|
Pavarësia e Kosovës 'e panegociueshme' | |||||||||||||||||||||||
Zyrtarë të lartë të Kosovës i thanë treshes ndërmjetësuese të Grupit të Kontaktit të shtunën në Prishtinë se pavarësia e Kosovës ishte e panegociueshme. Tre diplomatët: zyrtari amerikan Frank Wisner, përfaqësuesi i BE-së, ambasadori gjerman Volfgang Ischinger dhe ambasadori rus Alexander Botsan Kharchenko u takuan në Prishtinë në takime të veçanta me kryeministrin Agim Çeku, presidentin Fatmir Sejdiu dhe me Ekipin Negociator. Presidenti Sejdiu pas takimit përsëriti se pala shqiptare qëndronte pas qëndrimit të saj se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme, se tërësia e saj tokësore ishte e paprekshme dhe se plani Ahtisaari ishte i përmbyllur. Në takimin me ekipin negociator të Kosovës, negociatorët ndërkombëtarë thanë se dëshirojnë që të arrihej një zgjidhje me marrëveshje mes të dyja palëve. "Ne jemi këtu që të ndërtojmë ura, të përpiqemi të gjejmë mënyra për të arritur një konsensus në rajon në interes të paqes. Ne do të biem dakord për gjithshka që do të bien dakord palët," tha në Prishtinë zyrtari amerikan Wisner. Treshja ndërmjetësuese u takua më herët dhe me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Të dielën ekipi ndërmjetësues pritet të takohet dhe me përfaqësues të serbëve të Kosovës, para se të mbajë një konferencë për shtyp. Qëndrim antagonist Zyrtarët ndërkombëtare udhëtuan në Prishtinë nga Beogradi, ku u takuan me udhëheqësit politikë vendas. Zyrtarët serbë ripërsëritën qëndrimin e tyre se Kosova është pjesë e Serbisë. Pas takimeve, diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, tha se kishin patur një seancë të parë të mirë dhe kishin shpjeguar hollësitë, qëllimin, shkallën dhe mandatin e misionit të tyre. "Ky është fillimi i një procesi që do të na çojë ne drejt dhjetorit," tha ai, duke iu referuar afatit përfundimtar 10 dhjetorit. Zyrtarët e lartë ndërkombëtarë i kërkuan autoriteteve serbe që të ofronin një alternativë, e cila do të ishte e pranueshme edhe për palën shqiptare. Trojka tha se do të mundohet që të gjejë një zgjidhje kompromis për Kosovën në periudhën prej 120 ditësh. Në 10 dhjetor ata duhet të paraqesin përfundimet e misionit të tyre para Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||