|
Intervistë me ambasadorin gjerman, Ischinger | |||||||||||||||||||||||
Përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Rusia u takuan në Londër me qëllim fillimin e bisedimeve për fatin e Kosovës. Raundi i dytë i bisedimeve pason vendimin e Rusisë për të bllokuar planin e Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës. Para fillimit të bisedimeve të Grupit të Kontaktit në Londër, përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Trojkë, Wolfgang Ischinger që është edhe ambasador i Gjermanisë në Londër i tha BBC-së se bisedimet mes Beogradit e Prishtinës mund të jenë mundësia e tyre e fundit për të gjetur një zgjidhje të negocijueshme për të ardhmen e Kosovës. BBC: Zoti ambasador, sa të përkushtuar janë shqiptarët për pavarësi, duke qenë se kjo është pika ku ato këmbëngulin? Wolfgang Ischinger: Po, sigurisht. Gjithë ato përpjekje e negocijata nga Presidenti Ahtissari dhe ekipi i tij nuk kanë çuar drejt një zgjidhjeje për shkak të dallimeve të vazhdueshme që ekzistojnë në lidhje me çështjen e statusit. Statusi shtrohet në mënyre të tillë: Pavarësi - Po ose Jo! Prandaj edhe formati i Trojkës, në të cilin unë bëj pjesë si përfaqësues i Bashkimit Europian dhe pjesëtarët e Grupit të Kontraktit do të bëjnë një përpjekje të re. BBC: Ju përmendet emrin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i cili hartoi një plan të bazuar në propozimet e tij për një pavarësi të mbikqyrur. Rusia thotë se kundërshton çfarëdo plani që do të ishte i papranueshëm për Beogradin dhe ka hedhur poshtë çdo projekt të paraqitur deri më tani. A mendoni se mund t'i bindni rusët të ndryshojnë mendje? Wolfgang Ischinger: Kjo do të ishte gjë e mirë, apo jo? Dëgjoni, ne jemi marrë vesh që çfarëdo rezultati në diskutimet mes Beogradit dhe Prishtinës do të ishte i pranueshëm për ne. Me fjalë të tjera, kjo është një mundësi për ta. Ne, Trojka, si përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar po i ofrojmë Beogradit dhe Prishtinës një mundësi tjetër, ndoshta mundësinë e fundit për të gjetur një zgjidhje të negocijueshme. Nëse kjo përpjekje del me sukses, suksesi do të jetë i tyre. Nëse procesi dështon, edhe dështimi do të jetë i tyre. BBC: Ju thoni se kjo është mundësia e tyre e fundit. Kjo tingëllon mjaft e rëndë? Wolfgang Ischinger: Në rajon ka shumë presion, jo vetëm në Kosovë dhe nje prej arsyeve që ne po e nisim këtë përpjekje lidhet me shqetësimin që ekziston në lidhje me vonesën e procesit që do të çonte në zgjidhjen e së ardhmes së Kosoves. Pra presioni ekziston dhe ne do të punojmë në këtë drejtim me shumë vendosmëri. Personalisht, unë jam i vendosur të mos lë gur pa lëvizur në këtë proces para se të kthehemi për të raportuar, përmes Grupit të Kontaktit, tek Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara para Krishtlindjeve, më datë 10 dhjetor. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||