë, të dyja palët na kanë thënë se do ta përdorin këtë periudhë për të hedhur ide serioze në tryezë. Ne do të shohim nëse ekziston ndonjë mënyrë që ato ide të mund t'i ngushtojnë dallimet për të cilat flisni. BBC: Nëse shqiptarët e Kosovës e shpallin pavarësinë në mënyrë të njëanshme, a do ta njohin Shtetet e Bashkuara Kosovën? Frank Wisner: Le të flasim për këtë kur të vijë koha. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||