BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 21 janar 2008 - 13:30 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Presidenti i Serbisë zgjidhet me balotazh në 3 shkurt
Poster i Tomisllav Nikoliqit
Tomisllav Nikoliq ka fitur 39,4% të votave.
Sipas rezultateve jozyrtare paraprake që i ka bërë të ditur Qendra për Zgjedhje të Lira dhe demokraci – CESiD, dhe Komisioni Zgjedhor Republikan, në bazë të përpunimit të 80% të materialit zgjedhor, në votimet e djeshme presidenciale në Serbi kanë dalë 61%, ose 4.1 milion qytetarë me të drejtë vote.

Më shumë vota kanë fituar radikali Tomisllav Nikoliq, 39,4% dhe presidenti aktual, Boris Tadiq, 35,4%.

Pasojnë Velimir Iliq nga blloku i partive populliste me 7.9%, kryetari i Partisë Liberal Demokartike, Çedomir Jovanoviq me 6,5% dhe socialisti Milutin Mrkoniq me 6%.

REZULTATET PARAPRAKE
Tomisllav Nikoliq 39,4%
Boris Tadiq 35,4%
Velimir Iliq 7.9%
Çedomir Jovanoviq 6,5%.
Milutin Mrkoniq me 6%

Katër kandidatët tjerë kanë fituar prej 0,5 deri 2,5% të votave.

Zgjedhjet kanë kaluar pa ndonjë parregullësi të rëndësishme dhe në frymë demokratike e të drejta.

Nikoliq përballë Tadiq

Në raundin e dytë, që do të mbahet me 3 shkurt, betejën për postin e presidentit do ta zhvillojnë Tomisllav Nikoliq e Boris Tadiq. Situata rreth presidentit të ardhshëm bëhet shumë e paqartë dhe e pasigurt me që mundësitë janë të barabarta.

Pa zgjedhjeve të së dielës nuk mund të flitet për ndonjë atmosferë të posaçme, nuk ka pasur manifestime nëpër rrugë. Çdo gjë është normale, thua se nuk ka ndodhur asgjë.

Në shtabet e kandidatëve presidencialë të dielën në mbrëmje ishin tubuar shumë gazetarë, funksionarë e simpatizantë të partive të tyre dhe përfaqësues të jetës publike e kulturore, në pritje të rezultateve të votimeve, por më zhurmshëm dhe hareshëm ishte në shtabin e Boris Tadiqit dhe të Çedomir Jovanoviqit.

Katër kandidatët që kanë fituar më shumë vota u janë drejtuar gazetarëve dhe kanë shprehur kënaqësi me rezultatet e shënuara.

Boris Tadiq
Boris Taqiq në mes të përkrahësve të tij

Por kandidati që e ka zënë vendin e tretë, Velimir Iliq që ka fituar 8 %, e i cili i takon koalicionit të partive populiste i drejtuar nga kryeministri aktual Vojisllav Koshtunica nuk është shprehur i kënaqur.

Kjo për shkakun se ky bllok ka pësuar disfatë të thellë krahasuar edhe me rezultatin e zgjedhjeve të vjetshme parlamentare.

Mirëpo, këtu shtrohet dilema, si nga analistët ashtu edhe nga qytetarët, se çfarë do të ndodhë në raundin e dytë, që duhet të mbahet më 3 shkurt, për shkak të diferencës së vogël të votave midis dy kandidatëve favorit, Nikoliqit e Tadiqit prej vetëm, 4% apo 150 mijë vota.

Kjo edhe për faktin se simpatizantët e opsionit anti-evropian, pra të socialistëve dhe të bllokut populist, votat do t'ia japin Nikoliqit si personifikim i kësaj politike.

Prandaj me të drejtë raundi i dytë nga analistët edhe është shpallur si referendum i llojit të vet, ku qytetarët duhet të deklarohen për rrugën e demokratizimit dhe integrimeve evropiane të Serbisë që e përfaqëson Boris Tadiq, apo do ta zgjedhin rrugën e vetizolimit e të kthimit në vitet e nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, të përfaqësuar nga ultrnacionalisti Nikoliq.

Të gjitha televizionet kryesore të Beogradit , pas mbylljes së vendvotimeve, kanë organizuar emisione speciale me analistë e politikanë të cilët i kanë analizuar zgjedhjet dhe kanë dhënë parashikimet e tyre për epilogun e mundshëm të raundit të dytë.

Pasqyrimi në gazeta

Edhe gazetat e sotme u kushtojnë vend të madh zgjedhjeve të së djelës duke theksuar në plan të parë pjesëmarrjen e madhe befasuese të qytetarëve në votime.

Gazeta kryesore e pro-qeveritare "Politika" dhe tabloidi "Kurir" mbajnë titujt kryesor "Ngusht në raundin e dytë". Gazetat Novosti e Danas, "Nikoliq e Tadiq shkojnë në raundin e dytë", gazeta Blic, "Koshtunica zgjedh", kurse Pravda, "Fitorja e Serbisë".

Gazetat japin edhe vlerësimet e analistëve të shumtë lidhur me raundin e dytë, që pritet të mbahet më 3 shkurt, për çka edhe shtrohet dilema se në anën e kujt do të vendoset kryeministri aktual Vojisllav Koshtunica, mbështetja e të cilit është vendimtare, dhe çfarë do të jenë ndërkohë hapat e qendrave ndërkombëtare të vendosjes ndaj Serbisë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>