BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 18 nëntor 2007 - 12:28 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Serbët nuk votojnë në Mitrovicë

Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë
"Këto nuk janë zgjedhjet tona", është shprehur një qytetar serb.
Në ditën e votimeve në veri të Mitrovicës asnjë serb nuk ka votuar për zgjedhjet parlamentare dhe ato komunale të Kosovës.

Edhe në tri komunat serbe në veri të Kosovës ku OSBE-ja kishte hapur vendvotime lëvizëse qytetarët serbë i bojkotuan zgjedhjet.

Kanë qenë vetëm dy serbë që kanë votuar në Leposaviq dhe tre të tjerë në Zvecan.

 Nuk duam të votojmë, do të bëjmë ashtu si na thotë Serbia.
qytetar serb

Qytetarët serbë në veri të Mitrovicës kanë shfaqur shenja nervozizmi kur janë pyetur rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet e Kosovës.

"Këto nuk janë zgjedhjet tona," është shprehur një qytetar serb.

"Nuk duam të votojmë, do të bëjmë ashtu si na thotë Serbia," tha Igor Milosavleviq.

Një qytetare serbe thotë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje do të thoshte votë për pavarësinë e Kosovës.

 Pse të votojmë ne serbët, kur dëshira jonë është që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë
qytetare serbe

"Shqiptarët po planifikojnë të shpallin pavarësinë e Kosovës më 10 dhjetor. Pse të votojmë ne serbët, kur dëshira jonë është që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë," u shpreh qytetarja serbe.

Por kështu nuk mendon njëri nga politikanët serbë, Oliver Ivanoviq. Udhëheqësi i Listës Serbe për Kosovë e Metohi është tërhequr nga gara zgjedhore pas thirrjeve të qeverisë serbe për bojkotim të zgjedhjeve në Kosovë.

Megjithëatë zoti Ivanoviq mendon se mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhje dhe në institucionet kosovare nuk është rrugë për zgjidhjen e problemeve të serbëve.

 Ata serbë që dalin në zgjedhje nuk janë shqiptarë, janë serbë që kanë përkrahjen e popullit.
Oliver Ivanoviq

"Ata serbë që dalin në zgjedhje nuk janë shqiptarë, janë serbë që kanë përkrahjen e popullit. Ata serbë mund të luftojnë kundër pavarësisë me plot legjitimitet, ndërsa tani nuk jemi në këtë pozitë, jemi jashtë lojës politike dhe tani duhet të presim çka do të ndodhë pasi negociatat të përfundojnë," tha zoti Ivanoviq.

Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook, gjatë një vizite që i ka bërë vendvotimeve në veri të Kosovës është shprehur i zhgënjyer me mospjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

"Mendoj se është shumë pikëlluese që serbët nuk po votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në këtë fazë kritike për Kosovën".

"Përshtypja ime personale është se serbët këtu janë të ndarë, ka serbë që për arsye politike thonë se nuk do të votojnë, por mendoj se shumica e serbëve do të dilnin në zgjedhje sikur të mos ishin nën presion dhe të dekurajuar," tha zoti Schook.

 Mendoj se është shumë pikëlluese që serbët nuk po votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në këtë fazë kritike për Kosovën.
Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook

Për dallim nga pjesa veriore, procesi i votimit në pjesën jugore të Mitrovicës është zhvilluar normalisht. Pjesëmarrja e votuesve sillet në rreth 34 përqind.

Naser Osmani, kryesues i një qendre të votimit në Mitrovicës, thotë se dalja e votuesve në zgjedhje ka qenë më e ulët se sa pritej.

Votuesit thonë se për shkak të mbajtjes së tri palë zgjedhjeve dhe sistemit me lista të hapura, u është nevojitur kohë më e gjatë për të votuar.

26 qendrat e votimit në komunën e Mitrovicës janë mbyllur në kohën e paraparë dhe sipas vëzhguesve nuk janë shënuar parregullsi të mëdha.

LOKALE
Reagimet e Beogradit për zgjedhjet
18 nëntor 2007 | Rajoni
Kryetari i PDK-së shpall fitore
18 nëntor 2007 | Rajoni
Pjesëmarrje e ulët në votime
18 nëntor 2007 | Rajoni
SHBA kritikon bojkotin serb
18 nëntor 2007 | Rajoni
Votuesit drejt qendrave të votimit
17 nëntor 2007 | Rajoni
TË JASHTME
BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të jashtme të internetit
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>